A do të hapet Ura e Ibrit? Ish-zyrtarët dhe ekspertët kërkojnë koordinim me NATO-n

Ura e Ibrit, e cila ndanë Mitrovicën e Veriut me Jugun, ka shumë vite që qëndron e mbyllur për qarkullim të automjeteve. Gjatë vitit 2023, kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut pati marrë vendim që Ura e Ibrit të rihapet, por për një veprim të tillë ka kundërshtime nga serbët lokal, por edhe nga ndërkombëtarët. […]

Korrik 21, 2024 - 18:31
 0  10
A do të hapet Ura e Ibrit? Ish-zyrtarët dhe ekspertët kërkojnë koordinim me NATO-n
a-do-te-hapet-ura-e-ibrit?-ish-zyrtaret-dhe-ekspertet-kerkojne-koordinim-me-nato-n

a-do-te-hapet-ura-e-ibrit?-ish-zyrtaret-dhe-ekspertet-kerkojne-koordinim-me-nato-n

Ura e Ibrit, e cila ndanë Mitrovicën e Veriut me Jugun, ka shumë vite që qëndron e mbyllur për qarkullim të automjeteve.

Gjatë vitit 2023, kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut pati marrë vendim që Ura e Ibrit të rihapet, por për një veprim të tillë ka kundërshtime nga serbët lokal, por edhe nga ndërkombëtarët.

Megjithatë, zv/drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se Ura e Ibrit pritet të hapet së shpejti.

Ish-drejtori i Policisë: Ura e Ibrit duhet të hapet, duhet koordinim me ndërkombëtarët

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, vlerëson se kjo urë është dashur të hapet vite më parë.

Qalaj tha se Bashkimi Evropian e ka penguar hapjen e urës si pjesë e diskutimeve të bëra në Bruksel.

Ai thotë se Ura e Ibrit duhet të hapet sa më shpejtë.

“Ura në mes të dy Mitrovicave është dashur të hapet shumë vite më parë, por kanë qenë disa probleme politike. BE-ja e ka penguar hapjen e urës si pjesë e diskutimeve që janë bërë në Bruksel dhe gjithashtu ka qenë një refuzim i palës serbe. Lista serbe është instrumentalizuar nga shteti i Serbisë, kjo duhet të hapet si çështje teknike sepse rruga për këmbësorë është e hapur, por për automjete jo”, deklaroi Qalaj.

Qalaj ka thënë se Qeveria duhet të koordinohet me institucionet ndërkombëtare të sigurisë.

“Ura e Ibrit duhet të hapet me koordinim me gjithë palët që janë të përfshira atje dhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë, pasi që është problem politik. Qeveria duhet me partnerët ndërkombëtar të koordinohet e pastaj ura të hapet”, u shpreh ish-drejtori i Policisë së Kosovës për FrontOnline.

Ish-inspektori i AKI-se: Ura nuk hapet me ‘daulle’ në media, por në koordinim me NATO-n

Ish-inspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, thotë për Front Online se aktiviteti diplomatik me NATO-n është i domosdoshëm për hapjen e Urës së Ibrit.

Ramadani tha se s’ka mbetur asnjë arsye se pse mos të hapet kjo Urë, pasi, siç thotë ai, normalizon veriun e Kosovës.

“Hapja e Urës është e drejtë dhe e rëndësishme, sepse simbolizon normalizimin e veriut të Kosovës. Hapja e Urës kalon përmes Selisë së NATO-s, për këtë aktiviteti diplomatik është i domosdoshëm. Ura nuk hapet me daulle në media, por me aktivitete diplomatike me NATO-n. Këtë disa po tentojnë të manipulojnë. Është e qartë se nuk ka mbetur asnjë arsye që tash e disa vite Serbisë i është mundësuar njëlloj VETO në këtë”, tha Ramadani.

Ramadani ka frikë se pompoziteti i pushtetarëve ka zëvendësuar diplomacinë e munguar.

“Kjo më shumë tregon për dështimin e diplomacisë së Kosovës sesa për fitoren e Serbisë. Qeveria duhet që me NATO-n, për shkak të autorizimeve që ka NATO (përmes KFOR-it) të arrijë këtë simbolikë normalizimi. Ura duhet të hapet plotësisht dhe për këtë shpresoj në mbështetjen e NATO-s. Pompoziteti i pushtetarëve frikësohem që ka zëvendësuar diplomacinë e munguar”, deklaroi Ramadani.

