Ahmeti: Mu ofrua në tavolinë, por refuzova ndarjen e Maqedonisë – do kishte luftë për territore

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, ka zbuluar se para nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit i është propozuar në tavolinë ndarja e Maqedonisë. Në një intervistë ekskluzive në mediat shqiptare, ai tha se kjo do të sillte pasoja të rënda. Ahmeti theksoi se propozimi i kishte ardhur nga qeveria e atëhershme maqedonase, e drejtuar nga Ljubço […]

Prill 14, 2026 - 23:30
Ahmeti: Mu ofrua në tavolinë, por refuzova ndarjen e Maqedonisë – do kishte luftë për territore

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, ka zbuluar se para nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit i është propozuar në tavolinë ndarja e Maqedonisë. Në një intervistë ekskluzive në mediat shqiptare, ai tha se kjo do të sillte pasoja të rënda.

Ahmeti theksoi se propozimi i kishte ardhur nga qeveria e atëhershme maqedonase, e drejtuar nga Ljubço Georgievski, por u refuzua pasi sipas tij do të çonte në luftë për territore dhe zhvendosje masive të popullsisë.

“Ne kemi pranuar marrëveshjen paqësore të Ohrit si zgjidhje më e mirë, vërtetë kompromis, por zgjidhja tjetër nuk ishte aq e lumtur, nuk ishte aq e mirë, por ishte e dhimbshme edhe për maqedonët edhe për shqiptarët, sepse mua mu vendos në tavolinë propozimi për ndarjen e Maqedonisë, nga qeveria e Maqedonisë, kryeministër Georgievski. Mirëpo nuk ishte zgjidhja më e mirë, ishte zgjidhje që do shkaktonte përplasje shumë më të mëdha. Do merrte shumë jetë njerëzish sepse lufta do zhvillohej për territore. Sepse ai propozim i Georgievskit e përkufizonte dhe nga 30% shqiptarët sa janë në Republikën e Maqedonisë në një hapësirë territori diku rreth pesë gjashtë përqind, kryesisht ishte Tetovë, Gostivar dhe vendlindja ime Zajazi dhe Oslomeja. Po pa Kërçovën, pa Strugën, pa Shkupin, pa Kumanovën, pa Prespën, pa Manastirin, pa Velesin e Ohrin. E dhimbshme për të dy palët. Duheshe të dëbohen 260.000 shqiptarë nga tokat e veta dhe 60.000 maqedonas të dëbohen gjithashtu nga tokat e veta që jetonin në pjesën me shumicë shqiptare. Dhimbja do ishte e njëjtë për të dy palët”, u shpreh ai.

Sipas Ahmetit, zgjidhja më e mirë mbeti Marrëveshja e Ohrit, pavarësisht se ishte kompromis dhe nuk kënaqi plotësisht asnjërën palë. Ai kujtoi se marrëveshja solli përparime të rëndësishme për shqiptarët, si legalizimi i Universitetit të Tetovës, rritja e përfaqësimit në institucione dhe përdorimi më i gjerë i gjuhës shqipe.

“Nuk jam i penduar sepse nuk i shkaktova dhimbje më të mëdha as shqiptarëve, por as edhe maqedonasve. Nuk u shkaktova dhimbje dhe nuk pendohem për këtë zgjidhje. Dhe marrëveshja përparoi mjaft. U legalizua Universiteti i Tetovës. Gjuha shqipe hyri në fillimet e saj në përdorim, në institucionet e shtetit, presidenca, qeveria, kuvendi, të gjitha janë edhe në gjuhën shqipe. Materialet filluan të komunikojnë, pasi u miratua ligji përdorimin e gjuhëve, se para përdorimit të gjuhëve ishte përdorimi i kufizuar. Shqiptarët përparuan në administratë nga 2%, 1%, 0.5%, 5% nëpër institucion që ishin të përfaqësuar shkoi përfaqësimi në 21-22%. Pas miratimit të ligjit të gjitha institucionet qendrore të gjithë me mbishkrim në gjuhën shqipe, ministritë, filloi komunikimi me komunat në dy gjuhët edhe në gjuhën shqipe, sepse se gjuha shqipe sipas marrëveshjes së nënshkruar dhe të garantuar nga Amerika, Evropa dhe NATO, gjuhën të cilën e flasin mbi 20% në Republikën e Maqedonisë atëherë ishte ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj në të gjitha institucionet shtetërore, në të gjitha nivelet, siç do të përcaktohet me ligj dhe ne për 15 vite nuk e kemi mbyllur ligjin e gjuhës, e kemi avancuar, kemi bërë ca hapa”, theksoi ai.