RMV, të dhënat publike janë të publikut, jo të institucioneve
Të dhënat publike duhet të jenë lirisht të qasshme për të gjithë qytetarët. Institucionet që kanë të dhëna publike duhet të pranojnë që këto të dhëna janë të publikut dhe jo të vetë institucioneve. Planifikimi i centralizuar i infrastrukturës së të dhënave nën një entitet të vetëm është i nevojshëm për të siguruar qëndrueshmëri, efikasitet […]
Të dhënat publike duhet të jenë lirisht të qasshme për të gjithë qytetarët. Institucionet që kanë të dhëna publike duhet të pranojnë që këto të dhëna janë të publikut dhe jo të vetë institucioneve. Planifikimi i centralizuar i infrastrukturës së të dhënave nën një entitet të vetëm është i nevojshëm për të siguruar qëndrueshmëri, efikasitet dhe ndërveprim ndërmjet të gjitha institucioneve shtetërore, si dhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile në transformimin digjital. Këto janë disa nga propozimet-rekomandimet që dolën nga seanca e tretë e sotme e grupit punues 6 Antikorrupsioni me temë: “Ndërtimi i infrastrukturës kohezive digjitale për zhvillimin e financave publike të avancuara”, që u mbajt në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Mila Josifovska Danilovska, menaxhere programi në Fondacionin “Metamorfozis”, theksoi rëndësinë e digjitalizimit, i cili duhet të jetë prioritet.
“Kjo nënkupton që proceset dhe shërbimet duhet të përmirësohen duke aplikuar zgjidhje digjitale, brenda institucioneve me qytetarët. Modernizimi apo futja e teknologjive digjitale nuk duhet të bartet vetëm te personat e TI-së, por të përfshihen të gjithë palët e interesuara”, tha Josifovska Danilovska.
Nga ana tjetër, kryetarja e Lëvizjes Evropiane, Mileva Gjurovska, tha se zhvillimi i transformimit digjital duhet të trajtohet me shumë kujdes.
“Duhet të merret parasysh se transformimi digjital duhet të harmonizohet me të gjitha politikat e BE-së që i kemi miratuar në kontekstin tonë kombëtar”, tha Gjurovska.
Aleksandar Kërzhalovski nga Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar theksoi se sipas anketave, korrupsioni në dy vitet e fundit është një nga problemet më të mëdha në vend. Nëpërmjet shembujve konkretë, Kërzhalovski vuri në dukje mangësitë në shfrytëzimin e shërbimeve publike në vend, të cilat duhet të digjitalizohen.
Boro Jakimovski, dekan i Fakultetit të Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike tha se nevojitet një qasje strategjike në ndërtimin e sistemeve të centralizuara të automatizuara.
“Ne kemi përputhshmëri relativisht të mirë me legjislacionin e BE-së. Të dhënat cilësore dhe të lira janë çelësi i transformimit digjital,” tha ai.
Ministri i transformimit digjital Stefan Andonovski në fjalimin e tij tha se sa më e lartë të jetë shkalla e digjitalizimit aq më rezistent është shteti ndaj ndikimeve. Sipas tij, nuk mund të flitet për inteligjencë artificiale, nëse institucionet nuk janë të lidhura dhe nuk komunikojnë me njëra-tjetrën.
“Përpjekjet tona për transformim digjital synojnë të ardhmen – një e ardhme në të cilën investimet në infrastrukturën digjitale do të jenë shtytës i të gjitha sferave të shoqërisë, e cila, ndryshe nga autostradat dhe hekurudhat, nuk njeh kufij”, tha Andonovski.
Në kuadër të lidhjes dhe krijimit të një infrastrukture kohezive digjitale, Andonovski foli për përpjekjet që tashmë po bëhen për përmirësimin e funksionalitetit të Platformës së Interoperabilitetit, e cila mundëson shkëmbimin elektronik të të dhënave dhe dokumenteve ndërmjet institucioneve, por edhe ndërmjet institucionev, kompanive dhe qytetarëve në mënyrë të standardizuar, të sigurt dhe të unifikuar.