Sot shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit, mësimdhënësit radhisin sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen
Në trevat shqiptare sot shënohet 7 Marsi i njohur ndryshe si Dita e Mësuesit. Në këtë ditë, e cila është një nga më të rëndësishme arsimore dhe kulturore, përmes aktiviteteve të ndryshme përkujtohen mësuesit e parë të shkronjave shqipe si dhe sakrificat dhe sfidat që populli shqiptar përjetoi në këtë drejtim, sakrificave, shkruan Portalb.mk. Por […]


Në trevat shqiptare sot shënohet 7 Marsi i njohur ndryshe si Dita e Mësuesit. Në këtë ditë, e cila është një nga më të rëndësishme arsimore dhe kulturore, përmes aktiviteteve të ndryshme përkujtohen mësuesit e parë të shkronjave shqipe si dhe sakrificat dhe sfidat që populli shqiptar përjetoi në këtë drejtim, sakrificave, shkruan Portalb.mk.
Por si po e gjen ky 7 Mars arsimin në vend dhe profesionin e mësuesit? Për këtë biseduam me profesorin Naser Miftari dhe profesoreshën Hatixhe Rexhepi Etemi.
Ata shprehen se shoqëria nuk e vlerëson mjaftueshëm profesionin e tyre.
Profesori Naser Miftari tha se në këtë datë rilindasit jetësuan punën dhe idealin, dëshirën dhe dashurin e tyre të flaktë për bashkim, vetëdije, liri, pavarësi, hapën dyer e dritare kah bota për të parë me syrin e dijes dhe për tu parë nga ata (bota) po me të njëjtin sy.
“Kohëve të fundit nën ndikimin e fuqishëm të ndryshimeve socio-ekonomike dhe revolucionit digjital, shkolla dhe mësuesi në të i janë nënshtruar një beteje ndër më të rëndat e kohës, ku të gjithë bëjnë, por gishti i akuzës drejtohet kah shkolla dhe mësuesi – arsimi. Jam më se i bindur se edhe këtë betejë, mësuesi me profesionalizmin e tij do e fitoj dhe do të zë vendin e duhur në shoqëri, “mësuesi – shkolla” burim i dijes dhe rrëfyese e popullit”, tha Miftari.
Profesoresha Hatixhe Rexhepi Etemi tha se arsimi ka evoluar dhe teknologjia ka sjellë ndryshime, megjithatë thelbi i punës së tyre mbetet i njëjtë.
“Si profesoreshë, e shoh çdo ditë rëndësinë dhe sfidat e këtij profesioni. Përveç mësimdhënies, ne kemi një rol udhëheqës dhe motivues. Megjithëse arsimi ka evoluar dhe teknologjia ka sjellë ndryshime, thelbi i punës sonë mbetet i njëjtë: të formojmë breza të edukuar dhe të përgjegjshëm. Megjithatë, shpesh mungon vlerësimi i duhur për punën e mësuesve, ndaj shpresoj që shoqëria jonë t’i japë gjithnjë e më shumë rëndësi dhe respekt këtij profesioni fisnik”, tha Rexhepi Etemi.
Ajo shtoi se 7 Marsi për atë është një moment i veçantë, emocionues dhe mirënjohës për çdo mësues dhe veteran të arsimit.
“Ky 7 Mars është mundësi për të nderuar ata që, me dashuri dhe përkushtim, kanë ndihmuar në krijimin e një shoqërie më të fortë dhe më të edukuar. Mësuesit janë ata që formojnë të ardhmen, dhe kjo ditë është një kujtesë se arsimi është themeli i çdo shoqërie të zhvilluar”, tha Rexhepi Etemi.
Profesori Naser Miftari shtoi se në Maqedoninë e Veriut përplasjet e shumta socio-ekonomike dhe në veçanti ato politike, jo mjaftueshëm kanë mundësuar zhvillim të qëndrueshëm, në të gjitha sferat ekonomiko- shoqërore, e në veçanti sferën arsimore.
“Politikat shtetërore në procesin edukativo-arsimor vonuan në kohë, ngecën në përbërje-strukturim dhe pothuajse dështuan plotësisht, duke u bërë pre e politikave ditore. Dëshira dhe dashuria për të qenë në hap me të tjerët, nuk u kuptua mirëfilli nga të gjithë…tentativa reformuese nuk solli të pritura afatgjate por përkundrazi u shndërrua në arenë kundërthëniesh dhe mospajtimesh partiake duke politizuar çdo qelizë dhe ind të saj, edhe pse kishim mundësin për të ndjekur shembuj nga bota e zhvilluar, ne humbëm hapin. Sot kemi vështirë të bëjmë krahasime me shtete tjera. Radhitemi të fundit për nga cilësia e arsimit, në listat ndërkombëtare”, tha Miftari.
Përndryshe, më 7 Mars 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Kjo ngjarje ishte një fitore për popullin shqiptar, pasi deri në atë kohë mësimet mbaheshin në shtëpi private dhe në mënyrë të fshehtë. Kjo shkollë qëndroi e hapur për 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, e të tjerë.
Për nder të kësaj ditë, mbahen aktivitete të shumta, të organizuara nga institucionet shtetërore, organizatat e ndryshme, shkollat dhe të tjera.