Siljanovska porosi Frontit Evropian: Nuk ka dy fitues në zgjedhje, ka vetëm një
Ndërsa partitë janë në fund të bisedimeve për koalicionim qeveritar, vijon të rrjedh afati 10 ditor që presidentja e shtetit t’ia japë mandatin Hristijan Mickoskit, i cili më pas, në afat prej 20 ditësh do të duhet ta formojë qeverinë. Presidentja Siljanovska, tha se mandatin, do ta japë brenda afatit kushtetues. “Për fat të mirë, […]
Ndërsa partitë janë në fund të bisedimeve për koalicionim qeveritar, vijon të rrjedh afati 10 ditor që presidentja e shtetit t’ia japë mandatin Hristijan Mickoskit, i cili më pas, në afat prej 20 ditësh do të duhet ta formojë qeverinë. Presidentja Siljanovska, tha se mandatin, do ta japë brenda afatit kushtetues.
“Për fat të mirë, mendoj se nuk do të kem problem të madh, pasi disi qetë rrjedhin punët, shumica tanimë është e dukshme, që do të thotë se në kuadër të këtyre 10 ditëve, sipas të gjitha gjasave, mundet edhe më herët. Dhe më pas, e dini që në periudhë prej 20 ditësh do të duhet që mandatari të dalë me përbërjen e qeverisë”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova, presidente.
Për pakënaqësinë e Frontit Evropian dhe kreut të BDI-së, të cilët, nuk do të jenë pjesë e qeverisë, Siljanovska Davkova thotë se Kushtetuta parasheh një fitues në zgjedhje, të cilit, mund t’i jepet mandati.
“Më vjen shumë keq që e kam patjetër t’i zhgënjej, megjithatë si konstitucionaliste, unë e lexoj atë që shkruan në Kushtetutë. Nuk ka dy fitues në zgjedhjet, ka një fitues. Ai i zgjedh partnerët e koalicionit, kuptohet se është politike, etnike dhe e shëndoshë për demokracinë të kyçni në qeveri parti shqiptare dhe atë, mandatari, tanimë siç e pamë do ta bëjë. Megjithatë, tezat tjera, të tipit, të shumicës, pakicës, absolutisht nuk qëndrojnë”, tha Gordana Siljanovska Davkova, presidente.
Në ndërkohë, vazhdojnë dhe diskutimet e fundit në lidhje me formimin e qeverisë. Nga VLEN, thonë se po përpiqen që të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse koalicionimi me harmonizim programor, por edhe kadrovik.
“Për çdo ditë po e rrisim nivelin e besimit të ndërsjellë dhe procesi i negociatave vazhdon të zhvillohet me vullnet të mirë dhe intensitet të lartë. Ne mbetemi të hapur për bashkëpunim edhe me parti të tjera politike dhe individë të cilët ndajnë qëllime të njëjta programore. Ne i mbajmë dyert hapura dhe si partner aktiv ndikojmë dhe punojmë për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse për formim sa më të shpejtë të Qeverisë”, thonë nga VLEN.
Edhe nga Lëvizja ZNAM theksojnë se po vazhdojnë bisedimet për hyrjen e tyre në qeveri, ndërkaq për detaje, kryetari Maksim Dimitrieski thotë se duhet të pritet që Mickoski ta marrë mandatin.
“Ne sipas Kushtetutës dhe ligjeve presin që mandatari ta marrë mandatin për formimin e qeverisë së ardhshme dhe tani të zyrtarizohen bisedimet dhe negociatat. Të konfirmohet ajo që deri më tani është biseduar dhe jemi marrë vesh. Ne mbetemi në platformën tonë, në pajtueshmëri me atë që e kemi kërkuar në zgjedhjet dhe do të vazhdojmë gjithsesi si participues i ardhshëm në qeveri, nëse kemi harmonizim të plotë. Se si do të jetë periudha, ajo do të varet prej vetë mandatarit”, deklaroi Maksim Dimitrievski, kryetar i Lëvizjes ZNAM.
Derisa partitë finalizojnë me detajet, gjatë ditës së djeshme, Izet Mexhiti tha se pret që 3-4 deputetë nga Fronti Europian t’i bashkohen shumicës parlamentare. /Alsat.mk