Vuçiq: Me Scholzin do të bisedoj gjatë, edhe për Kosovën
Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, tha sonte në Londër se në samitin e nesërm të Komunitetit Politik Evropian, tema kryesore do të jetë Ukraina dhe shtoi se do të zhvillojë një bisedë private me kancelarin gjerman Olaf Scholz, i cili vjen në Beograd të premten. Vuçiq tha se të premten, gjatë vizitës së kancelarit gjerman […]
Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, tha sonte në Londër se në samitin e nesërm të Komunitetit Politik Evropian, tema kryesore do të jetë Ukraina dhe shtoi se do të zhvillojë një bisedë private me kancelarin gjerman Olaf Scholz, i cili vjen në Beograd të premten.
Vuçiq tha se të premten, gjatë vizitës së kancelarit gjerman Olaf Scholz, do të ketë një “takim në katër sy dhe të gjatë” me të, pasuar nga nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për burimet minerale.
“Ne do të flasim për rrugën evropiane të Serbisë, për të gjitha marrëdhëniet tona politike, kështu që lidhet edhe me Kosovën, me situatën në rajon, por edhe me zhvillimin e ekonomisë sonë”, tha Vuçiqi, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
Takimi i katërt i Bashkësisë Politike Evropiane do të mbahet të enjten dhe do të mbledhë krerët e shteteve apo qeverive të afër 50 shteteve në Pallatin Blenheim, afër Londrës. Në mesin e tyre do të jetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Vizita e Scholzit në Beograd fillimisht u njoftua të martën mbrëma nga mediumi evropian “Politico”, ndërsa gjatë të mërkurës u konfirmua edhe nga një zëdhënës i qeverisë gjermane.
Bashkë me Scholzin, në Beograd do të shkojë edhe zëvendëspresdienti i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviq, të cilët bashkë do të marrin pjesë në samitin për lëndët e para në kryeqytetin serb.
Gjatë këtij samiti, Serbia do të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi me BE-në për partneritet strategjik sa i përket lëndëve të para, furnizimet me bateri dhe makinat elektrike.
Zëdhënësi i Qeverisë gjermane tha se vizita ka të bëjë me projektin e minierës së litiumit në Serbi, projekt i cili ka ngjallur protesta të shumta qytetare. /Klankosova.tv