Si mund të aplikojnë studentët e vitit të parë në thirrjen për vakte të subvencionuara?

Po vijon aplikimi për thirrjen për vaktet e subvencionuara për studentët për vitin akademik 2024-2025. Thirrja zgjat deri më 5 shtator dhe në të, përveç studentëve aktualë, mund të aplikojnë edhe studentët potencialë të vitit të parë, pra ata që ndërkohë do të aplikojnë për regjistrim në vitin e parë në fakultete, njoftojnë nga Ministria […]

gusht 28, 2024 - 09:00
 0  9
Si mund të aplikojnë studentët e vitit të parë në thirrjen për vakte të subvencionuara?
Racion i subvencionuar i studentëve. Foto ilustrim: Meta.mk

Po vijon aplikimi për thirrjen për vaktet e subvencionuara për studentët për vitin akademik 2024-2025. Thirrja zgjat deri më 5 shtator dhe në të, përveç studentëve aktualë, mund të aplikojnë edhe studentët potencialë të vitit të parë, pra ata që ndërkohë do të aplikojnë për regjistrim në vitin e parë në fakultete, njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Për ata, në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë, deri më 20 shtator do të verifikohet nëse janë pranuar si studentë të rregullt.

Në këtë thirrje, e cila zgjat deri më 5 shtator, është e nevojshme që të aplikojnë edhe studentët e ardhshëm të vitit të parë që të mund t’i marrin mjetet për vaktet e subvencionuara të studentëve që nga fillimi i vitit akademik, pra nga data 1 tetor.

Çfarë është “vakti i subvencionuar për studentë”?

Vakti i subvencionuar për studentë paraqet mbështetje financiare në shumë prej 140 denarë në ditë të cilat studenti i merr nga shteti përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për blerjen e ushqimeve.

Të drejtë për vakte të subvencionuara kanë të gjithë studentët e rregullt – shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët nuk janë në një marrëdhënie të rregullt pune, nuk janë të regjistruar si bujq individualë dhe nuk kanë të ardhura mujore mbi asnjë bazë më të madhe se paga minimale neto në vitin aktual.

Të drejtë për vakte të subvencionuara kanë të gjithë studentët që i plotësojnë kushtet e mësipërme, pa dallim nëse studiojnë në universitet shtetëror apo privat.

Të drejtë për vakte të subvencionuara, nga ana tjetër, nuk kanë studentët me korrespodencë.

Si të aplikoni në thirrjen për vakte të subvencionuara për studentët?

Aplikimi realizohet në formë elektronike përmes portalit “е-uslugi“ të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Pasi studenti të jetë lajmëruar në llogarinë ekzistuese të përdoruesit, ose pasi të ketë hapur një llogari të re të përdoruesit, aplikacionet mund t’i gjejë në faqen e parë në rubrikën Konkurse – Arsim“. Për çdo universitet është publikuar një thirrje e veçantë. Studenti i ardhshëm duhet të aplikojë në thirrjen për universitetin në të cilin dëshiron të regjistrohet.

Në aplikacion duhet të plotësohen të dhëna si emri, mbiemri, numri i vetëm amzë i qytetarit, adresa e banimit, numri i letrës së njoftimit, numri i telefonit etj.

Studentëve u kërkohet gjithashtu të shënojnë edhe numrin e llogarisë rrjedhëse e cila është aktive deri në fund të vitit aktual. Në këtë fushë studentët mund të shënojnë cilën do llogari rrjedhëse që është në emrin e tyre, në cilën do bankë.

Gjatë aplikimit, studentët doemos duhet t’i plotësojnë dhe t’i nënshkruajnë këto dy dokumente Fletëparaqitje për marrjen e të drejtës për racion të subvencionuar për studentë dhe Deklaratë për saktësinë e të dhënave të shënuara në fletëparaqitje për marrjen e të drejtës për racion të subvencionuar për studentë (që mund të zbriten në këto dy linqe).

Në Fletëparaqitje dhe në Deklaratë studentët e ardhshëm të vitit të parë nuk kanë nevojë të shënojnë numrin e indeksit sepse ende nuk janë studentë të rregullt, këtë fushë ata mund ta lënë të paplotësuar.

Këto dy dokumente mund të jenë të printuara, të nënshkruara e pastaj të skenuara, edhe pse pranohen edhe dokumente të cilat janë plotësuar dhe nënshkruar në formë elektronike.

Është e rëndësishme që studentët të plotësojnë të dhëna të sakta, sepse MASH i siguron të gjitha dëshmitë e tjera për plotësimin e kushteve, e të cilat i posedon Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Agjencia për Punësim (APRM), Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) dhe shërbimet studentore të fakulteteve.

Çfarë duhet bërë pas aplikimit?

Statusin e aplikacionit çdo student i vitit të parë ardhshëm i mund ta ndjekë në rubrikën “Aplikacionet e mia” në “e-uslugi”. Pasi MASH-i ta ketë miratuar aplikacionin, statusi i tij nga “Valid” do të ndryshojë në “I pranuar”.

Pas kësaj, studentët e vitit të parë duhet të presin informacion nga Shparkase Banka – banka që është përgjegjëse për zbatimin e masës së vakteve të subvencionuara për studentët, për atë se si dhe në çfarë mënyre t’i marrin kartelat speciale me ndihmën e të cilave do të mund të blejnë ushqim.

Banka do t’i njoftojë studentët e vitit të parë se si t’i azhurnojnë të dhënat e tyre dhe kur mund të nënshkruajnë një marrëveshje për hapjen e llogarisë dhe të marrin kartelat e dedikuara blu.

Mbështetja financiare prej 140 denarësh është e dedikuar për blerjen e ushqimit, e studenti mund ta shfrytëzojë atë nga e hëna deri të shtunën, tek persona juridikë që prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqim, gjegjësisht në restorante, furra buke, fast food-e, markete dhe dyqanet lokale që pranojnë pagesa me terminale POS.

Studentët do mund të blejnë ushqim ekskluzivisht përmes kartelave bankare blu nga Shparkase Banka. Paratë do t’i marrin në bazë javore, në ditën e parë të punës të javës (do të marrin 840 denarë për tërë javën – nga 140 denarë për 6 ditë).

Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi se çdo muaj, nga data 1 deri më datën 5, do të publikohen thirrje të reja për vakte të subvencionuara për studentë për të gjithë studentët që nuk e kanë realizuar këtë të drejtë më parë. Kjo do të thotë se thirrja e radhës do të publikohet nga data 1 deri më 5 tetor.

Kushtet dhe kriteret për realizimin e të drejtës për vakt të subvencionuar për studentë janë të specifikuara në konkursin të cilin mund ta gjeni në këtë link.

Çdo student-aplikant i cili ka nevojë për mbështetje gjatë aplikimit për të drejtën e vaktit të subvencionuar për studentë mund të kontaktojë Sektorin për standardin e nxënësve dhe të studentëve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës përmes kontaktit në vijim: [email protected] ose në zyrën e dedikuar në katin përdhes në godinën e Ministrisë.