RMV, Vlen dhe Fronti Evropian ditëve në vijim do të vendosin nëse dhe cilin kandidat do të mbështesin, Pendarovskin apo Siljanovskën

Koha e rrethit  të dytë të zgjedhjeve presidenciale po afrohet. Na ndajnë edhe gjatë ditë, ndërsa koalicionet e partive shqiptare, nuk dihet nëse dhe se cilin kandidat për president do të mbështesin, Silanovska Davkovën apo Pendarovskin. Sipas deklaratave të deritanishme, kjo pritet të ndodhë  ditëve në vijim, por nuk ka datë, as nga Fronti Evropian […]

maj 2, 2024 - 11:00
 0  3
RMV, Vlen dhe Fronti Evropian ditëve në vijim do të vendosin nëse dhe cilin kandidat do të mbështesin, Pendarovskin apo Siljanovskën
Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Portalb.mk

Koha e rrethit  të dytë të zgjedhjeve presidenciale po afrohet. Na ndajnë edhe gjatë ditë, ndërsa koalicionet e partive shqiptare, nuk dihet nëse dhe se cilin kandidat për president do të mbështesin, Silanovska Davkovën apo Pendarovskin. Sipas deklaratave të deritanishme, kjo pritet të ndodhë  ditëve në vijim, por nuk ka datë, as nga Fronti Evropian dhe as nga Vlen, transmeton Portalb.mk.

Nga koalicioni i partive opozitare të shqiptarëve “Vlen”, thonë se vendimi nëse dhe kë do të mbështesin në raundin e dytë do të merret në nivel të liderëve, përkatësisht liderëve të katër partive që përbëjnë këtë koalicion do të vendosë për këtë çështje.

I pyetur se cilin kandidat do ta mbështesin, respektivisht Stevo Pendarovskin apo Gordana Siljanovska Davkovën në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, Izet Mexhiti nga VLEN tha se nuk i kanë votat në xhep, dhe se qytetarët vetë do të vlerësojnë. Mexhiti tha se rrethi i dytë do të jetë formalitet, pasi, sipas tij, dallimi në vota mes dy kandidatëve është tejet i madh.

“Votuesit që kanë votuar për Taravarin, mbi 83.000 votues, do të thotë ne nuk i kemi në xhep ato vota. Qytetari shqiptar di ta bëjë vlerësimin vetë, se cili e meriton të jetë kryetari i ardhshëm. Për hirë të vërtetës, dallimi mes kandidatit të parë dhe kandidatit të dytë është tejet i madh, kështu që rrethi i dytë është më tepër formal. Ndoshta edhe kjo është arsyeja që deri në këtë moment nuk ka ndonjë presion ose kërkesë serioze për votat shqiptare”, tha Mexhiti.

Lidhur me këtë çështje do të vendosë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), kandidati i së cilës për kryetar të shtetit, ministri aktual i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në rrethin e parë të 24 prillit fitoi 121.088 vota.

“Do të jetë vendim partiak, por ende nuk e kemi marrë një vendim të tillë. Do të bëhet e ditur në ditët në vijim. Tani jemi të fokusuar në zgjedhjet parlamentare dhe po komunikojmë se jemi fitues me më shumë se 40 mijë vota”, tha Arta Bilalli-Zendeli nga BDI.

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, Siljanovska-Davkova hyn me një avantazh të madh, pasi fitoi dy herë më shumë vota se kundërkandidati i saj në raundin e parë, Stevo Pendarovski.

Ndryshe, për zgjedhjen e presidentit në raundin e dytë kërkohet census, përkatësisht të dalin dhe të votojnë së paku 40 për qind e qytetarëve të regjistruar në listën e vetme zgjedhore.

Ndërkohë, dy koalicionet nga blloku shqiptar – “Fronti Evropian”, i udhëhequr nga BDI-ja, dhe partitë opozitare të shqiptarëve, “Vlen” vazhdojnë përplasjen me njëra-tjetrën për tubimet finale të planifikuara të hënën në të njëjtën orë në sheshin “Illiria” në Tetovë.

BDI-ja ka bërë të ditur se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga vendi i tubimit dhe pretendojnë se janë të parët që kanë paraqitur kërkesë dhe kanë marrë miratimin nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga ana tjetër, koalicioni “Vlen” pretendon se të parët kanë marrë leje për të mbajtur tubimin final në Tetovë dhjetë ditë më parë, dhe që atëherë kërkuan miratim nga MPB-ja.

“Vlen” thotë se vendimin përfundimtar nëse do t’ia lëshojnë sheshin e Tetovës “Frontit Evropian” do ta shpallin në ditët në vijim. Koalicioni i partive opozitare  thonë se nuk do të bien nën provokimet e BDI-së, të cilat sipas tyre me çdo kusht duan të shkaktojnë incidente, për të defokusuar opinionin nga humbja e votave dhe nga marrëveshjet korruptive.

Kujtojmë se në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale 2024 nga numri i përgjithshëm i votuesve 1.1814.317 votuan 867.000 qytetarë apo 49,94%, prej të cilëve numri i votave të vlefshme ishte 881.272 ndërsa vota të pavlefshme dolën 24.562. Në bazë të rezultateve të fundit, dallimi mes Bujar Osmanit dhe Arben Taravarit ishte mbi 37 mijë vota, ndërsa mes Siljana Davkovës dhe Stevo Pendarovskit ishte mbi 182 mijë vota.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.