Zafirovski: Çdo i shtati i porsalindur në nivel botëror do të vuajë nga probleme me mushkëri për shkak të ndotjes së ajrit
Sipas statistikave të fundit të Shoqatës Amerikane të Pulmologjisë, çdo i shtati i porsalindur do të ketë probleme me mushkëritë si pasojë e ndotjes globale të ajrit, tha Oliver Zafirovski, drejtor i Klinikës për Pulmologji, para ceremonisë zyrtare të ndarjes së çmimeve për punonjësit e kësaj Klinike. Përveç punonjësve të klinikës, në këtë aktivitet morën […]
Sipas statistikave të fundit të Shoqatës Amerikane të Pulmologjisë, çdo i shtati i porsalindur do të ketë probleme me mushkëritë si pasojë e ndotjes globale të ajrit, tha Oliver Zafirovski, drejtor i Klinikës për Pulmologji, para ceremonisë zyrtare të ndarjes së çmimeve për punonjësit e kësaj Klinike. Përveç punonjësve të klinikës, në këtë aktivitet morën pjesë edhe ministri i Shëndetësisë dhe zëvendëskryeministri Arben Taravari, transmeton Portalb.mk.
Duke folur për fëmijët dhe ndjeshmërinë e tyre ndaj zhvillimit të sëmundjeve të mushkërive, Zafirovski theksoi se edhe gjatë shtatzënisë, përmes nënës, fëmijët vuajnë nga ndotja e ajrit.
“Sipas statistikave të reja që ka Shoqata Amerikane e Pulmologjisë, çdo i shtati i porsalindur do të ketë probleme me mushkëritë. Mushkëritë e tyre janë delikate dhe janë më të ndjeshme ndaj ndotjes së ajrit. Më së miri është të mbrohemi me maskë, nëse nuk kemi maskë – shall, të mos ecim jashtë kur ka ndotje enorme”, tha Zafirovski.
Si pasojë e ndotjes së ajrit, ai informoi se është rritur numri i personave që kontrollohen në ambulancat e klinikës, si dhe është rritur edhe numri i pacientëve të shtruar.
“Pacientët që kanë sëmundje pulmonare obstruktive kronike (SPOK), si dhe ata që kanë astmë, duhet të fillojnë terapinë përpara se të ndodhë ndotja e ajrit. Kemi një numër të shtuar të pacientëve, kështu është në dimër te ne. Klinika ka qenë plot muajt e fundit, por edhe pse ambientet janë plot, asnjë pacient nuk është larguar. Më shpesh kanë SPOK, astmë dhe sëmundje të tjera të mushkërive”, shtoi Zafirovski.
Përndryshe, Irfan Ismaili është shpallur mjeku më i mirë i Klinikës, kurse Elizabeta Sajkova Angelovska infermierja më e mirë. Zafirovski informoi se aktualisht kanë dy doktorë të cilët tashmë kanë mbrojtur doktoraturën dhe kanë edhe një doktorant të ri.
Kujtojmë se sipas raportit të UNICEF-it, në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.
Edhe Instituti i Shëndetit Publik që në fillim të vitit 2024 e publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë dhe rreziqet ndaj shëndetit”, sipas të cilit pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.