Taravari: 95% punësohen maqedonas dhe vetëm 5% shqiptarë
Gabimin e vetëm që bëmë si VLEN ishte që me VMRO-DPMNE shpejtë u bë koalicionin qeverisës dhe me kusht të vetëm rrugën evropiane. Kjo deklaratë vjen nga kreu i ASH, Arben Taravari i cili para do kohe u largua me partinë e tij nga Qeveria. “Marrëveshja me VMRO-në u bë shpejtë për kaolicionimin dhe funksionimin […]

Gabimin e vetëm që bëmë si VLEN ishte që me VMRO-DPMNE shpejtë u bë koalicionin qeverisës dhe me kusht të vetëm rrugën evropiane. Kjo deklaratë vjen nga kreu i ASH, Arben Taravari i cili para do kohe u largua me partinë e tij nga Qeveria.
“Marrëveshja me VMRO-në u bë shpejtë për kaolicionimin dhe funksionimin e VMRO-VLEN në qeveri. Kushti jonë i vetëm ka qenë fillimi i negociatave me BE për gjashtë muaj, pra deri në Vitin e Ri. Nuk u arrit, por ne dhamë edhe një mundësi dhe biseduam me kryeministrin”, deklaroi Taravari sonte në “Politiko” në Kanal 10 në Kosovë.
Ndërkohë, shtoi Taravari, u largua Balancuesi – një mekanizëm që e mundëson punësimin e shqiptarëve dhe etnive tjera.
“Këtu nuk ishte faji i VELN dhe negociuam me VMRO për një ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ai ligj duhej të sillej diku në nëntor apo dhjetor të 2024-ës. Sot jemi 10 qershor dhe ende ai ligj nuk është sjellë. Ndërkohë, kishim premtime nga kryeministri Mickoski se e kalojmë ligjin për një javë, dy javë sepse ne si ASH kishim material të gatshëm për atë ligj. Arben Fetai dhe Izet Mexhiti kanë negociuar dhe e kanë udhëhequr grupin punues. Por, nuk ndodhi dhe ne dilnim jo serioz para njerëzve. Kur na pyesnin gazetarët se kur e sjellni ligjin, ne duke u bazuar në premtimin e kryeministrit thonim për një ose dy javë. Tash duke ardhur për në Prishtinë e dëgjova se kryeministri ka thënë se së shpejti e vendosim në procedurë parlamentare gjë që më gëzon, por me kusht që ky ligj të dërgohet në Komisionin e Venedikut që do ta vonon ligjin prej 6 deri në 12 muaj”, deklaroi më tej kreu i ASH.
Ndërkohë, ai sqaroi se bëhen punësime nëpër institucione me qindra, dhe proporcioni është diku 5% shqiptarë dhe 95% maqedonas.
“Kjo është skandaloze dhe nëse ne qëndronim më Vlen dhe në Qeveri si do të dilnim më zgjedhjet lokale të cilat janë më 12 apo 19 tetor dhe si do të u thonim qytetarëve të na votojnë?!”, shtoi më tej Taravari.
Taravari: Partitë e VLEN-it janë derivate të BDI-së
I pyetur nëse largimi nga rruga evropiane ka qenë shkak për largimin nga qeveria dhe nëse këtë e ka biseduar me partnerët e koalicionit shqiptarë “Vlen”, Taravari tha se derisa është formuar Qeveria e re në Maqedoni, janë zhvilluar dy procese interesante paralelisht, ndërsa ASH si parti me mbështetje më të madhe në krahasim me partitë e tjera në VLEN, kishte të njëjtin përfaqësim më ekzekutiv.
“Zhvilloheshin paralelisht dy ngjarje, një partia maqedonase VMRO ka 58 mandate në Kuvend, pastaj e marrin edhe një parti maqedonase fraksion nga LSDM që quhet ZNAM me 6 mandate dhe i bënë 64 mandate. Ne si VLEN kishim 14 mandate, pra ai, Mickoski, e kishte shumicën edhe pa shqiptarët. Pastaj e dyta, për herë të parë ndodhte që katër subjekte politike shqiptare të ishin bashkë në Qeveri. Në VLEN përpos ASH-së të gjitha subjektet tjera ishin derivate të BDI-së, ne ishim derivat të PDSH-së. Normalisht unë kisha shumë kritika brenda partisë sepse ne i dhamë frymë Vlenit dhe kishim 5 deputetë, kurse të tjerët bashkë kishin 9 deputetë dhe kritikat në parti i kisha pse ne në ekzekutiv kemi përfaqësim të njëjtë. Pastaj kishim bërë 4-5 anketa brenda 11 muajsh dhe tregonin se ASH është partia më e preferuar te VLENI. Nuk kishim shef të VLEN-it, përpos që kishim katër parti bashkë. Menjëherë pas zgjedhjeve i kam pyetur sepse mua më fuzionoheshte se menjëherë pas zgjedhjeve, por e pash se nuk ka disponim për fuzionim për të krijuar një parti. Unë që atëherë u kam thënë diku në korrik të 2024 nëse nuk fuzionohemi në një parti, atëherë ASH del me lista të veçanta për këshilltar komunal në zgjedhjet lokale. Jo për t’u matur, por thjeshtë ta shohim sa e kemi përkrahjen, pasi këto 107 mijë vota që i kishim të gjithë thonin se janë të fuqishëm, edhe pse ASH në bazë të anketave ishte më e fuqishme. Dhe, çdokush prej tyre e dinte se shkojmë deri në zgjedhje lokale bashkë dhe pastaj ndahemi”, deklaroi Taravari.
Taravari: Nuk jam penduar që isha pjesë e VLEN-it
Kryetar i ASH-së, Arben Taravari ka deklaruar sonte në emisionin “Politiko” në Kanal 10 në Kosovë se nuk është penduar që është bërë pjesë e VLEN-it.
“Shpesh më pyesin nëse jam penduar pse jam bërë pjesë e Vlenit. Absolutisht jo, dhe kam dashur edhe si parti politike, si strukturë dhe si individ që ta sjellim ndryshimin te shqiptarët”, shtoi më tej Taravari.
Sa i takon legjitimitetit, Taravari tha se në VLEN ka pasur vetëm parti politike shqiptare, kurse në koalicionin e udhëhequr nga BDI, ka pasur edhe parti nga etni të tjera në Maqedoni.
