Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës me aktivitet të veçantë në Lisbonë, merr pjesë edhe SBAShK-u
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka bërë të ditur se Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës po mban një aktivitet të veçantë sindikal në Lisbonë të Portugalisë me temën kyçe “Sindikatat mbështesin përfshirjen e refugjatëve dhe emigrantëve në arsim”. Në njoftimin e kësaj sindikate thuhet se në këtë tryezë tematike po […]
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka bërë të ditur se Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës po mban një aktivitet të veçantë sindikal në Lisbonë të Portugalisë me temën kyçe “Sindikatat mbështesin përfshirjen e refugjatëve dhe emigrantëve në arsim”.
Në njoftimin e kësaj sindikate thuhet se në këtë tryezë tematike po merr pjesë edhe SBAShK-u.
“Pasi që në botë ende ka vatra tensionesh e konfliktesh, që kthehen edhe në luftra e të përgjakshme, që shoqërohen me pamje tmerri dhe me zhvendosje të mëdha të popullsisë për të gjetur një strehë shprese, Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës po mban një aktivitet të veçantë sindikal në Lisbonë të Portugalisë me temën kyçe “Sindikatat mbështesin përfshirjen e refugjatëve dhe emigrantëve në arsim”.
“Në këtë tryezë tematike merr pjesë edhe SBASHK-u, i përfaqësuar nga nënkryetarja, znj. Vjollca Shala dhe koordinatori për organizim të brendshëm, z. Ymer Ymeri, të cilët do të prezantohen para pjesëmarrësve me përvojat nga e kaluara jo shumë e largët, që do të kthej kujtesën te kolegët sindikalistë nga e tërë Evropa për vitet e vështira të Kosovës dhe për zhvendosjen biblike të popullatës për shkak të dhunës, vrasjeve dhe tmerrit që kishte krijuar makineria vrastare e pushtuesit. Përfaqësuesit e SBASHK do të tregojnë se si sindikata që përfaqësojnë e mbështetur nga Internacionalja Botërore e Arsimit dhe sindikatat simotra nga disa vende mike, arritën të organizojnë në mirëkuptim me shtetin shqiptar dhe institucionet në Maqedoni të Veriut e Mal të Zi, mësimin për gjithë fëmijët e Kosovës, që ishin zhvendosur bashkë me familjet e tyre”, thuhet në komunikatë.
Tutje, në komunikatë thuhet ser pjesëmarrësit e kësaj tryeze tematike janë zotuar se do të përgatisin e aprovojnë një plan të përbashkët veprimi për barazinë dhe gjithëpërfshirjen në sistemin arsimor të shteteve të tyre, siç thuhet aty, për t’ua lehtësuar dhembjen emigrantëve dhe refugjatëve.
“Organizatori dhe diskutuesit në këtë tryezë tematike janë shprehur plot shqetësim se përfshirja e emigrantëve dhe refugjatëve në arsim në vendin e mikpritjes nuk është e lehtë sepse fëmijët të zhvendosur nuk e njohin gjuhën e rrethit të ri, vijnë nga një sistem ndryshe i arsimit, janë të stresuar e plot dhembje sepse edhe familjet i kanë të ndara e të përgjysmuara dhe nuk dihet për fatin e anëtarëve të familjes, e po ashtu aty e këtu hasin edhe në diskursin nacionalist nga partitë me prirje nacionaliste e ekstremiste”, thuhet tutje në komunikatë.