Zeqiri: KFOR-i s’do të tërhiqet nga Ura e Ibrit
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve, Ardian Zeqiri, ka thënë se për të kaluar në veri të vendit ka edhe ura të tjera që çojnë në atë pjesë të territorit. Zeqiri tha se Policia e Kosovës është prezente në veri dhe katër komunat atje, e sipas tij, nuk ka asnjë pengesë në […]
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve, Ardian Zeqiri, ka thënë se për të kaluar në veri të vendit ka edhe ura të tjera që çojnë në atë pjesë të territorit.
Zeqiri tha se Policia e Kosovës është prezente në veri dhe katër komunat atje, e sipas tij, nuk ka asnjë pengesë në kuptimin praktik të udhëtimit të qytetarëve dhe institucioneve në pjesën veriore të Kosovës.
“Këtu duhet që Qeveria e Kosovës ta kuptojë rëndësinë e kësaj. Nëse i marrim parasysh deklaratat që edhe ambasadori amerikan dhe shtetet e BE-së i kanë dhënë më herët, kanë qenë gjithnjë deklarata se Kosova ka të drejt por se mendojnë që është hap i ngutshëm”.
“Ndërsa, kësaj radhe, ambasadori amerikan ka thënë se ‘rrezikohet jeta e ushtarëve amerikanë’. Në gjuhen diplomatike, me këtë kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mos ndërmerret një veprim i tillë. Trupat e KFOR-it, mendoj se nuk do të tërhiqen nga ura dhe nëse qeveria insiston që patjetër të hiqen mburojat e kështu, mendoj se ne do ta qesim KFOR-in në një pozitë të palakmueshme”, tha Zeqiri në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Këtë të martë, KFOR-i është parë duke patrulluar me armë të gjata e makina të blinduara që për disa orë u stacionuan në Urën e Ibrit, pas insistimit të qeverisë për hapjen e saj.