Sulmi ndaj policisë në Shkodër, reagon Salianji: Ministri është shpallur në kërkim, u tremb nga gjendja e krimit
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar lidhur me sulmin me armë ndaj efektivëve të policisë në Shkodër, gjatë një aksioni për goditjen e një parcele droge në Repisht të Malësisë së Madhe. Salianji thekson se kush godet autoritetin e shtetit duhet të marrë ndëshkimin më të ashpër! Ndër të tjera, deputeti demokrat ka […]
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar lidhur me sulmin me armë ndaj efektivëve të policisë në Shkodër, gjatë një aksioni për goditjen e një parcele droge në Repisht të Malësisë së Madhe.
Salianji thekson se kush godet autoritetin e shtetit duhet të marrë ndëshkimin më të ashpër!
Ndër të tjera, deputeti demokrat ka ironizuar ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, duke u shprehur se “prej kohësh është shpallur në kërkim e nuk gjendet me sa duket i trembur nga gjendja e krimit dhe i pafuqishëm të ndërhyjë derisa të marrë dakortësinë e bandave, po mbron veten në bunkerët e ministrisë!”
Reagimi i plotë
Plumbat ndaj policisë janë të papranueshme dhe kushdo ngre dorën ndaj policisë, godet autoritetin e shtetit dhe duhet të marrë ndëshkimin më të ashpër!
Ndërkohë duhet thënë se ngjarje të tilla të harruara prej vitesh vijnë për shkak të drejtuesve partiakë të policisë së shtetit dhe përdorimit të segmenteve të policisë që ndihmojnë dhe lehtësojnë krimin, e kriminelët që mbledhin e pjellin vota për pushtetin! Këta drejtues ja kanë ulur autoritetin policisë dhe i kanë vendosur nën darë punonjësit e policisë, nën darën e krimit dhe drejtuesve të policisë të emëruar nga krimi!
Degradimi i rendit dhe sigurisë ka vendosur në alarm gjithë shoqërinë, duhet ndryshim!
Ministri prej kohësh është shpallur në kërkim e nuk gjendet me sa duket i trembur nga gjendja e krimit dhe i pafuqishëm të ndërhyjë derisa të marrë dakortësinë e bandave, po mbron veten në bunkerët e ministrisë!