Seancë e jashtëzakonshme për pagat, AAK-ja nis mbledhjen e nënshkrimeve në kuvend
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se do të kërkojë urgjentisht thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për ‘zhbllokimin’ e çështjes së pagave të zyrtarëve publikë. Pagat e zyrtarëve publikë, të cilat do duhej të ishin ekzekutuar të hënën, janë bllokuar shkaku i përfundimit të mandatit të ushtruesit të […]
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se do të kërkojë urgjentisht thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për ‘zhbllokimin’ e çështjes së pagave të zyrtarëve publikë.
Pagat e zyrtarëve publikë, të cilat do duhej të ishin ekzekutuar të hënën, janë bllokuar shkaku i përfundimit të mandatit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Thesarit të Shtetit.
Por, AAK-ja pretendon se këtë çështje mund ta zgjidhë vetëm Kuvendi i Kosovës.
Për këtë shkak, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha sot se AAK-ja do të “kërkojë menjëherë” mbledhjen e kuvendit në seancë të jashtëzakonshme.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të qëndrojë duarkryq. Ne do të kërkojmë menjëherë një seancë të jashtëzakonshme plenare të Kuvendit për ta mbajtur këtë qeveri përgjegjëse”, tha Tahiri, raporton Paparaci.
Tahiri tha se Qeveria e Kosovës ka kaluar çdo kufi me vonesat e për ekzekutimin e pagave dhe se kjo është një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut.
“Qeveria e Kosovës ka kaluar çdo kufi me vonesat e saj të papranueshme në ekzekutimin e pagave për 80,000 shërbyes publikë. Ky dështim flagrant është një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut dhe të drejtës themelore për të gëzuar pronën. Shërbyesit publikë janë shtylla e vendit tonë dhe mohimi i realizimit të pagave të tyre me kohë është një akt i neglizhencës së rëndë dhe mosrespektimit ndaj qytetarëve, njëherësh shërbyesve civil të Kosovës”, u shpreh Tahiri.