Xhavit Haliti: Edhe në Qeveritë e kaluara ka pasur korrupsion e afera, por as tash s’ka dorëheqje
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, për FrontOnline, ka folur për aferat dhe skandalet e Qeverisë Kurti. Ai thotë se në vendet demokratike, kur ka të tilla afera, një ministër ose merr masa ndaj protagonistëve që shkelin ligjin, ose jep dorëheqje bashkë me ta. ‘’Në vendet demokratike një ministër që në dikasterin e tij, ka skandale […]
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, për FrontOnline, ka folur për aferat dhe skandalet e Qeverisë Kurti. Ai thotë se në vendet demokratike, kur ka të tilla afera, një ministër ose merr masa ndaj protagonistëve që shkelin ligjin, ose jep dorëheqje bashkë me ta.
‘’Në vendet demokratike një ministër që në dikasterin e tij, ka skandale të përmasave të shkeljeve ligjore, ose merr masa ndaj protagonistëve që kanë shkelur ligjin, ose nëse janë njerëz të afërt ose të ngarkuar nga ministri, atëherë ministri do të duhej të shkojë bashkë me ata e të jep dorëheqjen’’
Haliti, thotë se përjashtuar dorëheqjen e ish-ministrit të brendshëm, Fatmir Rexhepit, nuk ka pasur ndonjë rast të tillë të dorëheqjes për shkak të aferave ose skandaleve edhe pse ka pasur të tilla në Qeveritë e kaluara.
‘’Problemi është i të gjithëve, përmes angazhimit të përbashkët, të eliminohen të metat në Qeveri. Afera edhe në të kaluarën ka pasur, edhe në të kaluarën ka pasur gabime dhe të meta në qeverisje, por ajo që është me rëndësi, sot është se përse po përsëriten dhe pse nuk ka masa ligjore dhe pse nuk po miratohen ligje, që do të ishin të rrepta, për keqpërdoruesit e shtetit. Në asnjë Qeveri, përjashto rastin e ish-ministrit Fatmir Rexhepit, kurrë s’ka pas ndonjë dorëheqje, duke u bazuar në përgjegjësitë personale’’ thotë ai për FrontOnline.
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se edhe qytetarët kanë krijuar imunitet ndaj aferave dhe korrupsionit.
‘’Ne mundemi me kërku me media dhe me fjalë, por nuk po japin dorëheqje. Nuk janë veç mediet ato që munden me kriju opinion, problemi është se edhe qytetarët kanë krijuar imunitet ndaj aferave dhe nuk ka opozitë që e ngritë qytetarin kundër shkeljeve dhe kundër padrejtësive, kundër korrupsionit, andaj po mbetët zhurme që nuk po shkon në vesh të duhur dhe nuk ka veprime të cilat do të ishin në interes të vendit që më u përmirësu qeverisja’’ thotë ai’’ thekson ai.
Haliti, kërkon ligje të rrepta për gjithë ata që keqpërdorin pozitën e tyre zyrtare, duke sugjeruar që të merren si model ligjet nga vendet perëndimore për miratim.
‘’Nuk mund të ketë eleminim të korrupsionit nëse nuk bëhen ligjet siç funksionojnë në perëndim. Le të merren ligjet e Britanisë, Holandës, Danimarkës ose Zvicrës, por cilat janë pasojat e një qytetari ose ministri që abuzon me fondet publike. Janë masa me të rrepta që mund të merren me pasoja të përjetshme, duke ua humbur të drejtën edhe pas vendimit që me u angazhua në jetën publike, derisa s’ka ligje të tilla është e vështirë’’, shprehet ai për FrontOnline.