Takimet e Gashit në Stamboll
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i shoqëruar nga deputetët: Bejxhan Iljas, Nikolla Micevski, Oliver Spasovski, Merita Kollçi Koxhaxhiku dhe Bekim Sali, e vazhdojnë vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë me takime në Stamboll. Delegacioni mori pjesë në Konferencën për hapjen e vitit akademik 2024-2025 në Universitetin Marmara, i cili […]
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i shoqëruar nga
deputetët: Bejxhan Iljas, Nikolla Micevski, Oliver Spasovski, Merita Kollçi Koxhaxhiku dhe
Bekim Sali, e vazhdojnë vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë me takime në Stamboll.
Delegacioni mori pjesë në Konferencën për hapjen e vitit akademik 2024-2025 në
Universitetin Marmara, i cili është një nga universitetet më të vjetra dhe më prestigjioze në
Turqi. Kryetari Afrim Gashi para rektorit, profesorëve dhe studentëve të këtij Universiteti
mbajti ligjëratë me temën: “Marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë në nivel
historik dhe politik, çështjet aktuale në botë”.
Ai u përqëndrua në gjeografinë dhe historinë e përbashkët, arsimin, kulturën dhe ndërtimin e kombit,
gjeopolitikën e përbashkët dhe perspektivat se si mund të duket bota e përbashkët në të ardhmen.
Ai shprehu bindjen se Ballkani do të ribashkohet, jo vetëm si një tërësi gjeografike,
por edhe si një vend kontakti i qytetërimeve, kulturave dhe religjioneve në përmasë më të gjerë,
ku do të mbizotërojë paqja, siguria dhe mirëqenia. Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është
shembull se në këto hapësira mund të ndërtohet bashkëjetesë, duke ndërtuar një shtet dhe
shoqëri me diversitete, por në unitet të tërësishëm.
Në takimin me Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme Ekonomike Turqi-Maqedonia e Veriut,
u diskutua për mundësitë mbi avancimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, që
duhet të ndjekë shembullin e marrëdhënieve të shkëlqyera politike. Kryetari i Kuvendit të
Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gashi, theksoi se institucionet shtetërore po bëjnë
gjithçka që kanë mundësi për të lehtësuar bashkëpunimin ekonomik, ku kontribuon edhe
afërsia gjeografike, lidhjet e mira infrastrukturore dhe linjat direkte të fluturimit midis dy
vendeve. U nënvizua, se është i ndërsjellë angazhimi i dy vendeve për rritjen e shkëmbimit
të përgjithshëm tregtar dhe u shpreh pritshmëria për zgjerimin e interesit të kompanive
turke për të investuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Turqisë, u realizua takim me qytetarë nga
Republika e Maqedonisë së Veriut të cilët qëndrojnë në Stamboll. Kryetari Gashi, theksoi
se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Turqisë janë të lidhura në mënyrë
historike dhe kulturore dhe në këtë aspekt mërgimtarët paraqesin vegël të rëndësishme në
miqësinë e fortë dhe bashkëpunimin e frytshëm midis dy vendeve.