Shkollat në Strugë me drejtorë të paligjshëm, seancë gjyqësore për emërimet e Merkos

Prokurorët edhe në gjykimin e sotëm mbrojtën tezën së në shkollat fillore të Strugës dhe të rajonit, drejtorët janë emëruar në mënyrë joligjore nga ana e kreut të Komunës, Ramiz Merko. Kumrisha Hani, sekretare në shkollën “Zini Hani” në Veleshtë, në cilësinë e dëshmitares, tha se ish drejtoresha e përkohshme, Egzona Shei, para se të […]

tetor 1, 2024 - 22:00
 0  6
Shkollat në Strugë me drejtorë të paligjshëm, seancë gjyqësore për emërimet e Merkos
Ramiz Merko, kryetari i Komunës së Strugës. Foto nga Ramiz Merko (Facebook)

Prokurorët edhe në gjykimin e sotëm mbrojtën tezën së në shkollat fillore të Strugës dhe të rajonit, drejtorët janë emëruar në mënyrë joligjore nga ana e kreut të Komunës, Ramiz Merko. Kumrisha Hani, sekretare në shkollën “Zini Hani” në Veleshtë, në cilësinë e dëshmitares, tha se ish drejtoresha e përkohshme, Egzona Shei, para se të emërohej në atë post për 3 vjet e gjysmë ka punuar si mësuese e frëngjishtes, por pa përfunduar shkollimin, raportoi Alsat.

“Për shkak se nuk kishte staf të përshtatshëm, ne e morëm atë me arsim të mesëm. Kur u bë u.d. drejtor, unë nënshkrova vërtetimin se kishte pesë vjet përvojë pune nën presionin e Egzona Sheit. Por, unë dhe familja ime ishim nën presion të vazhdueshëm. E kam denoncuar dy herë në polici, dhe në inspektoratin e punës. Nuk më linte të punoja, nuk më lejonte të publikoj shpallje publike për punësim dhe ma merrte e kontrollonte telefonin tim celular”, tha Kumrisha Hani-dëshmitare.

Për shkak të mungesës së stafit në këtë shkollë, ka pasur edhe raste të tjera të punësimit me arsim të mesëm. Inspektorja e arsimit Violeta Xhuteska tha se pas një parashtrese nga 13 mësues, ajo kreu mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektimi.

“Erdhëm në përfundim se personi i emëruar për ushtrues detyre drejtor nuk i plotëson kushtet jo vetëm për mësimdhënës, por edhe për drejtor, gjithashtu kryetari i komunës nuk ka vepruar në pajtim me ligjin, gjegjësisht brenda pesë ditëve nuk ka marrë vendim që bordi i shkollës të publikojë shpallje për zgjedhjen e drejtorit”, theksoi Violeta xhuteska – Inspektore e Arsimit.

Prokuroria Publike dyshon se Shei ka bashkangjitur 3 dokumente të falsifikuara të cilat i ka përdorur për dhënien e provimit profesional në Qendrën Shtetërore të Provimeve.  Propozimi i prokurorisë kundër Merkos u dorëzua edhe për shkak të emërimit të u.d. drejtores në Shkollën Fillore “Murat Llabunishti”, në Llabunisht dhe në shkollën e fshatit Podgorc.

Por avokati i Merkos, Igor Petkovski, tha se edhe në seancën e sotme doli në pah se Merko nuk ka kryer vepër penale. Ish ministri i Arsimit Jeton Shaqiri do të thirret në seancën e ardhshme si dëshmitar.

Ndryshe,Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, është i akuzuar për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në shkollat ​​fillore në fshatrat Podgorcë, Llabunishtë dhe Veleshtë dhe në “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë. Janë bashkuar tri lëndë, ndërsa për shkollën në Veleshtë është duke u zhvilluar një lëndë e veçantë për shkak se ka më shumë të pandehur, të cilët akuzohen për “Punë e papërgjegjshme në shërbim”, e disa prej tyre ndiqen edhe për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”.

20 qershor 2023 Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon. Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.