Ageler: Nuk jemi pjesë e shumë prej diskutimeve, por duam ta shohim RMV-në brenda BE-së 

Ne nuk jemi pjesë e BE-së dhe kështu nuk jemi pjesë e shumë prej atyre diskutimeve. Kështu iu përgjigj ambasadorja e SHBA-ve Angela Ageler pyetjes së Portalb.mk se nëse SHBA-të do të ndihmojnë në çështjen midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në mënyrë që të hapet rruga për në BE, pasi në Bruksel po flitet […]

dhjetor 17, 2024 - 14:00
 0  4
Ageler: Nuk jemi pjesë e shumë prej diskutimeve, por duam ta shohim RMV-në brenda BE-së 
Ambasadorja e SHBA-ve në RMV Angela Ageler. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ne nuk jemi pjesë e BE-së dhe kështu nuk jemi pjesë e shumë prej atyre diskutimeve. Kështu iu përgjigj ambasadorja e SHBA-ve Angela Ageler pyetjes së Portalb.mk se nëse SHBA-të do të ndihmojnë në çështjen midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në mënyrë që të hapet rruga për në BE, pasi në Bruksel po flitet për shumë aktivitete diplomatike në këtë drejtim dhe nëse SHBA-të janë të përfshira në këtë proces.

Ambasadorja Ageler shpreson që këto diskutime të jenë të suksesshme dhe fundi të jetë anëtarësimi i RMV-së në BE.

“Ne nuk jemi pjesë e BE-së dhe kështu nuk jemi pjesë e shumë prej atyre diskutimeve. Por unë do të them atë që kemi thënë më parë në Uashington dhe këtu në Shkup dhe gjithashtu miku im në Sofje, ambasadori ynë atje. Ne do të donim shumë ta shihnim Maqedoninë e Veriut brenda Bashkimit Evropian dhe shpresojmë që diskutimet të jenë të suksesshme dhe të frytshme, sepse e ardhmja e begatë, e suksesshme dhe e sigurt e këtij vendi është brenda BE-së, është në zemër të Evropës, aty ku përket”, tha Ageler. 

Pak ditë më parë, ambasadori i BE-së në RMV Mihailis Rokas i pyetur nga Portalb.mk për për zgjidhjen kreative franko-gjermane e cila është përmendur nga përfaqësues të BE-së, dhe e cila nënkupton garanci që Bullgaria mos të bllokojë më tej RMV-në me çështje dypalëshe në rrugën drejt BE-së, e cila është kërkesë edhe e lidershipit në RMV, tha se në këtë moment ka shumë aktivitete diplomatike rreth kësaj çështjeje. 

“Unë mendoj se BE-ja e ka bërë të qartë se zgjerimi është prioritet kryesor, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut. Në këtë moment, udhëheqja e re po bën shumë përpjekje për të ndihmuar vendin dhe ne si Delegacion i BE-së këtu për të ndihmuar në zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme për të arritur sa më shpejtë deri në fund,dhe për të shfrytëzuar këtë moment të mundësisë, prandaj çdo mbështetje apo dhe përpjekjet e gjera diplomatike për të ecur përpara sa më shpejt që të jetë e mundur janë shumë të mirëseardhura”, tha Rokas. 

Javën tjetër do të mbahet Samiti BE – Ballkani Perëndimor dhe kjo shihet si një mundësi shtesë për përparim në këtë drejtim.

Megjithatë, kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski i cili do të udhëtojë për në Bruksel, ka theksuar se RMV-ja nuk është në fokus të administratës aktuale në Bruksel, duke shtuar se nuk ka garanci për ndryshimet kushtetuese.

“Unë do të nisem për në Bruksel të martën, do të kthehem të enjten. Mesazhet nga atje nuk janë të qarta, por mesazhi ynë është i qartë. Ne kemi bërë mjaft, si asnjë vend tjetër në BE, dhe tani ju shihni një vend duke vënë veton ndaj një tjetri. E shohim që vetoja po bëhet praktikë. Ne i bëjmë reformat sipas monitorimit. Nuk jemi kërcënim, dhe meqenëse ka politikanë që kanë vendosur të mbështeten te politikanët që jetojnë në Mesjetë, ne nuk mund të bëjmë asgjë këtu. Ne si qeveri nuk do të bëjmë asnjë lëshim, nëse ata gjejnë një qeveri tjetër atëherë është mirë. Por ne nuk do të bëjmë asnjë lëshim. Përndryshe mund të konstatoj se, ne si shtet, Ballkani Perëndimor nuk jemi në fokus të kësaj administrate të Brukselit”, tha Mickoski. 

Ai ka thënë gjithashtu se vendi është i gatshëm të bëjë ndryshimet kushtetuese, por që kjo mos të shërbejë vetëm për hapjen e negociatave por që procesi të mbarojë me sukses dhe jo të ketë bllokada të tjera. 

Komisionerja e re për zgjerim e BE-së Marta Kos në konferencën e organizuar nga “Miqtë e Evropës” në Bruksel tha se do të bëjë gjithçka që është e mundur që çështjet dypalëshe të mos bëhen pengesë e përhershme në rrugën drejt BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.