Njohësi i sigurisë: Paralajmërimet e Kurtit se planifikohet të hapet Ura e Ibrit në aspektin e sigurisë janë të nxituara

Njohësi i sigurisë, Bedri Elezi ka folur lidhur me paralajmërimet për hapjen e Urës së Ibrit.

Elezi ka deklaruar se në aspektin e sigurisë janë të nxituara.

Sipas tij, Kosova duhet të veprojë me kujdes pasi i duhet progres në dialog.

“Paralajmërimet e Kurtit se planifikohet të hapet Ura e Ibrit në aspektin e sigurisë janë të nxituara dhe mund të provokojnë situatën, pasi që ka pasur reagime nga serbët, faktori ndërkombëtar e Beogradi zyrtar. Kosova duhet të ketë kujdes në veprimet e saj nga provokimet e serbëve, pasi Kosovës i duhet progres në çështjet e dialogut të reflektojë si një vend që është i sigurt”, u shpreh Elezi.

Elezi tha se veprimet politike nuk duhet të merren në aspektin e sigurisë.

Ai thotë se kryeministri i vendit duhet të koordinohet me aleatët për çdo veprim.

“Mungojnë investimet  e huaja nga jashtë që ndërlidhën me siguri. Asnjë vend e shtet e investitor nuk do të drejtohen në një vend që ka pasiguri. Duhet të veprojmë krahas zhvillimeve e jo politikisht se nuk është politikë ajo që duhet të determinoj zhvillimin e sigurisë. Kurti duhet të koordinohet me faktorin ndërkombëtar dhe me institucionet tona të sigurisë për të parandaluar ndonjë tension të mundshëm”, përfundoi ai për Front Online.

Në vitin 2014, ishte hartuar një plan nga BE-ja për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim me disa elemente. Sipas atij plani kërkohej respektim i Ligjit të Kosovës, realizimi i vlerësimit teknik të strukturës statike të Urës së Ibrit nga BE-ja dhe hartimi i një projekti për revitalizimin e Urës.

Në mars të vitit 2015 për të arritur këtë qëllim, ishte larguar i ashtuquajturi “Parku i Paqes” dhe në vend të tij ishin vendosur disa barrikada të betonit, të cilat përsëri vazhdonin ta pengonin lëvizjen e lirë.

Në gusht të vitit 2015, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për hapjen e urës së Ibrit, ku fillimisht parashihej mbyllje e dy anëve të Urës me barriera fikse dhe me kantier deri më 15 tetor 2015. Sipas kësaj marrëveshje parashikohej që Ura të hapej për trafik jo më vonë se fundi i qershorit 2016.

Përveç kësaj, ishte paraparë edhe rivitalizimi i rrugës kryesore “Mbreti Petar” në një zonë këmbësore, gjithashtu deri në fund të qershorit 2016.

Po ashtu i parashikuar edhe përcaktimi i hartave të kufijve administrativ të zonave kadastrale në Suhodoll dhe Kroi i Vitakut përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit në mes të ministrive përkatëse dhe dy Komunave të Mitrovicës.

Megjithatë, përkundër kësaj marrëveshje, revitalizimi s’ishte kompletuar deri në qershor të vitit 2016.

Me qëllim të bërjes progres, më 5 gusht 2016, Kosova dhe Serbia ishin marrë vesh në një plan të implementimit me qëllim të zgjidhjes së problemit të revitalizimit të Urës së Ibrit.

Sipas këtij plani, Kosova dhe Serbia kishin rënë dakord që të rivitalizojnë urën dhe rrugën “Mbreti Petar” deri më 14 gusht 2016, dhe që  të hapet Ura për të gjithë trafikun më 20 janar 2017, dhe gjithashtu të angazhohen për konkluzionet e mëparshme për përcaktimin e kufijve administrativ ndërmjet Mitrovicës Jugore dhe Veriore deri më 14 tetor 2016.

Pavarësisht gjithë këtyre marrëveshjeve, ura kryesore nuk është hapur për të gjithë trafikun dhe vazhdon të jetë temë që po shkakton kokëçarje për Kosovën dhe BE-në edhe pas 8 vitesh.