Ua mësojnë vozitjen pastaj i qajnë, në RMV shumë fëmijë drejtojnë automjete

Në Maqedoninë e Veriut fëmijët inkurajohen të vozisin automjete, duke filluar që nga motorët e deri te kamionët me rimorkio. Kështu, ata më pas shpesh marrin pjesë vetë në komunikacion duke rrezikuar veten dhe të tjerët. Rasti i fundit ishte në autostradën Shkup – Veles ku një i mitur voziti kamionin. MPB-ja nuk disponon me […]

gusht 31, 2024 - 09:00
 0  9
Ua mësojnë vozitjen pastaj i qajnë, në RMV shumë fëmijë drejtojnë automjete
Fëmijë duke vozitur veturë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në Maqedoninë e Veriut fëmijët inkurajohen të vozisin automjete, duke filluar që nga motorët e deri te kamionët me rimorkio. Kështu, ata më pas shpesh marrin pjesë vetë në komunikacion duke rrezikuar veten dhe të tjerët. Rasti i fundit ishte në autostradën Shkup – Veles ku një i mitur voziti kamionin. MPB-ja nuk disponon me statistika për këtë lloj vepre. Ekspertët alarmojnë: prindërit janë fajtorët kryesorë dhe se kjo praktikë duhet të ndalet, shkruan Portalb.mk.

Prindër të shumtë ua mësojnë vozitjen fëmijëve të tyre që në moshë të re, ndërkaq të njëjtit më pas dalin edhe vetë në komunikacion.

Gazetari i Portalb.mk disa herë ka parë fëmijë të cilët pa prani të askujt kanë vozitur automjete në komunikacion, kryesisht në rajonin e Tetovës, por jo vetëm.

Më 27 gusht të këtij viti, Policia e Maqedonisë së Veriut raportoi se një i mitur nga fshati Saraj i Shkupit më 10 gusht 2024 pa patentë shoferi kishte vozitur kamion me gjysmërimorkio në autostradën Shkup – Veles, ku i njëjti ishte filmuar nga daja i tij dhe pamjet i kishin shpërndarë në rrjete sociale.

“Njësia Mobile për Siguri në Komunikacionin rrugor në koordinim me Departamentin e Krimeve Kompjuterike, inspektorin për të mitur nga Gazi Baba, dhe pas konsultimit paraprak me prokurorin publik për të mitur, do të ndërmarrë masa sipas Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, përkatësisht: kundër B.M. sipas nenit 317 paragrafi 14, kundër personit juridik nga neni 317 paragrafi 12 dhe paragrafi 13 dhe kundër të miturit sipas nenit 225 paragrafi 9. Për ngjarjen është njoftuar edhe Qendra për Çështje Sociale”, informoi Policia e RMV-së.

Portalb.mk kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme statistika se sa raste kanë të regjistruara të drejtimit të automjeteve nga fëmijët (të miturit), por nga MPB thanë se nuk disponojnë me të dhëna të tilla.

“Lidhur me kundërvajtjet e regjistruara nga neni 225 paragrafi 1 i Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor së, i cili i referohet “drejtimit të mjetit motorik pa patentë shofer”, ku përfshihen të gjithë personat, pa dallim moshe, të cilët kanë drejtuar automjete pa patentë shoferi gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2024 janë regjistruar gjithsej 8464 vepra”, thanë nga Ministria e Brendshme.

Blerta Ahmedi, kryetare e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Blerta Ahmedi, kryetare e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Veprat penale kundër sigurisë në trafikun publik të kryera nga fëmijët paraqesin një nga grupet e veprimeve të kundërligjshme të shpeshta të raportuara në vendit tonë. Kështu thotë për Portalb.mk Blerta Ahmedi, kryetarja e Këshillit Komunal të Tetovës për Parandalimin e Delikuencës te Fëmijët.

