Zjarret e shkatërruan habitatin e një bime të rrallë që rritet vetëm në RMV-në lindore
Një bimë e rrallë, e cila rritet vetëm këtu në Maleshevi, u dogj nga zjarret që e përfshinë rajonin e Pehçevës në fund të muajit korrik. Bëhet fjalë për një bimë insektngrënëse shumë specifike që jeton në tokat torfe në vetëm tre lokacione në Maqedoninë Lindore, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk. Bima nuk ndodhet në listat […]
Një bimë e rrallë, e cila rritet vetëm këtu në Maleshevi, u dogj nga zjarret që e përfshinë rajonin e Pehçevës në fund të muajit korrik. Bëhet fjalë për një bimë insektngrënëse shumë specifike që jeton në tokat torfe në vetëm tre lokacione në Maqedoninë Lindore, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.
Bima nuk ndodhet në listat e kuqe të llojeve të mbrojtura në vend, por vlera e saj është e madhe për shkak se ajo është e rrallë për këtë zonë dhe këto kushte klimatike. Zjarret e mëdha që shpërthyen në të gjithë vendin po bëjnë dëm të madh, ndërsa ekologjistët paralajmërojnë se dëmi që i shkaktohet biodiversitetit nuk do mund të matet lehtë.
“Zjarri i madh që e përfshiu rajonin shkatërroi një pjesë të madhe të pasurisë natyrore dhe torfën e Judovi Livadi, e cila është një ekosistem unik dhe habitat i bimës insektngrënëse Drosera rotundifolia. Është një lloj i rrallë dhe mund të gjendet vetëm këtu, në asnjë vend tjetër në Maqedoni”, informojnë nga Qendra Edukative për Ruajtjen e Natyrës në fshatin Negrevë.
Toka torfe Judovi Livadi dhe kjo bimë e rrallë janë pjesë e Rrjetit të mësimit eksperiencial të Shoqatës Ekologjike të Maqedonisë, përmes të cilit nxënësit nga mbarë vendi njiheshin me pasurinë e natyrës dhe biodiversitetit tonë, si dhe me punën hulumtuese-shkencore në terren. Tokat torfe janë një ekosistem natyror vital në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe përmbytjeve, ato mbulojnë nga tre deri në katër përqind të sipërfaqes botërore dhe ruajnë një të tretën e të gjithë karbonit të tokës, dy herë më shumë se pyjet e shiut.
Nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë thonë se për momentin nuk mund të dihet nëse bima e rrallë do të ketë sukses të rishfaqet në të njëjtin vend pas zjarreve.
“Kjo bimë insektngrënëse gjendet vetëm në Maleshevi, përveç në Judovi Livadi dhe në dy lokacione të tjera, Elensko Bllato dhe lumin Pehçevska, por këto janë sipërfaqe shumë të vogla. Është karakteristike për Evropën Veriore dhe kushte të tjera klimatike, prandaj është shumë e rrallë dhe me shumë vlerë në Ballkan”, thotë Despina Kitanova, biologe nga SHEM.
Ajo thotë se tani duhet parë nëse dhe sa mund të rimëkëmbet vetë habitati, sepse nuk dihet nëse kanë mbetur apo jo bimë vitale pas zjarreve. Kitanova mendon se duhet të njihet vlera e këtij ekosistemi, të vendoset monitorim dhe të ndiqet situata, si dhe të punohet për rimëkëmbjen e tij.
“Tokat torfe janë habitate të rralla në vend, në to ka edhe bimë dhe insekte të tjera të rralla, si myshqet, merimangat endemike dhe pilivesa të rralla. Duhet të jemi krenarë që i kemi dhe i ruajmë, jo vetëm për hir të biodiversitetit, por edhe për edukimin dhe turizmin. Pasuria shpirtërore, kulturore dhe natyrore janë po aq të rëndësishme sa edhe vlerat ekonomike”, thotë Kitanova.
Kujtojmë që RMV-ja periudhën e fundit është përfshirë nga zjarret në disa rajone. Sipas Qendrës për Meanaxhim me Kriza vetëm në muajin korrik u regjistruan 765 zjarre të përmasave të mëdha. Në ndihmë për shuarjen e tyre kanë dalë edhe shtetet nga BE-ja.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve në territorin e vendit.