Trajko Veljanovski, Spiro Ristovski dhe Mile Janakievski u amnistuan dhe liruan nga prokuroria për “Organizimin e 27 Prillit”
Prej sot pushon ndjekja penale e Trajko Veljanovskit, Spiro Ristovskit, Mile Janakievskit dhe Vladimir Atanasovskit, të cilët ishin proceduar si organizatorë të ngjarjeve të Kuvendit më 27 prill. Gjykata ka marrë vendim që tregon se për ta zbatohet amnistia, transmeton Portalb.mk. “Prokuroria publike si parashtrues i aktakuzës, pas anulimit të vendimit nga kjo gjykatë kishte […]
Prej sot pushon ndjekja penale e Trajko Veljanovskit, Spiro Ristovskit, Mile Janakievskit dhe Vladimir Atanasovskit, të cilët ishin proceduar si organizatorë të ngjarjeve të Kuvendit më 27 prill. Gjykata ka marrë vendim që tregon se për ta zbatohet amnistia, transmeton Portalb.mk.
“Prokuroria publike si parashtrues i aktakuzës, pas anulimit të vendimit nga kjo gjykatë kishte disa aktvendime të paspecifikuara për amnisti, derisa në seancën e kaluar bëri një propozim të qartë që Trajko Veljanovski, Spiro Ristovski dhe Mile Janakievski të mos amnistohen, pasi për ta vlente ligji. Personalisht dhe si këshill jemi ende të mendimit se synimi i ligjvënësit nuk ka qenë në asnjë rast amnisti për organizatorët. Por në dispozitat e Ligjit për Amnistinë, ekziston një lidhje sipas së cilës Prokuroria Publike dhe Apeli konsiderojnë se këta të pandehur nuk janë persona që kanë vepruar në kundërshtim me autoritetin e tyre zyrtar gjatë kryerjes së veprës penale të kërcënimit terrorist të rendit kushtetues”, tha gjyqtari Ilija Trpkov.
Gjyqtari shtoi: “Duke marrë parasysh sa më sipër, në fund do të duket se të dënuarit për ngjarjet e 27 prillit, të vetëorganizuar, kanë menduar vetë se duhet të hyjnë në Parlament, të thyejnë e të rrahin. Të gjithë e kemi qartë, por edhe të dënuarit nëpër burgje – se nuk është kështu, se dikush i ka organizuar për të hyrë në Parlament. Përndryshe nuk mund të ndodhë. Nuk mund ta çash kordonin e policisë në një ndeshje basketbolli, jo në Parlament”.
Ai tha se nuk është patriotike hyrja në Parlament dhe se vendimi për amnisiti do të ngjallë emocione.
“Disa nga këta të dënuar i quajnë patriotë, i përkëdhelin mbi supe. Ata mund të jenë patriotë, por nuk mund të thuash se vepruan si patriotë. Ata që i organizuan këta njerëz (të dënuar) duhet të kenë turp. Për rrahjen e përfaqësuesve të popullit dhe dhunimin e tyre – nuk mund të thuhet se janë patriotë. Me siguri vendimi (për amnisti) do të zgjojë emocione dhe ndjenja të ndryshme. Për ngjarjet konkrete në Kuvend, për krimet që kanë ndodhur atje, uleni kokën dhe kërkoni falje nga shteti, siç kërkuan të akuzuarit”, shtoi gjyqtari Ilija Trpkov.
Paraprakisht, të pandehurit, të cilët akuzohen për veprën penale “Kanosje terroriste e rendit kushtetues dhe sigurisë”, kanë paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore Penale për të vendosur për kërkesën për amnisti pa paraqitur prova materiale dhe verbale.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, gjyqtari Ilija Trpkov, atëkohë informoi se në parashtresë të akuzuarit kanë thënë se është e nevojshme që Gjykata të marrë vendim për zbatimin e Ligjit për amnisti, sepse tashmë e ka krijuar një praktikë të tillë, gjegjësisht Këshilli Penal në vitin 2018 ka marrë vendim për amnisti në vijim të diskutimit kryesor, në fazën e procedurës së provave, ku nuk është pritur përfundimi i procedurës së provave.
Në prill të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit e rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë nga korriku i vitit 2021, me të cilin ish-kryeparlamentari Veljanoski u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burg, ish-ministrat Janakieski dhe Ristovski morën dënimin me 6 vjet e tre muaj burg, ndërsa ish-drejtori i DSK-së Atanasovski gjashtë vjet burg, dhe lëndën e ktheu në rigjykim.
Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ilija Trpkov, ndërsa prokurorinë e përfaqëson prokurorja publike Iskra Haxhi Vasileva.
Nga dhuna e 27 prillit 2017 në Kuvend, u lënduan mbi 100 persona në mesin e tyre edhe deputetë dhe gazetarë. Ndër deputetët më së shumti që kanë qenë të lënduar ka qenë Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, Zoran Zaev i LSDM-së, Oliver Spasovski dhe deputetë të tjerë të LSDM-së.