Mickoski: Në mbledhjen qeveritare u miratuan 500 milionë euro të reja nga Hungaria, të destinuara për shlyerjen e eurobondit të marrë nga qeveria e kaluar

Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë pjesëmarrjes në Studion e Hapur të RTVM-së me temë “Buxheti 2025”, deklaroi se dje, në seancën e qeverisë, janë miratuar 500 milionë euro të reja nga Hungaria të cilat do të përdoren për shlyerjen e eurobondit të marrë nga qeveria e kaluar dhe theksoi se Qeveria po shlyen detyrimet e trashëguara, […]

dhjetor 11, 2024 - 12:00
 0  6
Mickoski: Në mbledhjen qeveritare u miratuan 500 milionë euro të reja nga Hungaria, të destinuara për shlyerjen e eurobondit të marrë nga qeveria e kaluar
Kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë pjesëmarrjes në Studion e Hapur të RTVM-së me temë “Buxheti 2025”, deklaroi se dje, në seancën e qeverisë, janë miratuar 500 milionë euro të reja nga Hungaria të cilat do të përdoren për shlyerjen e eurobondit të marrë nga qeveria e kaluar dhe theksoi se Qeveria po shlyen detyrimet e trashëguara, transmeton Portalb.mk.  

“Sot, pas negociatave të gjata dhe të vështira, në seancën qeveritare u miratua pjesa e dytë e kredisë hungareze, 500 milionë euro të tjera. Para zgjedhjeve, folëm për 1 miliardë euro, kur siguruam 500 milionët e para, u kritikuam se ishin vetëm 500, ku janë të tjerat, e ne thoshim keni durim, nuk duam që tani të shpenzojmë edhe gjysmën tjetër sepse do të duhet të paguajmë interes. Do ta mbyllim këtë marrëveshje kur të jetë e nevojshme, dhe kjo është tani, sepse më 25 janar skadon afati i eurobondit të marrë në vitin 2018 nga qeveria e kaluar, për të cilin nevojiten 500 milionë euro për ta shlyer”, theksoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski sqaroi se, nëse sot do të dilnin me vlerësimin aktual të kredisë dhe do ta krahasonin me shtete me vlerësim shumë më të mirë kreditor, të cilat marrin eurobonde me një normë interesi prej 5%, atëherë ne nuk mund të prisnim një eurobond me normë më të ulët se 6%, ndërsa tani, thotë ai, siguruar një hua me normë interesi prej 3.25%, që është për 2.75% më e ulët se ajo e tregut.

“Në 500 milionë euro kur i llogarisim të gjitha këto, afati i maturimit prej 15 vitesh, kursimi arrin deri në 200 milionë euro. Ne do të marrim hua për të shlyer hua, përkatësisht qeveritë dhe gjeneratat e ardhshme nuk do të kenë më eurobonde për të shlyer. Këto pritet të jenë funksionale nga viti i ardhshëm. Ndërsa 250 milionë eurot e mbetura, kemi thënë, do të vihen në dispozicion të sektorit të biznesit përmes Bankës Maqedonase për Ripërtrirje dhe Zhvillim, përkatësisht bankave komerciale, me normë interesi prej 1.95%, me grejs periudhë deri në 3 vjet dhe afat shlyerjeje deri në 15 vjet – kushte që mendoj se asnjë kompani në Maqedoni dhe madje as në rajon nuk i ka në këtë moment,” tha kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski shtoi se pjesa tjetër e 250 milionë eurove do të përdoret për investime kapitale në komuna, për projekte infrastrukturore, rrugë, ujësjellës, stacione për trajtimin e ujërave të zeza, shkolla, kopshte dhe të tjera.

“Kështu që me këtë 1 miliardë euro të premtuar, ne përmbushim tre synime. Së pari, marrim hua për të shlyer hua, duke ulur barrën për qeveritë e ardhshme. Së dyti, investojmë në projekte kapitale për komunat, duke përmirësuar jetën e 250-300 mijë familjeve. Së treti, mbështesim komunitetin e biznesit dhe arrijmë deri te të gjithë qytetarët”, përfundoi kryeministri Mickoski.

Ndryshe, transferimi i mjeteve nga kredia hungareze për kompanitë do të fillojë në janar.

“Pres që transferimi i mjeteve të fillojë në janar, ka qenë një mbledhje operative në Ministrinë e Financave, janë përcaktuar hapat, një marrëveshje me njërën palë dhe me tjetrën. Ka procedura formale që duhen ndjekur”, tha Mickoski.

Sipas tij, është mirë që kompanitë me kredinë të rrisin numrin e produkteve, të mos vërehet rritje vetëm në ofertën monetare.

Kompanitë në vend do të mund të shfrytëzojnë 250 milionë euro nga kredia hungareze.

Bëhet fjalë për kredi prej 500 milionë eurove nga Hungaria me normë interesi prej 3,25 përqind, me periudhë të pagesës prej 15 vjet, gjegjësisht grejs periudhë e përfshirë prej tre viteve. Ato të holla do të hyjnë si mjete në buxhet, prej nga 250 milionë euro do të orientohen drejt Bankës Zhvillimore, ndërsa ajo përmes bankave komerciale duhet t’i plasojë në sektorin privat për investime, ndërsa 250 milionë eurot e tjera janë të dedikuara për projekte infrastrukturore, gjegjësisht për financim të komunave.

Ndryshe, Kuvendi i RMV-së më 11 shtator votoi huamarrjen në vlerë prej 500 milionë eurove nga Hungaria.