Sot në Kuvendin e RMV-së do të mbahet debat publik, do të prezantohet Agjenda e Reformave të Qeverisë

Komisioni për Çështje Evropiane sot (8 nëntor) 2024 me fillim në orën 14:30 në Sallën “Boris Trajkovski” në ndërtesën e Kuvendit, do të mbajë mbledhje ku do të prezantohet Agjenda e Reformave e Qeverisë (2024-2027) që i referohet Planit të Rritjes së Komisionit Evropian, transmeton Portalb.mk. Agjenda e Reformave i thekson angazhimet e shtetit për […]

Nëntor 8, 2024 - 11:00
 0  5
Sot në Kuvendin e RMV-së do të mbahet debat publik, do të prezantohet Agjenda e Reformave të Qeverisë
Kuvendi, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Komisioni për Çështje Evropiane sot (8 nëntor) 2024 me fillim në orën 14:30 në Sallën “Boris Trajkovski” në ndërtesën e Kuvendit, do të mbajë mbledhje ku do të prezantohet Agjenda e Reformave e Qeverisë (2024-2027) që i referohet Planit të Rritjes së Komisionit Evropian, transmeton Portalb.mk.

Agjenda e Reformave i thekson angazhimet e shtetit për zbatimin e suksesshëm të reformave të domosdoshme për të përmirësuar standardet në fushat e tilla si sundimi i së drejtës, reforma e administratës dhe tranzicioni energjetik.

Në mbledhje, fjalime para deputetëve do të mbajnë presidentja Gordana Siljanoska – Davkova, ambasadori i BE-së Mihalis Rokas dhe ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani.

Sa i përket Agjendës reformuese ministri Murtezani për Portalb.mk theksoi se po përgatitet Platformë online për hapat e zbatimit të Agjendës së reformave, por s’dihet kur do të jetë gati

Agjenda e reformës e Maqedonisë së Veriut u miratua më 23 tetor 2024 nga Komisioni Evropian, e njëjta është e orientuar drejt adresimit të sfidave thelbësore që pengojnë konvergjencën socio-ekonomike të vendit me Bashkimin Evropian (BE).

Ky miratim i hap rrugën shfrytëzimit të Fondit për Reforma dhe Rritje të Bashkimit Evropian, fond ku janë planifikuar 6 miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Në prill dhe maj 2024, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive.

750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.