Të dhënat e Maqedonisë së Veriut për të drejtat e njeriut do të shqyrtohen nga grupi i punës i Këshillit të OKB-së

Grupi i Punës së Rishikimit Periodik Universal (RPU) i Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut do të shqyrtojë për herë të katërt të dhënat e Maqedonisë së Veriut në lidhje me gjendjen e të drejtave të njeriut. Ky shqyrtim do të zhvillohet sot, më më 2 maj 2024, gjatë një takimi […]

maj 2, 2024 - 11:00
 0  3
Të dhënat e Maqedonisë së Veriut për të drejtat e njeriut do të shqyrtohen nga grupi i punës i Këshillit të OKB-së
Organizata e Kombeve te Bashkuara (OKB). Foto nga Mathias Reding/Unsplash

Grupi i Punës së Rishikimit Periodik Universal (RPU) i Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut do të shqyrtojë për herë të katërt të dhënat e Maqedonisë së Veriut në lidhje me gjendjen e të drejtave të njeriut. Ky shqyrtim do të zhvillohet sot, më më 2 maj 2024, gjatë një takimi që do të transmetohet drejtpërdrejt në webcast live, transmeton Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut është një prej 14 shteteve që do të rishikohet nga Grupi i Punës RPU gjatë seancës së radhës që do të zhvillohet më datat 29 prill -10 maj.  Rishikimi i parë, i dytë dhe i tretë  RPU i Maqedonisë së Veriut janë zhvilluar në muajin maj 2009, janar 2014, respektivisht janar 2019.

Dokumentet mbi të cilët bazohet rishikimi përfshijnë: 1) raportin kombëtar – informacion që ofrohet nga shteti subjekt i rishikimit; 2) informacionet që përmbajnë raportet e ekspertëve dhe grupeve të të drejtave të njeriut, të cilat njihen si Procedurat e veçanta, Organet e traktateve të të drejtave të njeriut dhe subjekte të tjera të OKB-së; 3) informacione të ofruara nga aktorët e tjerë, duke përfshirë institucionet vendase të të drejtave të njeriut, organizatat rajonale dhe grupet e shoqërisë civile.

Të tre raportet që shërbejnë si bazë për rishikimin e Maqedonisë së Veriut më 2 maj mund të gjenden këtu.

RPU-ja është një proces që përfshin rishikimin periodik të të dhënave në lidhje me të drejtat e njeriut të 193 shteteve anëtare të OKB-së.  Duke u nisur nga takimi i parë për këtë proces i mbajtur në muajin prill 2008, të gjitha 193 shtetet anëtare të OKB-së janë shqyrtuar tre herë. Gjatë ciklit të katërt të RPU-së, shtetet pritet që përsëri t’i bëjnë të ditura hapat që kanë ndërmarrë për të zbatuar rekomandimet e dhëna gjatë shqyrtimeve të mëparshme, të cilat kanë marrë angazhimin t’i zbatojnë, si dhe të theksojnë zhvillimet e fundit në lidhje me të drejtat e njeriut në vend.

Delegacioni i Maqedonisë së Veriut do të kryesohet nga Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme.

Të tre përfaqësuesit e shteteve që do të luajnë rolin e raportuesve (“treshja”) për rishikimin e Maqedonisë së Veriut janë: Shqipëria, Benini dhe Finlanda.

Grupi i Punës RPU pritet të miratojë rekomandimet për Maqedoninë e Veriut prej 15.30 – 18:00, të merkurën më 8 maj 2024.  Shteti subjekt rishikimi mund të dëshirojë të shprehë pozicionet e veta në lidhje me rekomandimet e dhëna gjatë rishikimit.