Tragjedia në Koçan, sot do të kthehen tetë pacientë nga trajtimi në Turqi, Bullgari dhe Slloveni

Ministria e Shëndetësisë informon se sot edhe tetë pacientë nga të lënduarit në tragjedinë në Koçan kthehen nga trajtimi, prej të cilëve pesë nga Turqia, dy nga Bullgaria dhe një nga Sllovenia. Për trajtim jashtë shtetit vazhdojnë të qëndrojnë edhe 18 pacientë, transmeton Portalb.mk.  Sipas protokollit, pesë pacientë do të jenë nën vëzhgim në Spitalin […]

maj 2, 2025 - 18:00
 0  5
Tragjedia në Koçan, sot do të kthehen tetë pacientë nga trajtimi në Turqi, Bullgari dhe Slloveni
Zjarri në diskotekën "Pulse" në Koçan. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Ministria e Shëndetësisë informon se sot edhe tetë pacientë nga të lënduarit në tragjedinë në Koçan kthehen nga trajtimi, prej të cilëve pesë nga Turqia, dy nga Bullgaria dhe një nga Sllovenia. Për trajtim jashtë shtetit vazhdojnë të qëndrojnë edhe 18 pacientë, transmeton Portalb.mk. 

Sipas protokollit, pesë pacientë do të jenë nën vëzhgim në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, dy pacientë në Klinikën për Kirurgji Plastike dhe një pacient në Klinikën Kirurgjikale “Shën Naum Ohërti”.

Një pjesë e të lënduarve që janë kthyer në vend gjatë periudhës së kaluar tashmë kanë filluar procesin e rehabilitimit në Spitalin e Përgjithshëm në Koçan, ku, në varësi të lëndimeve, po trajtohen në repartet e neurologjisë, kirurgjisë dhe terapisë fizikale.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prillmë 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.

Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Brendshme, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më 25 prill ngriti kallëzim penal kundër K.B., G.L. dhe A.T, të gjithë policë, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”  lidhur me tragjedinë e zjarrit në Koçan.