Regres për Kodrën e Diellit, Mexhiti: Negociatat me investitorin nga e para
Dy vite pas prezantimit të investimit milionësh për Kodrën e Diellit, në vend që negociatat të përfundojnë dhe të ketë marrëveshje, negociatat kanë nisur nga e para, shkruan Portalb.mk. Këtë e konfirmoi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti kur u pyet nga Portalb.mk se pse ende nuk është nënshkruar marrëveshja me kompaninë […]
Dy vite pas prezantimit të investimit milionësh për Kodrën e Diellit, në vend që negociatat të përfundojnë dhe të ketë marrëveshje, negociatat kanë nisur nga e para, shkruan Portalb.mk.
Këtë e konfirmoi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti kur u pyet nga Portalb.mk se pse ende nuk është nënshkruar marrëveshja me kompaninë Italiane “TechnoAlpin” dhe nëse ka dështuar ky projekt.
“Jo, domethënë kanë rifilluar bisedimet nëse flasim për të njëjtën kompani, ka të interesuar edhe kompani tjera, po bëjmë edhe si Qeveri e kemi në prioritetet tona që Kodra e Diellit të jetë një ndër vendet më atraktive turistike në vendin tonë dhe mendoj se do të ketë rezultate konkrete së shpejti”, tha Mexhiti.
Nga Ministria e Mjedisit kërkuam më tepër detaje, por pavarësisht se na konfirmuan se do të përgjigjen, përgjigje nuk morëm.
Nga ana tjetër shërbimi për shtyp i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut barrën dhe përgjegjësinë e hodhën te Qeveria paraprake.
“Nga informacionet që kemi, mund të konstatohet se qeveria e mëparshme nuk ka bërë asgjë për këtë projekt. Në krye të këtij projekti ishte Kabineti i Naser Nuredinit. Nuk ka asnjë gjurmë se çfarë ndodhi më pas. Na vjen keq që situata me të gjitha projektet është e tillë”, thanë nga Qevria e RMV-së.
Por të pyetur se çfarë do të bëjnë ata si Qeveri e re lidhur me këtë projekt, nga Qeveria heshtin.
Deputeti i Kuvendit të RMV-së nga LSDM-ja dhe ish kryetar i Komisionit për Investime Strategjike në përbërjen e kaluar qeveritare, Fatmir Bytyqi për Portalb.mk para disa kohësh theksoi se projekti nuk arriti finalizohet para zgjedhjeve.
“Negociatat nuk arritën të finalizohen para se të shpallen zgjedhjet. Prandaj nuk vazhdoi. Të gjitha dokumentet janë në Qeveri. Nuk është anuluar, nuk ka vendim të tillë. Nëse vazhdojnë negociatat varret nga Qeveria e re”, pati thënë Bytyqi.
Që ky projekt po zvarritet e konfirmuan edhe nga kompania italiane “TechnoAlpin”.
“Ende nuk ka ndonjë të re të rëndësishme që mund të ndajmë në lidhje me projektin. Do të jemi të lumtur të ju informojmë sapo të ketë ndonjë ndryshim në këtë drejtim”, theksuan nga TechnoAlpin.
TechnoAlpin” në dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove.
Në lidhje me këtë projekt autoritetet kanë premtuar shumë, megjithatë negociatat ende nuk kanë marrë epilog dhe deri më tani nuk është arritur të nënshkruhet marrëveshja.
Kodra e Diellit për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.
Këtë fundjavë me rënien e borës u shtua edhe numri i vizitorëve, ndërkaq të gjitha problematikat dolën në sipërfaqe ndërsa qytetarët kanë vijuar të shprehin pakënaqësitë e tyre në rrjetet sociale.
- LEXO: Abdulgani Aliji: Kodra e Diellit ka borxhe dhe probleme me infrastrukturën e ski-ashensorëve që tentojmë t’i menjanojmë para fillimit të sezonit
- LEXO: Kodra e Diellit nuk është prioritet për Qeverinë e re, nuk tregojnë pse zvarritet investimi italian
- LEXO: Qeveria e re nuk ia ka “haberin” investimit italian në Kodrën e Diellit, qendra e lënë në mëshirë të fatit
- LEXO: Investimi i harruar për Kodrën e Diellit, zyrtarët nuk e dinë se kur dhe a do të nënshkruhet marrëveshja