Studentët e “Stiv Naumov” duhet të shpërngulen para kohe, konvikti po përgatitet për renovim

Studentët e vendosur në godinën “e tretë” – e vetmja nga tre objektet në konviktin “Stiv Naumov” që aktualisht është në funksion, më së voni deri më 24 qershor janë urdhëruar të largohen nga konvikti, pavarësisht se sipas kontratave që kanë nënshkruar me Konviktin Shtetëror “Shkupi”, kanë të drejtë të qëndrojnë atje deri më 30 […]

qershor 5, 2024 - 14:01
 0  6
Studentët e “Stiv Naumov” duhet të shpërngulen para kohe, konvikti po përgatitet për renovim
Konvikti studentor "Stiv Naumov" Shkup. Foto: Meta.mk

Studentët e vendosur në godinën “e tretë” – e vetmja nga tre objektet në konviktin “Stiv Naumov” që aktualisht është në funksion, më së voni deri më 24 qershor janë urdhëruar të largohen nga konvikti, pavarësisht se sipas kontratave që kanë nënshkruar me Konviktin Shtetëror “Shkupi”, kanë të drejtë të qëndrojnë atje deri më 30 qershor, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Shkak për largimin e parakohshëm të studentëve është bërë përgatitja për punimet e ndërtimit për rikonstruimin e konviktit, pra më 25 qershor objekti do t’i dorëzohet kontraktorit të ndërtimit.

Menaxhmenti i Konviktit Shtetëror “Shkupi”, në krye me “Stiv Naumov”, u ka thënë studentëve që deri më 24 qershor të largohen nga objekti, thuhet në njoftimin e marrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH).

“Pas datës 24 qershor 2024, godina do t’i kalojë kontraktorit Strabag dhe vetëm ata do të kenë akses në objektet, çka do të thotë se nuk do të mund të merrni sendet që nuk mund t’i merrni para afatit paraprak. Ju lutemi kujdesuni që t’i keni marrë të gjitha sendet tuaja, sepse në të kundërtën Konvikti Shtetëror Studentor ‘Shkup’ – Shkup nuk mban asnjë përgjegjësi në rast të dëmtimit, vjedhjes apo humbjes së mundshme të sendeve”, thuhet në njoftimin e KSSh-së “Shkup”.

Studentët që kanë kontaktuar redaksinë e Meta.mk thonë se një vendim i tillë është i papranueshëm dhe çnjerëzor për ta, sepse janë të detyruar të mendojnë për lëvizje në mes të sezonës së provimeve dhe nuk kanë ku të qëndrojnë deri më 30 qershor. Në shumicën e fakulteteve, periudha e provimeve të qershorit zgjat deri më 29 qershor.

Meta.mk iu drejtua Konviktit Shtetëror të Studentëve “Shkup” dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me pyetje nëse në një vendim të tillë kanë anashkaluar faktin se studentët do të duhet të lëvizin në mes të provimeve.

E pyetëm KSSh Shkup nëse në ndonjë mënyrë u ngritën në mbrojtje të studentëve të tyre dhe nëse do të kërkonin shtyrjen e fillimit të punimeve ndërtimore për disa ditë, duke qenë se renovimi i “Stiv” është vonuar për më shumë se një vit, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk kemi marrë përgjigje nga administrata e konviktit dhe nga drejtori Viktor Velevski.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit siguron se nxënësit që duhet të qëndrojnë deri më 30 qershor do të zhvendosen në objekte të tjera ku aktualisht nuk ka punime ndërtimore.

Në konviktin “Stiv Naumov” në funksion janë edhe barakat e reja, ku janë akomoduar rreth 130 studentë.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi se në gjysmën e parë të vitit 2024 do të nisë rikonstruksioni i konvikteve shtetërore të studentëve në vend dhe sipas kontratës së nënshkruar me kontraktorin e ndërtimit, afatet janë respektuar. Aktivitetet përgatitore janë duke u zhvilluar në konviktet e studentëve Kuzman Josifovski-Pitu, të cilat janë mbyllur plotësisht që nga viti i kaluar dhe në Stiv Naumov, ku deri në fund të këtij muaji do të funksionojnë disa nga objektet që ishin në dispozicion deri më tani, pas së cilës do të mbyllen gjithashtu plotësisht për shkak të punimeve në ndërtim. Deri atëherë, pra deri më 25 qershor, studentët mund të përdorin hapësirat e caktuara dhe në komunikim me menaxhmentin e konvikteve, ata studentë që do të vazhdojnë të jenë në nevojë do të zhvendosen në objekte të tjera ku aktualisht nuk ka punime ndërtimore”, thuhet në përgjigje nga Ministria e Arsimit.

Rikonstruksioni i konvikteve shtetërore është zvarritur prej muajsh, ndërsa faza e parë ende nuk ka nisur. Rikonstruksioni i paralajmëruar prej kohësh parasheh ndërrimin e të gjitha pozicioneve në konvikt – instalimet elektrike dhe hidraulike, fasadat, sistemet e ngrohjes, dyert, dritaret, lyerja dhe arredimi, ndërsa aktivitetet do të zhvillohen në tri faza.

Renovimi është pjesë e projektit për rehabilitimin me efikasitet energjetik të konvikteve studentore, i cili realizohet me para nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), prej 20 milionë euro dhe granti prej 5 milionë eurosh përmes Programit Rajonal të Efikasitetit Energjetik për Ballkanin Perëndimor i Bashkimit Evropian.

Në fazën e parë është planifikuar rikonstruksioni i plotë i konvikteve studentore “Stiv Naumov” dhe “Kuzman Josifovski – Pitu” në Shkup.

Në fazën e dytë është planifikuar renovimi i “Vëllezërve Milladinovci” – Shtip dhe “Orde Çopela” – Prilep, e më pas “Nikola Karev” – Ohër dhe “Tome Stefanovski – Seniq” – Shkup.