“Ai vetëm më shtyu, skuqjen e kam nga alergjia, ndërsa lëndimet nga nervozizmi”, turpi nga dhuna në familje më i fuqishëm se dhimbja

“Pse nuk largohet nga ai, meqë ai e rreh?”, “Pse vazhdon të rrijë me një njeri të tillë?”, “Le t’i marrë fëmijët dhe le të ikë!”, janë vetëm disa nga narrativet për gratë viktima të dhunës në familje. Gjykimet morale hasen në çdo hap, pa u marrë parasysh shumë çështje të hapura – a mundet […]

gusht 2, 2024 - 11:30
 0  7
“Ai vetëm më shtyu, skuqjen e kam nga alergjia, ndërsa lëndimet nga nervozizmi”, turpi nga dhuna në familje më i fuqishëm se dhimbja
Dhuna në RMV. Ilustrim në Canva

“Pse nuk largohet nga ai, meqë ai e rreh?”, “Pse vazhdon të rrijë me një njeri të tillë?”, “Le t’i marrë fëmijët dhe le të ikë!”, janë vetëm disa nga narrativet për gratë viktima të dhunës në familje. Gjykimet morale hasen në çdo hap, pa u marrë parasysh shumë çështje të hapura – a mundet një grua ekonomikisht e varur të gjejë forcë të mjaftueshme për t’i tejkaluar të gjitha pengesat institucionale, të largohet nga shtëpia dhe të fillojë një kapitull të ri të jetës së saj bashkë me fëmijët e saj, transmeton Portalb.mk.

Muajt ​​e fundit, pasi Meta.mk filloi serinë e teksteve për dhunën në familje, redaksinë e kanë kontaktuar një numër i madh i viktimave të dhunës në familje, organizata joqeveritare, ekspertë dhe njerëz të afërt me viktimat.

Dëgjuam për shumë fate të grave që prej vitesh kanë qenë viktima të dhunës në familje, por edhe për gra që kanë marrë guximin të largohen nga mjedisi toksik, bashkë me fëmijët e tyre dhe që tani jetojnë në kushte substandarde, me të ardhura të ulëta, duke luftuar çdo ditë që rishtaz të ndërtojnë një jetë të re. Prandaj, gjykimet morale jo gjithmonë përputhen me realitetin kur bëhet fjalë për dhunën në familje, sepse ajo që përjetojnë viktimat nuk mund të përmblidhet në vetëm disa fjalë, si p.sh. “pse nuk largohet”.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Juristëve të Rinj të Maqedonisë gratë janë viktima më të shpeshta të dhunës në familje dhe dhunës gjinore, ndërsa në familjet ku ka fëmijë ato janë viktima edhe të drejtpërdrejta dhe të tërthorta të dhunës në familje. Sa i përket nacionalitetit viktimat i përkasin të gjitha nacionaliteteve, por përqindja më e madhe e viktimave të raportuara të dhunës në familje janë të përkatësisë etnike maqedonase, pastaj asaj shqiptare, rome dhe nga nacionalitetet e tjera.

“Përqindja më e madhe e viktimave të dhunës në familje janë në martesë me personat që janë në rolin e dhunuesit, por ka edhe një përqindje më të vogël kur dhunuesi janë ish-bashkëshortët. Sa i përket arsimit në shumicën e rasteve viktimat kanë arsim të mesëm dhe në të shumtën e rasteve nuk janë të punësuar – nuk fitojnë të ardhura ose fitojnë të ardhura minimale, të cilat si faktorë luajnë një rol kyç në marrjen e vendimit për tu larguar nga dhunuesit”, thonë nga Shoqata e Juristëve të Rinj.

E gjithë kjo shihet shumë qartë nga aktgjykimet për krime që kanë të bëjnë me dhunën në familje, si dhe nga kallëzimet penale të dorëzuara nga policia, të cilat tashmë prej disa muajsh i analizon Meta.mk.

Nga muaji janar i vitit 2020 deri në mars të këtij viti janë regjistruar gjithsej 4.484 denoncime për dhunë në familje, ndërsa autorët në 91 përqind të rasteve kanë qenë burra.

Viktimat më të shpeshta të dhunës në familje janë bashkëshortet, nënat, baballarët ose gratë në bashkësi jashtëmartesore.

