Rritje e re e shpenzimeve për jetesë në RMV, inflacioni nuk po bie
Të dhënat e fundit statistikore tregojnë për rritje të re të shpenzimeve për jetesë në Maqedoninë e Veriut, e cila ndikon edhe tek inflacioni. Në kulmin e verës, çmimet tejet të larta në restorante dhe hotele, shpenzimet e larta për transport, mjekim dhe banim e mbajnë inflacionin në një nivel shumë të lartë, transmeton Portalb.mk […]
Të dhënat e fundit statistikore tregojnë për rritje të re të shpenzimeve për jetesë në Maqedoninë e Veriut, e cila ndikon edhe tek inflacioni. Në kulmin e verës, çmimet tejet të larta në restorante dhe hotele, shpenzimet e larta për transport, mjekim dhe banim e mbajnë inflacionin në një nivel shumë të lartë, transmeton Portalb.mk nga DW.
Shpenzimet për jetesë në muajin korrik të këtij viti, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, kanë shënuar një rritje prej 3,0 përqind, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë për 3,9 përqind, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave.
Inflacioni i matur nëpërmjet indeksit të shpenzimeve për jetesë në muajin korrik krahasuar me muajin qershor të vitit 2024 është 0,7%.
Nga ana tjetër çmimet me pakicë në muajin korrik krahasuar me muajin paraprak kanë shënuar një rritje prej 1,5%.
Restorantet gjithnjë e më të shtrenjta
Rritja e inflacionit është rezultat i rritjes së shpenzimeve për jetesë tek grupet në vijim: restorante dhe hotele me 5,8%, transport për 4,9%, rekreacion dhe kulturë për 1,2%, shëndetësi, mallra dhe shërbime të ndryshme për 0,6%, banim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera për 0,3%, pije alkoolike, duhan dhe narkotikë për 0,1%.
Çmimet tejet të larta në restorante dhe hotele, shpenzimet e larta për transport, mjekim dhe banim e mbajnë inflacionin në një nivel shumë të lartë.
Në muajin korrik të vitit 2024, krahasuar me muajin qershor të po këtij viti, ulje e shpenzimeve për jetesë është vënë re tek grupet: veshje dhe këpucë për 0,5%, ushqime dhe pije joalkoolike për 0,2%, komunikime për 0,1%.
Shpenzimet për jetesë tek grupet: mobilje, orendi shtëpiake dhe mirëmbajtje e amvisërive dhe arsimim kanë mbetur në të njëjtin nivel si një muaj më parë.
Statistikat vetëm sa i konfirmuan përllogaritjet e publikuara kohëve të fundit nga sindikatat. Gjatë muajit korrik shpenzimet minimale të një familjeje janë rritur për 245 denarë në krahasim me muajin paraprak. Nëse në muajin qershor, sipas përllogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave një familjeje i nevojiteshin 60.325 denarë për të plotësuar nevojat më elementare, gjatë muajit korrik nuk i mjaftonin as 60.570 denarë.
Shpenzimet më të mëdha bëhen për ushqim
Zakonisht më së shumti para nevojiten për ushqim, për çka në korrik për nevojat elementare një familjeje i janë dashur 22.008 denarë, ndërsa për shpenzime të përgjithshme 6.014 denarë. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, paga mesatare mujore neto e një punonjësi në prill të këtij viti ka qenë 41.085 denarë dhe është për 13,7 përqind më e lartë se në muajin e njëjtë të vitit të kaluar.