227 infermierë ikën nga Kosova gjatë këtij viti, pakënaqësi me kushtet e punës dhe pagat e ulëta
Nga janari i këtij viti e deri më tani 227 infermierë kanë kërkuar licencën e plastifikuar, si dëshmi për të punuar jashtë Kosovës. Kështu kanë bërë të ditur përmes statistikave në një përgjigje për Front Online nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë të Kosovës. “95 infermierë kanë kërkuar vërtetimin e Kodit […]
Nga janari i këtij viti e deri më tani 227 infermierë kanë kërkuar licencën e plastifikuar, si dëshmi për të punuar jashtë Kosovës.
Kështu kanë bërë të ditur përmes statistikave në një përgjigje për Front Online nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë të Kosovës.
“95 infermierë kanë kërkuar vërtetimin e Kodit Etik, ndërsa 227 të tjerë kanë aplikuar për licencën e plastifikuar, e cila është e nevojshme për të punuar jashtë vendit”, thuhet në përgjigjen e Odës së Iinfermierëve të Kosovës për Front Online.
Ish-ministri i Shëndetësisë: Shifrat e ikjes së infermierëve janë alarmante
Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj në lidhje me trendin e ikjes së infermierëve, ka deklaruar se ky fenomen është një sinjal i keq për të ardhmen e sektorit të shëndetësisë.
Ai kërkoi veprime konkrete për të ndaluar këtë trend, duke theksuar se shifrat janë alarmante dhe se problemi nuk mund të reduktohet vetëm në numra, por në pasojat që ky problem do të sjellë në të ardhmen.
“Është ogur i keq i të ardhmërisë së sektorit të shëndetësisë, duhet veprime konkrete për ndaljen e këtij hovi. Shifrat janë alarmante, por një problem i tillë nuk reduktohet ne shifra, por në pasojat që i sjell ky problem në të ardhmen”, tha Zemaj për FrontOnline.
Sipas Zemajt, arsyeja për largimin e infermierëve është qeverisja e dobët, mungesa e planifikimit dhe vizionit, si dhe mungesa e ligjeve të reja dhe reformave thelbësore që kanë bërë që sistemi i shëndetësisë të bëhet një ambient të padurueshëm për ata që dëshirojnë të punojnë dhe ndërtojnë karrierë në mjekësi.
“Qeverisja e keqe, pa plan e vizion, pa ligje te reja as ndonjë reforme thelbësore, e ka kthyer sistemin e shëndetësisë në një ambient të padurueshëm të punës për secilit të ri që synon të punoj e ndërtoj karriere në mjekësi”, përfundoi Zemaj.
Deputeti i AAK-së: Shkak i ikjes së infermierëve janë kushtet e punës dhe pagat e ulëta
Shemsedin Dreshaj, deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, nënvizoi se trendi i largimit të infermierëve ende po vazhdon.
Sipas Dreshajt, shkaqet kryesore janë kushtet e punës dhe pagat e ulëta.
Ai theksoi se “nuk ka asnjë iniciativë nga Qeveria për përmirësimin e kushteve të punës për mjekët”, duke e përshkruar këtë si një faktor kryesor që kontribuon në këtë fenomen.
“Trendi i ikjes së infermiereve vazhdon ndërsa shkaqet kryesore të ikjes janë kushtet e punës dhe pagesa sepse “S’ka asnjë iniciativë nga Qeveria për përmirësimin e kushteve për punësim për mjekët”, tha Dreshaj.
Përndryshe, të martën Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqene Sociale dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka pritur në takim një delegacion nga Komisioni i Punës dhe Çështjeve Sociale nga Parlamenti Gjerman.
Largimi i infermierëve dhe mjekëve në shtetet e BE-së, sidomos në Gjermani, ishte çështje diskutimi mes dy delegacioneve.
/FrontOnline/