Infografik: Meta.mk
Infografik: Meta.mk

Nuk ka faj vetëm ai, faj kam edhe unë“

Më 4 qershor të vitit 2022 rreth orës 15:00 në shtëpinë e tij një burrë i kërkon para partneres së tij. Ajo nuk i jep para dhe ai fillon ta dhunojë. Në aktgjykimin e gjykatës thuhet se gruaja ka pasur lëndime të rënda fizike në formë të kontuzionit në pjesën e kokës, gjakderdhje subaraknoidale në hapësirën subaraknoidale, ënjtje të fytyrës, hemorragji në kraharor në anën e majtë dhe në krahun e majtë. Pasi ka ndaluar së godituri, burri është larguar në drejtim të panjohur. Gjatë aktit të dhunës në shtëpi ka qenë prezent edhe fëmija i tyre i mitur.

Burri në fjalë me aktgjykim të shkallës së parë të Gjykatës Themelore Penale në Shkup është dënuar me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse, gjegjësisht ai do të dënohet me një vit burg vetëm nëse e përsërit veprën në 3,5 vjetët e ardhshëm.

Aktgjykimi për këtë ngjarje u dha brenda më pak se një viti pas incidentit – në qershor të vitit 2023. Por në atë kohë gruaja del para gjykatës me një deklaratë krejtësisht ndryshe nga ajo që pati dhënë fillimisht në institucionin mjekësor ku ajo u ekzaminua. Ajo deklaron se burri në fjalë vetëm e ka shtyrë dhe se ajo ka rënë dhe gjatë rënies ka pësuar lëndime. Krahas kësaj, ajo shton se skuqja ka qenë si pasojë e alergjisë dhe se edhe nga lëndime të lehta asaj i janë shfaqur skuqje në lëkurë. Për dëmtimet në fytyrë, gruaja në gjykatë ka deklaruar se ato i janë shkaktuar nga nervozizmi.

Ajo nuk i është bashkuar ndjekjes penale të partnerit të saj, me të cilin vazhdon të jetojë në të njëjtën bashkësi, bashkë me birin e tyre.

“Ky nuk ka qenë rasti i parë që i pandehuri e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën, e njëjta gjë ka ndodhur edhe më parë, por incidenti nuk ka marrë epilog gjyqësor për shkak se se e dëmtuara e ka tërhequr kallëzimin për arsye që vetëm ajo i di. Gjykata gjatë analizimit të dëshmisë të të dëmtuarës do të theksojë se ka qenë më se e qartë se ajo ka tentuar ta mbrojë të pandehurin, me qëllim që ta zvogëlojë përgjegjësinë e tij penale, duke deklaruar se të dy kanë qenë fajtorë dhe kanë gabuar”, thuhet në aktgjykimin e gjykatës.

Mirëpo, edhe krahas gjithë kësaj, gjykata i shqipton atij dënim me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse – pra “shfrytëzim të kohës së lirë sipas vlerësimit të organit kompetent në përputhje me ligjin, ndërsa mbikëqyrja mbrojtëse të zgjasë për një periudhë prej 2 vjetësh, duke filluar nga dita e hyrjes në fuqi të aktgjykimit”.

Viktimat e dhunës në familje përballen me dënim, turp dhe izolim

Ka një numër të madh rastesh si rasti më sipër. Viktimat shpesh nuk kanë guxim të denoncojnë nga frika se si do të bëhej jeta e tyre nëse e bënin një gjë të tillë.

Ndodh shpesh që Qendra Familjare e Shoqatës HERA të jetë vendi i parë ku viktimat e dhunës në familje gjejnë guximin të drejtohen, ta raportojnë dhunën dhe të kërkojnë ndihmë.

Stefanija Sredarska. Foto: Arkivi personal
Stefanija Sredarska. Foto: Arkivi personal

“Gjithashtu, shpeshherë ndodh që viktimat e dhunës në familje fillimisht të kenë një rezistencë ndaj raportimit të dhunës tek institucionet. Kjo mund të jetë si rezultat i disa arsyeve. Fillimisht, ekziston frika nga përsëritja ose përshkallëzimi i dhunës si rezultat i raportimit, gjë që i bën viktimat të kenë më shumë kujdes. Pastaj, mosbesimi ndaj institucioneve luan një rol të rëndësishëm – shumë viktima janë skeptike nëse institucionet do t’i mbrojnë dhe mbështesin në mënyrën e duhur”, thotë Stefanija Serdarska nga Shoqata HERA.

