ShBA: Zgjedhja e Shekerinskës tregon se të gjithë aleatët kanë interes në të ardhmen e Aleancës

SHBA thotë se zgjedhja e ish-ministres së mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, si zëvendëssekretare e re e përgjithshme e NATO-s, tregon se të gjithë aleatët kanë interes në të ardhmen e Aleancës, pavarësisht se kur vendi është bërë anëtar i NATO-s, transmeton Portalb.mk.  Në një deklaratë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, […]

Nëntor 20, 2024 - 12:00
 0  4
ShBA: Zgjedhja e Shekerinskës tregon se të gjithë aleatët kanë interes në të ardhmen e Aleancës
Radmila Shekerinska. Foto nga rrjeti i saj social X (Twitter)

SHBA thotë se zgjedhja e ish-ministres së mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, si zëvendëssekretare e re e përgjithshme e NATO-s, tregon se të gjithë aleatët kanë interes në të ardhmen e Aleancës, pavarësisht se kur vendi është bërë anëtar i NATO-s, transmeton Portalb.mk. 

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, Departamenti i Shtetit përshëndeti njoftimin e Sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte për emërimin e Shekerinskës.

“Përzgjedhja e saj si Zëvendës Sekretare e Përgjithshme nënvizon se si të 32 aleatët kanë një aksion në të ardhmen e Aleancës dhe ofrojnë udhëheqje thelbësore, pavarësisht se kur vendi i tyre u bashkua me NATO-n”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Rutte njoftoi zgjedhjen e Shekerinskës në faqen zyrtare të Aleancës së NATO-s, duke thënë se “ajo beson vërtet në NATO, e di punën që duhet për t’u bashkuar me Aleancën dhe çfarë do të thotë të jesh një anëtare e plotë”.

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse Shtetet e Bashkuara presin që zgjedhja e Shekerinskës të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut, si anëtarë të NATO-s, Departamenti i Shtetit u përgjigj:

“SHBA vlerëson partneritetin tonë të sigurisë me Maqedoninë e Veriut si një aleat të fortë të NATO-s. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO forcon sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe e gjithë Aleanca do të përfitojë nga përvoja dhe ekspertiza e ministres Shekerinska.

Shekerinska do ta marrë këtë post në fund të këtij viti.

Në rrjetin social X ajo ka shkruar se është privilegj për të që të shërbente si zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s.

“Jam e përkushtuar të punoj me të gjithë aleatët drejt një Aleance edhe më të fortë dhe më të sigurt”, ka shkruar Shekerinska.

Zgjedhja e saj u mirëprit nga profesorë, politikanë aktualë dhe të dikurshëm, ambasadorë, ndër të cilët edhe ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler.

“Urimet e mia më të ngrohta për Radmilla Shekerinskën, zëvendëssekretaren e re të përgjithshme të NATO-s, dhe Hristijan Mickoskin dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e kandidaturës së saj. Një konfirmim i fuqishëm i ekspertizës dhe përvojës së Shekerinskës dhe i rolit të Maqedonisë së Veriut si partner i çmuar në NATO dhe SHBA”, ka shkruar Ageler në rrjetet sociale.

Shekerinska ka shërbyer më parë si zëvendëskryeministre për integrimin evropian dhe ministre e mbrojtjes, përfshirë kur vendi u bashkua me NATO-n në vitin 2020.

Zgjedhja e saj, përbën zyrtaren më të lartë të NATO-s deri më tani nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe nga një vend që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian.