ShGM: Më në fund u nda drejtësi për gazetaren Dushica Mërgja për ngjarjet e 27 Prillit në Kuvend

Gjykata Themelore Civile – Shkup ka marrë aktgjykim në favor të gazetares Dushica Mërgja, e cila u sulmua gjatë kryerjes së detyrës më 27 prill 2017 në Kuvendin e Shkupit. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) thotë se simboli i mosndëshkimit për sulmet ndaj gazetarëve, liria e fjalës dhe e drejta e informimit të qytetarëve, […]

shtator 4, 2024 - 21:00
 0  6
ShGM: Më në fund u nda drejtësi për gazetaren Dushica Mërgja për ngjarjet e 27 Prillit në Kuvend
Dushica Mrgja. Foto: SHGM

Gjykata Themelore Civile – Shkup ka marrë aktgjykim në favor të gazetares Dushica Mërgja, e cila u sulmua gjatë kryerjes së detyrës më 27 prill 2017 në Kuvendin e Shkupit. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) thotë se simboli i mosndëshkimit për sulmet ndaj gazetarëve, liria e fjalës dhe e drejta e informimit të qytetarëve, dita që në opinion njihet si e enjtja e zezë – 27 prilli, më në fund pas shtatë vjet merr drejtësi të pjesshme për gazetarët, transmeton Portalb.mk.

“Ky vendim dërgon një mesazh të qartë se dhuna ndaj gazetarëve nuk duhet toleruar dhe se drejtësia duhet të vendoset. Gjykata, përmes këtij aktgjykimi, njeh rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve dhe lirisë së shprehjes si themelet bazë të një shoqërie demokratike. Vendimi është një hap i rëndësishëm përpara në luftën kundër kërcënimeve dhe presioneve ndaj punonjësve të medias”, njoftoi ShGM.

Ata thonë se gjatë shtatë viteve të fundit, në vend që organet e drejtësisë të bënin punën e tyre, disa nga gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët e kërkuan drejtësinë vetë nëpër korridoret e gjykatës, të ndihmuar nga avokatët e ShGM-së.

Në aktgjykimin për rastin e gazetares Mërgja, e cila ishte në mesin e gazetarëve të sulmuar gjatë depërtimit në Kuvend, thuhet se i pandehuri (Republika e Maqedonisë së Veriut) është i obliguar ta dëmshpërblejë atë në bazë të kompensimit për dëm jo material për shkak të frikës së pësuar, si dhe për shkak të dëmtimit të së drejtës së lirisë së shprehjes.

“Kujtojmë se pas sulmit, kolegia Mërgja ishte gazetarja e parë që dha deklaratë në Prokurorinë Publike, pas së cilës sulmuesi nuk u identifikua dhe nuk kishte asnjë procedurë për të. Për ta bërë ironinë edhe më të madhe, disa nga sulmuesit e deputetëve jo vetëm që u identifikuan, por disa prej tyre u dënuan dhe disa u amnistuan”, tha ShGM.

Edhe gazetarë të tjerë kanë procedurë në vazhdim për këtë rast. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë thotë se me vite u bën thirrje institucioneve kompetente që të hetojnë seriozisht dhe me efikasitet të gjitha sulmet ndaj gazetarëve dhe të ndëshkojnë përgjegjësit.

Kujtojmë se nga dhuna e 27 prillit në Kuvend, u lënduan mbi 100 persona në mesin e tyre edhe deputetë dhe gazetarë. Ndër deputetët më së shumti që kanë qenë të lënduar ka qenë Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, Zoran Zaev i LSDM-së, Oliver Spasovski dhe deputetë të tjerë të LSDM-së.