“Të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre”: Mesazh nga samiti i liderëve të rajonit dhe BE-së
Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor është sinjal i qartë i përkushtimit të Bashkimit Evropian për transformimin ekonomik dhe demokratik të Ballkanit Perëndimor, tha kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së në Kotorr, transmeton Portalb.mk. Këshilli i BE-së miratoi një plan prej gjashtë miliardë eurosh […]
Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor është sinjal i qartë i përkushtimit të Bashkimit Evropian për transformimin ekonomik dhe demokratik të Ballkanit Perëndimor, tha kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së në Kotorr, transmeton Portalb.mk.
Këshilli i BE-së miratoi një plan prej gjashtë miliardë eurosh për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim të përshpejtimit të reformave dhe rritjes ekonomike, nga të cilat dy miliardë janë grante dhe katër janë kredi të buta të garantuara nga BE.
Përveç liderëve nga rajoni, në samit marrin pjesë edhe Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhey dhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien.
O’Brien tha se prioriteti i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor është krijimi i një tregu të vetëm të qarkullimit të parasë, zvogëlimi i kostove, lehtësimi i lëvizjes së tregut dhe krijimi i më shumë vendeve të punës:
“Mesazhet e Planit janë se për secilin pjesëmarrës mesazhi është i qartë – bëni punën tuaj dhe mos kërkoni dikë tjetër të bëjë diçka që duhet ta bëni ju”.
Varheyi tha se Plani i Rritjes nuk është më një draft, por një udhërrëfyes, i cili është i dobishëm për rajonin përpara se të anëtarësohet në BE:
“Për shkak të planit të rritjes dhe intensitetit të ndihmës nga plani ekonomik dhe investues, axhendës së reformave dhe ndihmës financiare shtesë deri në vitin 2027, Ballkani do të jetë gati, ose mund të jetë gati, për hyrjen në BE”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, konfirmoi se janë të përkushtuar ndaj reformave evropiane, duke vlerësuar se për suksesin e krijimit të tregut të përbashkët, është e nevojshme zhbllokimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore.
Xhaferi tha se pavarësisht asaj që Maqedonia e Veriut gjendej në periudhë parazgjedhore, për Qeverinë, euro integrimi ishte prioriteti kryesor dhe ishte e përqendruar në zbatimin e reformave prioritare të cilat janë të rëndësishme për anëtarësimin e shtetit në BE.
“Qeveria që e drejtoj, mbetet e përkushtuar ndaj realizimit të agjendës evropiane, e cila kërkon zbatimin e reformave thelbësore dhe harmonizim me të drejtën dhe standardet e Bashkimit Evropian”.
Në margjinat e takimit të liderëve për Planin e rritjes që mbahet në Kotor, Mali i Zi, Xhaferi, realizoi takim bilateral me të dërguarin special të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Trokaz.
Në takim, u bisedua për rëndësinë e vazhdimit të rrugës evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut në pritje të formimit të Qeverisë së re. Trokazi e theksoi mbështetjen e mëtejshme franceze të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut në BE, dhe apeloi për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të ndërmarra nga faktorët politikë.
Presidentja e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Kristo, tha se vendi kishte rënë dakord për 110 reforma nga 113 të propozuara fillimisht nga BE.
“Rruga evropiane është qëllimi kryesor i politikës së jashtme për të cilin ka një konsensus në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Kristo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rikonfirmoi përkushtimin e tij për reformat që duhet të zbatohen për zbatimin e Planit.
Ai i bëri thirrje Serbisë që të ndjekë penalisht përgjegjësit për rastin e sulmit të armatosur në Banjskë, të cilin institucionet e Kosovës e konsiderojnë terrorist.
Kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Është koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit digjital evropian. Individualisht, ne të gjithë kemi ndërhyrë dhe synojmë të jemi gati deri në vitin 2027”.
Ai theksoi bashkëpunimin në fushën e migracionit, trafikimit të qenieve njerëzore, “jo vetëm mes rajoneve, por edhe mes rajoneve dhe BE-së”.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Plani i Rritjes do të sjellë rezultate të mira në rajon.
“Ne vlerësojmë dhe jemi mirënjohës për paratë, por më të rëndësishme se paratë janë reformat strukturore që duhet të zbatojmë dhe e vlerësojmë shumë këtë.
Ai tha se është i bindur se vendet e rajonit nuk do të hyjnë në BE para Ukrainës.
“Inteligjenca ime më thotë se do të jetë kështu. E di që BE-ja është shumë e njohur në vendet tuaja. Por jo aq shumë në timen”.
Samiti organizohet nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”.
Plani i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023, i njëjti bazohet në katër shtylla. E para, forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së. E dyta, forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal. E treta, përshpejtimi i reformave fundamentale. E katërta, rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.