Shporta minimale për muajin shkurt në RMV arriti në 63.773 denarë, është rritur për mbi 500 denarë nga janari
Për të përballuar shpenzimet bazë, një familje prej katër anëtarësh në shkurt të këtij viti i nevojiten 63.773 denarë. Sipas llogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), vlera e shportës minimale sindikale për muajin aktual është 521 denarë më e lartë se në janar, kur ishte 63.252 denarë, transmeton Portalb.mk. “Me një banesë me […]


Për të përballuar shpenzimet bazë, një familje prej katër anëtarësh në shkurt të këtij viti i nevojiten 63.773 denarë. Sipas llogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), vlera e shportës minimale sindikale për muajin aktual është 521 denarë më e lartë se në janar, kur ishte 63.252 denarë, transmeton Portalb.mk.
“Me një banesë me qira prej 60 metrash katrorë arrin në 79.148 denarë”, shtoi LSM.
Shumica e shpenzimeve shkojnë për ushqim dhe pije, gjegjësisht sipas llogaritjes së LSM-së 23.427 denarë.
Për të paguar qiranë, ujin, rrymën dhe ngrohjen, një familje katër anëtarëshe në shkurt të këtij viti duhet të ndajë 6.096 denarë nga buxheti i saj. 5.800 denarë për veshmbathje dhe këpucë, 2.195 denarë për higjienë personale dhe për mbajtjen e higjienës në shtëpi, 1.135 denarë për shëndet dhe 4.844 denarë për transport.
“Për komunikime një familje katër anëtarëshe në shkurt të këtij viti i nevojiten 3.417 denarë, për rekreacion dhe kulturë 4.592 denarë, për arsim 7.036 denarë, për restorante dhe hotele 4.131 denarë dhe për mallra dhe shërbime tjera 1.100 denarë. Nëse jetojnë në banesë me qira, u nevojiten edhe 21.471 denarë shtesë”, thekson Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Shporta minimale sindikale në janar të këtij viti ishte 63.252 denarë.
Nga sot ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për ngrirjen e marzheve në 102 grupe produktesh, pra mbi 1000 produkte me pakicë dhe shumicë. Qëllimi i këtij vendimi, siç deklaroi dy ditë më parë zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, është mbrojtja e standardit jetësor të qytetarëve, gjegjësisht zvogëlimi i kostos së jetesës në shportën e konsumatorit.
Pritjet e Qeverisë janë që çmimet e produkteve ushqimore bazë që përmban vendimi të ulen mesatarisht 10 përqind.