“Bazuar në të dhënat e publikuara nga Enti statistikor i RMV, për çdo vit raportohen dhe gjykohen një numër i konsiderueshëm i fëmijëve për kryerje të këtyre veprave penale. Faktorët të cilët ndikojnë në paraqitjen e kësaj dukurie kriminale janë të ndryshëm, duke filluar nga ato objektivë siç është familja dhe shoqëria, por edhe subjektivë, si temperamenti i fëmijëve, emocionet dhe veti të tjera të personalitetit të tyre”, tha Ahmedi.

Nga ana tjetër sipas sociologut Ali Pajaziti ky është një gabim fatal që e bëjnë prindërit në raport me më të dashurin e tyre, fëmijën, ngase me këtë veprim të tyre e çedukojnë atë. Ai thotë se duke dashur që t’i mësojnë diçka, ta bëjnë të aftë në një fushë, faktikisht e fusin një galimatias, në një ravgullimë të madhe, në një vorbull prej ku ai edhe mund të dalë, por edhe mund të dëmtohet dhe të dëmtojë të tjerë.

Ali Pajaziti, foto nga Portalb.mk
Ali Pajaziti, foto nga Portalb.mk

“Shembujt nga përditshmëria na mësojnë për fatalitete të kësaj natyre. Pra në vend që të tentojnë ta socializojnë hap pas hapi, të presin që kur të piqet të mësohet, ose të mësohet në terren pa njerëz dhe ku nuk ka rrezik, një pjesë e prindërve ua japin veturën-timonin edhe fëmijëve 10-vjeç, gjë që e kam parë më sytë e mi, dhe jam rrëqethur. Një pjesë tjetër e prindërve, “krenarinë e tyre”, veturën e shtrenjtë duan që ta integrojnë me fëmijën, pra të krekosen edhe përmes veturës edhe përmes fëmijës që s’është i vetëdijshëm për këtë, veprim ky që nuk sjell kurrfarë benefiti, përkundrazi. Fëmija është fëmijë, Porsche-ja e Benz-i Benz. Këtij fëmije i humbet edhe motivi për përpjekje, punë ngase qysh në vegjëlinë e vet ka zotëruar dhjetëra mijë eurot, e në të ardhmen si do të mjaftohet me 500 euro rrogë? Pra një dëm i madh psikologjik për këtë qenie të njomë e të pafajshme”, tha Pajaziti.

Blerta Ahmedi sqaroi se për të parandaluar rastet e këtilla nevojitet forcimi i faktorëve mbrojtës, respektivisht parandalues, duke filluar nga zhvillimi i politikave që do të ndikonin në vetëdijesimin e të miturve për pasojat që i’ kanosen në rast të drejtimit të automjeteve motorike të llojit ose kategorisë së caktuar pa plotësimin e kushteve të nevojshme ligjore.

“Kjo mund të realizohet përmes zhvillimit të kampanjave të caktuara në këtë drejtim, si zhvillimi i ligjëratave me nxënës në këtë temë, vetëdijesimi përmes mediumeve dhe rrjeteve sociale. Pa diskutim se këshillat komunalë për parandalim të delikuencës së fëmijëve mund të kontribuojnë në këtë drejtim duke realizuar aktivitete për njoftimin dhe vetëdijesimin e fëmijëve dhe prindërve për këtë temë. Gjithashtu rol kyç luan policia, e cila përmes masave me karakter preventiv, si kontrollet më të shpeshta në trafikun publik do të ndikonin në parandalimin e kësaj dukurie”, theksoi Ahmedi.

Nga Policia e RMV-së thanë se përveç sanksionimit të shkeljeve të tilla, MPB organizon vazhdimisht aktivitete parandaluese me qëllim të sensibilizimit dhe kulturës së trafikut te qytetarët, të gjitha me synim rritjen e sigurisë.

Nga Policia apeluan në mënyrë të veçantë që prindërit të mos lejojnë fëmijët e tyre të drejtojnë automjetin pa kaluar testin e drejtimit.