Si do të përmirësohet rruga e RMV-së drejt BE-së?

Analizë për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane. Gjatë viteve të gjata të “afrimit me BE-në”, rruga jonë jo vetëm ka qenë gjarpëruese, por edhe ka pësuar ndryshime. Pas ndryshimeve domethënëse me Strategjinë e re të zgjerimit, kushteve të reja bilaterale, kontekstit të ri gjeopolitik dhe shteteve të reja tashmë negociuese , Ukraina dhe […]

qershor 29, 2024 - 09:00
 0  8
Si do të përmirësohet rruga e RMV-së drejt BE-së?
Flamuri i Maqedonisë së Veriut (RMV) dhe i Bashkimit Evropian (BE). Foto: MarkRubens në Canva

Analizë për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Gjatë viteve të gjata të “afrimit me BE-në”, rruga jonë jo vetëm ka qenë gjarpëruese, por edhe ka pësuar ndryshime.

Pas ndryshimeve domethënëse me Strategjinë e re të zgjerimit, kushteve të reja bilaterale, kontekstit të ri gjeopolitik dhe shteteve të reja tashmë negociuese , Ukraina dhe Moldavia, por edhe me konstelacione të reja politike, si në BE ashtu edhe në vend, lindin dilema të reja. Dilema kryesore është: do të kemi situatë fituese (win=win) apo situatë humbëse (loose – loose). Deri më tani gjendja ka qenë lose-lose: lëshime të palejueshme ndaj fqinjëve, kthim pas në reforma.

Problemi themelor i procesit të integrimit evropian mbetet humbja e kredibilitetit të tij, si nga ana e BE-së ashtu edhe brenda vendit. Prandaj, sfida kryesore për procesin e integrimit evropian është pikërisht rikthimi i kredibilitetit të tij. Kjo nuk është aspak një detyrë e lehtë, aq më tepër që Maqedonia është vetëm një pjesë e barazimit.

Nëse narrativi i deritanishëm “vetëm edhe ndryshimi i Kushtetutës dhe deri në vitin 2030 do të hyjmë në BE” ishte i rrejshëm dhe i dëmshëm, po aq i dëmshëm mund të jetë edhe narrativi “anëtarësimi në BE është larg, kështu që ka vend për devijime nga standardet evropiane“. Po aq i dëmshëm mund të jetë edhe monopolizimi në ndërtimin e një strategjie të re të politikës së jashtme, si dhe një strategjie të re për integrimin evropian, të cilat definitivisht janë të domosdoshme.

Qeveria e re, e cila jashtë vendit kryesisht perceptohet si e udhëhequr nga “nacionalistët”, padyshim që nuk do ta ketë luksin të marrë veten dhe të rregullojë ngadalë atë që mund të rregullohet, por do të duhet t’i përgjigjet menjëherë sulmeve të shumta dhe tashmë të orkestruara nga fqinjët për shkelje të marrëveshjeve bilaterale, përmes të cilave kushtet bilaterale e dominuan plotësisht procesin e integrimit evropian. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që këtë ta bëjë në një mënyrë që do të kuptohet dhe vlerësohet nga partnerët e saj në BE dhe NATO, si dhe në rajon. Ndryshimi i mënyrës së zhvillimit të dialogut është padyshim një nga imperativët për Qeverinë e re, por në këtë situatë (të pritshme) kjo vetëm sa bëhet një detyrë më urgjente.

Një pritje e tillë “e nxehtë” në fillim të mandatit e vështirëson skenarin e dëshiruar që marrëveshjet bilaterale të mos jenë tema dominante e agjendës për BE-në, por të jenë reformat. Flasim për reforma që gjithsesi duhet të jenë të motivuara dhe të udhëhequra në nivel kombëtar, por edhe të drejtuara kah konvergjenca normative dhe ekonomike me BE-në. Është e lehtë për t’u thënë, por shumë më e vështirë për t’u bërë, sidomos në një situatë ku procesi i krijimit të politikave jo vetëm që nuk po avancohej, por në një masë të madhe po kthehej pas.

Nga qeveria e re priten rezultate, por gjithashtu pritet që ajo t’i arrijë ato përmes një procesi vendimmarrjeje të politikave shumë më cilësor që do të jetë transparent, i përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës, ​​jo përjashtues. Dhe i cili do të ndërtojë institucione kombëtare, e nuk do t’i partizojë e monopolizojë edhe më shumë. Kuptohet që si pjesë e këtij procesi pritet që edhe transpozicionimi i të drejtës të BE-së të jetë mirë i planifikuar dhe metodologjikisht konsistent.

Kjo sigurisht që do të nënkuptojë-pa ngjitje të flamurit evropian “sipas nevojës”. Pa një cilësi më të lartë të procesit të vendimmarrjes, do të jetë e pamundur të realizohen reformat pro-evropiane të premtuara para zgjedhjeve, duke përfshirë edhe një efikasitet më të madh në përdorimin e fondeve të huaja – sidomos ato nga BE-ja.

Përkushtimi real i Qeverisë për reforma, veçanërisht reformat me prioritet të BE-së në fushën e sundimit të ligjit, do të shihet së shpejti. Një ndër testet e para do të jetë Strategjia e e sistemit gjyqësor dhe nëse do të ketë ndryshime të ndryshimeve në Kodin Penal që u bënë vitin e kaluar. Fakti që këto tema të nxehta janë në duart e partnerëve të koalicionit nuk e zvogëlon përgjegjësinë e gjithë Qeverisë. Përkundrazi.

Shndërrimi i Sekretariatit për Çështje Evropiane në Ministri nuk është një ndryshim premtues. Me sa duket ndryshimi është më shumë rezultat i një marrëveshjeje politike dhe pragmatizmi, sesa një përpjekje për avancim real të organit qeveritar përgjegjës për koordinimin e politikave evropiane, i cili logjikisht ishte i pozicionuar në qendër të saj. Nga aspekti organizativ megjithatë është çështja e fuqisë dhe kapacitetit real të tij, që fatkeqësisht me kalimin e viteve ka rënë. Në planin “organizativ” testi i radhës është ngritja e një strukture negociuese më racionale dhe më efikase.