Sipas saj ky mosbesim është shpesh rezultat i përvojave të mëparshme negative apo perceptimeve për joefikasitetin e sistemit.

“Dhe në fund, stigmatizimi social dhe etiketimi mund t’i pengojnë viktimat që të kërkojnë ndihmë. Për fat të keq në vendin tonë viktimat e dhunës në familje ende përballen me dënim, turp dhe izolim, gjë që e vështirëson edhe më shumë procesin e raportimit dhe kërkimit të mbështetjes. Për shkak të këtyre faktorëve është me shumë rëndësi që institucionet të punojnë në ndërtimin e besimit, ofrimin e mënyrave të sigurta dhe diskrete të raportimit, si dhe ndërgjegjësimin e publikut për problemin e dhunës në familje dhe zvogëlimin e stigmës që e rrethon atë”, shton Serdarska.

Si deri te ndihma?

Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë është e autorizuar të ofrojë ndihmë juridike primare në pajtim me Ligjin për Ndihmë Juridike Falas. Sipas këtij ligji, viktimave të dhunës në familje u ofrohet ndihmë juridike falas në pjesën për procedurën civile për shqiptimin e masave të përkohshme për mbrojtje nga dhuna në familje.

“Viktima vetëm duhet të regjistrohet si viktimë në Qendrën kompetente për punë sociale, për çka është e nevojshme të dorëzojë vërtetim. Kërkesa për ndihmë juridike falas nënkupton caktimin e një avokati nga Ministria e Drejtësisë, i cili do të jetë i ngarkuar me përfaqësimin e viktimës gjatë kohëzgjatjes së procesit gjyqësor (të gjitha fazat e procesit gjyqësor civil lidhur me caktimin e masave të përkohshme për mbrojtje kundër dhunës në familje). Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të theksohet se në procedurat për shqiptimin e masave të përkohshme për mbrojtje nga dhuna në familje nuk merret parasysh gjendja materiale, financiare dhe pasurore e parashtruesit, përkatësisht viktimës”, thonë nga Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë.

Edhe pas daljes nga strehimorja, viktimat shpesh kthehen te dhunuesi

Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje është një rrjet i përbërë nga 23 organizata që duan të veprojnë për t’i ndryshuar politikat dhe për ta përmirësuar sistemin e mbrojtjes për gratë dhe fëmijët që janë viktima të dhunës.

Elena Dimushevska, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, shpjegon se ata punojnë për sigurimin e një ndihme të drejtpërdrejtë për gratë dhe menaxhojnë tre qendra për mbështetjen e grave. Ata kanë qendra strehimi, qendra krizash, psikologë, punonjës socialë, realizojnë këshillim për karrierë, këshillim ligjor dhe përfaqësim ligjor.

Elena Dimushevska. Foto: Arkivi personal
Elena Dimushevska. Foto: Arkivi personal

“Kur një grua është ekonomikisht e pavarur, ne e zvogëlojmë mundësinë që ajo të kthehet te dhunuesi. Një numër i madh i viktimave edhe pas daljes nga strehimorja i kthehen autorit sepse nuk kanë mjete financiare për ta mbajtur veten. Gruaja duhet të sjellë ushqim për vete dhe për fëmijët, kështu që nëse duhet të jetojë në mjedis të dhunshëm ajo është e gatshme të sakrifikohet që fëmijët e saj të kenë diçka për të ngrënë dhe një vend për të fjetur”, thotë Dimushevska.

Ajo shpjegon edhe se jo të gjitha viktimat e dhunës në familje drejtohen në qendrat qytetare për ndihmë sepse policia dhe qendrat për punë sociale nuk i dërgojnë viktimat në organizatat civile. Gratë zakonisht drejtohen tek ata me rekomandim nga miqtë ose viktimat e tjera.

“Kur një grua vjen te ne, fillimisht flet me një punonjës social dhe bëhet vlerësimi i rrezikut. Shumë shpesh kur gratë vijnë tek ne, ose ende nuk e kanë raportuar dhunën, ose e kanë raportuar por nuk është ndërmarrë asgjë. Së pari, ne shohim nëse viktima ka ku të shkojë nëse largohet nga shtëpia, sepse nëse nuk ka ku të shkojë, ne duhet të sigurojmë një apartament që do ta paguanim ne, ndërsa në strehimore shkojnë vetëm gratë që janë në rrezik të lartë ose kanë marrë kërcënim për jetën, thotë Dimushevska.

