Vdekja e dy punëtorëve në Gjakovë, ndalohen për 48 orë dy persona
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se më datë 21.07.2025, është informuar nga Policia e Kosovës për një incident tragjik të ndodhur në një vendpunim, ku si pasojë kanë humbur jetën dy punëtorë. Sipas një njoftimi për media menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, Prokurori kujdestar, njësitet


Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se më datë 21.07.2025, është informuar nga Policia e Kosovës për një incident tragjik të ndodhur në një vendpunim, ku si pasojë kanë humbur jetën dy punëtorë.
Sipas një njoftimi për media menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, Prokurori kujdestar, njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe Inspektorati i Punës.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML)”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, siç bëhet e ditur në njoftim me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dy persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh lidhur me këtë rast, për shkak të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
“Brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të njëjtëve do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Prokuroria e Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
