Seksizëm në shtëpinë ligjvënëse, deputeti Rijad Shaqiri me ofendim ndaj deputetes Ilire Dauti: Të ishe burrë ndryshe kishim folur
Sekzismi dhe diskriminimi gjinor në Maqedoninë e Veriut nuk mungon as në shtëpinë ligjvënëse. Deputeti i VLEN-it Rijad Shaqiri ka përdorur thënie seksiste ndaj deputetes së Frontit Evropian Ilire Dauti, shkruan Portalb.mk. Gjatë debatit në Komisionin Parlamentar ku diskutohej Ligji për Arsimin e Mesëm, deputeti Rijad Shaqiri i është drejtuar deputetes me fjalor seksist. “Ilire, […]
Sekzismi dhe diskriminimi gjinor në Maqedoninë e Veriut nuk mungon as në shtëpinë ligjvënëse. Deputeti i VLEN-it Rijad Shaqiri ka përdorur thënie seksiste ndaj deputetes së Frontit Evropian Ilire Dauti, shkruan Portalb.mk.
Gjatë debatit në Komisionin Parlamentar ku diskutohej Ligji për Arsimin e Mesëm, deputeti Rijad Shaqiri i është drejtuar deputetes me fjalor seksist.
“Ilire, ke kujdes se kujt i thua mbylle mikrofonin, ke kujdes kujt i thua mbylle mikrofonin…Ilire mos ma keqpërdor njerzillëkun tim si femër me të trajtuar, se të ishe burrë ndryshe kishim folur. Të kishe qenë burrë ndryshe kishim folur”, ka thënë Shaqiri.
Ndaj kësaj deklarate kanë reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim, këtë deklaratë ata e kanë konsideruar si të papranueshme, të turpshme dhe kërcënuese.
“Ky është një sjellje e palejuar dhe akt i pastër diskriminimi gjinor, i cili nuk ka vend në asnjë institucion si Kuvendi. BDI kërkon menjëherë dorëheqjen e deputetit Rijad Shakiri. Një individ që shfaq një sjellje të tillë të papranueshme nuk mund të mbajë një post publik dhe të udhëheqë nëpërmjet shembujve të tillë të dhunës verbale dhe diskriminimit. Ne i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të reagojnë me urgjencë dhe të sigurojnë që ky akt të dënohet në mënyrë të prerë”, thanë nga BDI.
Reagimit të BDI-së i janë përgjgjur nga VLEN, siç thonë reagimi i tyre është ironi.
“Edhe këtë ironi e dëgjuam Ali Ahmeti që dikur shante 700 mijë nëna shqiptare tani po mbron barazinë gjinore. BDI-ja e Artan Grubit që eliminonte konkurrencën duke i “likuiduar” gratë e zonja nga partia tani po luftuakan për barazi gjinore. Në BDI nuk ka as barazi gjinore, nuk ka as nëna e gra shqiptare që vlerësohen. Ka vetëm krim dhe korrupsion. Nuk mashtrohen gratë e nënat shqiptare sepse nuk i kanë harruar ofendimet që i keni bërë, nënat shqiptare kanë kujtesë të gjatë, i mbajnë mirë e gjatë kohë në mend përgjimet, kur Ali Ahmeti shante 700 mijë nëna shqiptare. Prandaj, heshtni mos flisni ju për barazi gjinore sepse nuk u ka hije. Kërkoni falje, pendohuni për të bëmat tuaja famëkeqe, e reformohuni”, thanë nga VLEN.
Deklaratën e Shaqirit skandaloze dhe të dëmshme e ka cilësuar edhe Qendra për Mundësi të Barabarta ‘Mollëkuqja’.
“Kuvendi duhet të jetë vendi shembull i qytetarisë dhe jo e kundërta. Deklarata e deputetit në fjalë është tepër seksiste dhe e dëmshme për shoqërinë, sepse ilustron shembull të keq e cila përforëcon stereotipat gjinore. Trajtimi i njerëzve duhet të bazohet në respekt dhe barazi, pavarësisht nga gjinia e tyre”, thanë për Portalb.mk nga Mollëkuqja.
Ndryshe, gratë në politikë në RMV janë ende cak i gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore. Arena politike është veçanërisht brutale dhe e pamëshirshme ndaj tyre. Në të “fluturojnë” fyerjet, seksizmi, objektivizimi, ejxhizmi dhe gjuha e urrejtjes, me qëllim që të vështirësohet veprimi politik dhe të dekurajohen dhe demoralizohen. Ekspertët janë decidë se nevojiten më shumë përpjekje për të arritur barazinë.