Akomodimi intervent sigurohet në një gjendje akute dhune kur ekziston një kërcënim serioz për jetën dhe shëndetin e viktimës për një kohëzgjatje nga 24 deri në 72 orë. Gruaja që vendoset në një strehimore është e izoluar nga bota e jashtme, nuk ka telefon dhe nuk del jashtë. Nëse është e punësuar, ajo duhet ta lërë punën, madje edhe fëmijët e saj bëjnë pushim nga shkolla, situatë kjo me të cilën pajtohen shumë gra.

Krahas kujdesit, për ta tejkaluar traumën, viktimave mund tu sigurohet mbrojtje, ndihmë dhe mbështetje psikosociale, këshillim ligjor, përfshirje në masa aktive për punësimin e viktimës për marrë pjesë në tregun e punës dhe për të arritur pavarësi financiare dhe shërbime të tjera në varësi të nevojave të viktimës. Shërbimi i qëndrimit të përkohshëm mund të zgjasë maksimumi tre muaj, me mundësi vazhdimi më së shumti deri në një vit.

Si është profili i autorëve të dhunës në familje?

Infografik: Meta.mk
Infografik: Meta.mk

Sipas numrit më të madh të rasteve të raportuara në HERA, autorët janë burra në moshë nga 40-60 vjet.

“Shumica e autorëve janë me arsim të mesëm, ndërsa sa i përket kriterit për punësim, gjysma janë të regjistruar zyrtarisht dhe në një marrëdhënie punë, ndërsa pjesa tjetër fitojnë para pa u regjistruar zyrtarisht në punë”, thonë nga HERA.

Por këta faktorë të mësipërm janë vetëm një numër demografik që mund të mos i japë një përgjigje të plotë pyetjeve se pse ndodh dhuna.

Por këta faktorë të lartpërmendur janë vetëm një numër demografik që mund të mos u japë një përgjigje të plotë pyetjeve se pse ndodh dhuna.

“Numri më i madh i dhunuesve të raportuar janë persona që abuzojnë me alkoolin dhe edhe vetë vijnë nga familje jofunksionale, si dhe persona që kanë sëmundje të caktuara psikologjike/psikiatrike, nga të cilat si formë më e shpeshtë e sëmundjes psikiatrike është skizofrenia”, theksojnë nga HERA.

Sipas Dimushevskës, karakteristikë kryesore e autorëve të dhunës në familje është se ata zakonisht janë të dhunshëm vetëm në shtëpi, ndaj partnerëve dhe ndonjëherë edhe ndaj fëmijëve.

“Ata janë të pasigurt për veten dhe maskulinitetin e tyre. Kryerja e dhunës është një mënyrë për të demostruar fuqi. Ndjenjat e tyre personale të pasigurisë dhe vetëvlerësimit të ulët në cilësitë e tyre ata i maskojnë duke treguar pushtet mbi partnerët e tyre”, thotë Dimushevska.

Ligji për Familjen ndalon çdo lloj dhune ndërmjet anëtarëve të familjes, pa dallim të gjinisë dhe moshës.

Me dhunë në familje nënkuptojmë ngacmim, fyerje, kërcënim për sigurinë, lëndim fizik, seksual ose dhunë tjetër psikologjike ose fizike që shkakton ndjenjën e pasigurisë, kërcënimit ose frikës ndaj bashkëshortit, prindërve ose fëmijëve ose personave të tjerë që jetojnë në një marrëdhënie martesore ose jashtëmartesore, komunitet ose familje të përbashkët; ish-bashkëshortit ose personave që kanë një fëmijë të përbashkët ose janë në një marrëdhënie të ngushtë personale, duke përfshirë marrëdhëniet që rrjedhin nga birësimi dhe kujdestaria; vëllezërit e motrat, gjysmë vëllezërit dhe gjysmë motrat; anëtarëve më të vjetër në familje ose në familje të përbashkët; personave – anëtarëve të familjes ose të familjes së përbashkët të cilëve iu është hequr pjesërisht ose plotësisht aftësia afariste.

Nga aspekti ligjor, me marrëdhënie të ngushta personale nënkuptohen marrëdhëniet personale ndërmjet personave që janë ose kanë qenë në marrëdhënie partnere, por nuk jetojnë në bashkësi jashtëmartesore.

(Vazhdon)