Agjencia e Ushqimit kreu kontrolle në Shkup, Manastir dhe Ohër, asgjësoi ushqime me afat të skaduar
Pothuajse dy tonë ushqime të pasigurta dhe të skaduara janë tërhequr nga disa kioska në Shkup dhe janë asgjësuar me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), transmeton Portalb.mk. Kontrolli, siç njoftojnë nga AUV, është kryer me iniciativë nga qytetarët. “Një sasi e madhe ushqimesh të pasigurta dhe të skaduara u gjet në një […]
Pothuajse dy tonë ushqime të pasigurta dhe të skaduara janë tërhequr nga disa kioska në Shkup dhe janë asgjësuar me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), transmeton Portalb.mk.
Kontrolli, siç njoftojnë nga AUV, është kryer me iniciativë nga qytetarët.
“Një sasi e madhe ushqimesh të pasigurta dhe të skaduara u gjet në një operator ushqimor që operon me kioska. Për shkeljen e konstatuar, shërbimet inspektuese të Agjencisë kanë nxjerrë vendim për asgjësimin e 1920 kilogramëve ushqime të pasigurta të tërhequra nga disa kioska të operuara nga operatori”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Për veprën e kryer, shtojnë ata, është shqiptuar gjobë.
Përveç në Shkup, inspektorët gjetën ushqime të pasigurta edhe në një objekt hotelierik në Manastir.
Në objekt kishte 241 kilogramë ushqime të pasigurta, të cilat u asgjësuan në mënyrë të sigurt pas vendimit të inspektorit.
Kompania ku është gjetur ushqimi, shton AUV, është dënuar me gjobë prej 600 euro në kundërvlerë në denarë, ndërsa personi përgjegjës është dënuar me gjobë prej 300 euro.
Përveç ushqimeve të pasigurta të gjetura, kjo kompani dhe përgjegjësi i saj u gjobitën edhe për moskryerjen e kontrolleve të detyrueshme shëndetësore për punonjësit. Për këtë, gjobat që duhet të paguajnë janë 300 dhe 150 euro.
Në Ohër, gjatë kontrollit të rregullt, inspektorët në një market kanë gjetur produkte të ngrira të mishit dhe mish i ngrirë i padeklaruar dhe i skaduar. Gjoba për marketin është 1400 euro. Në këtë qytet, shtoi AUV, është gjobitur edhe një mishtore për moskryerjen e kontrolleve të detyrueshme shëndetësore të punonjësve të saj.