Skejtparku në Tetovë dita-ditës po shkatërrohet, komuna në gjumë
Ndonëse është një ndër të paktat pika rekreative në Tetovë, Skejtparku me vite të tëra nuk mirëmbahet nga autoritetet komunale. Ky park dita-ditës po shkatërrohet dhe e ka humbur shkëlqimin që e kishte kur u ndërtua. Aty tani shihen lloj-lloj mbetjesh dhe papastërtish, ndërsa Komuna e Tetovës hesht, shkruan Skejtparku në Tetovë dita-ditës po shkatërrohet, […]
Ndonëse është një ndër të paktat pika rekreative në Tetovë, Skejtparku me vite të tëra nuk mirëmbahet nga autoritetet komunale. Ky park dita-ditës po shkatërrohet dhe e ka humbur shkëlqimin që e kishte kur u ndërtua. Aty tani shihen lloj-lloj mbetjesh dhe papastërtish, ndërsa Komuna e Tetovës hesht, shkruan Skejtparku në Tetovë dita-ditës po shkatërrohet, komuna në gjumë, shkruan Portalb.mk.
Në hapësirat e Skejtparkut me javë të tëra qëndron një grumbull i madh gjërash shtëpiake si tepihë, valixhe, dërrasa dhe të tjera të cilat nuk dihet kush i ka vendosur aty.
Përpos këtyre aty shihen mbeturina nga ambalazhe të ndryshme të derdhura gjithandej, copa qelqi të thyera, shishe dhe të tjera.
Në hyrje gjithashtu janë kontejnerët që në të shumtën e kohës më shumë i ngjajnë një deponie.
Kjo hapësirë për vullnetarët e Qendrës Socio-Kulturore të Tetovës “Space” mbetet vetëm një kujtim i bukur i së kaluarës, pasi vazhdimisht dëmtohet dhe nuk mirëmbahet
Edhe pse muajin e kaluar ata e pastruan, hapësira përsëri është ndotur shumë.
“Është e vërtetë që kushtet e Skatovës nuk janë më të mirat për momentin, edhe pse në ditëlindjen e 6-të të Space Tetova muajin e kaluar morëm një iniciativë pastrimi. Ne u përpoqëm të ngremë vetëdijesimin për ta mbajtur atë të pastër duke vendosur disa tabela për këtë qëllim. Është shumë e trishtueshme që Skatova nuk vlerësohet sa duhet, sepse është e vetmja hapësirë publike që ofron aktivitete për skating”, thanë nga Space Tetova.
Pavarësisht dëmtimit që po i bëhet kësaj pjese, vullnetarët e Space Tetova nuk e kanë në plan të dorëzohen.
Ata thonë se kanë në plan të ndërtojnë një fushë basketbolli dhe gjithashtu organizimin e një koncerti të madh për të mbledhur fonde për të vendosur drita, stola, më shumë rampa për skating, mbjellje pemësh dhe pajisje të tjera për parkun.
Komuna e Tetovës nuk përgjigjet në pyetjet e Portalb.mk se pse nuk e mirëmbajnë këtë park dhe nëse kanë ndonjë plan për rikonstruim të tij.
Në të kaluarën Portalb.mk disa herë ka shkruar për mosmirëmbajtjen e këtij parku, pas së cilës autoritetet komunale kanë vepruar në disa raste.
Ndryshe, Skejtparku u realizua në vitin 2018 nga 45 vullnetarë të organizatës joqeveritare Toestand nga Belgjika, diku 20 nga organizata joqeveritare Termokiss nga Kosova si dhe vullnetarë të organizatës joqeveritare Democracy Lab nga Tetova.
Ky park vazhdimisht ka qenë i lënë pa përkujdesje nga autoritetet.
- LEXO: NPK-ja kositi gjysmën e barit te Skejtparku pas lajmit të Portalb
- LEXO: Kuajt përsëri kullotin në Skejtparkun e Tetovës, NPK tre javë nuk e ka kositur barin (VIDEO)
- LEXO: Pas lajmit të Portalb, NPK-ja kositi barin te Skejtparku
- LEXO: Kuaj dhe gomerë kullotin në Skejtparkun e Tetovës, NPK nuk e ka kositur barin (VIDEO)