U hap qendra rajonale e certifikimit dhe trajnimit të K9 në Gjorçe Petrov
Misioni i OSBE-së në Shkup sot hapi Qendrën rajonale moderne të certifikimit dhe trajnimit të K9 në Gjorçe Petrov, një hap në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve të zjarrit në rajon, transmeton Portalb.mk. Qendra do të shërbejë si vend për trajnim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim rajonal. Nga Misioni i OSBE-së në vend theksuan […]
Misioni i OSBE-së në Shkup sot hapi Qendrën rajonale moderne të certifikimit dhe trajnimit të K9 në Gjorçe Petrov, një hap në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të armëve të zjarrit në rajon, transmeton Portalb.mk.
Qendra do të shërbejë si vend për trajnim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim rajonal.
Nga Misioni i OSBE-së në vend theksuan se kjo është më shumë se vetëm avancim, kjo qendër përfshinë hapësira të reja për K9 dhe përmirësim në kushtet e objekteve ekzistuese.
“Mobiliteti i ekipeve të K9 është rritur gjithashtu me donacionin e 14 makinave të specializuara dhe 3 rimorkio, duke mundësuar që policia të përgjigjet në mënyrë më të shpejtë dhe efikase në tërë rajonin”, informuan nga OSBE-ja.
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski tha se kjo qendër rajonale është shumë e rëndësishme, si nga aspekti i veprimit strategjik në kuadër të ministrisë ashtu edhe nga aspekti i veprimit operativ të policisë.
“Me këtë kompleks do të rritet kapaciteti për të kryer një numër të madh aktivitetesh policore të kryera me përdorimin e qenve”, theksoi Toshkovski.
Rritja e kapaciteteve detektuese është pjesë e projektit jashtë-buxhetor të Misionit, “Ndihma autoriteteve kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe të keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (ALV)”. I financuar nga Belgjika, BE, Franca, Gjermania, Norvegjia, Sllovakia dhe SHBA, projekti ka arritur progres të konsiderueshëm në rritjen e kapaciteteve të detektimit të Njësisë së qenve të policisë në vend.