Aktakuzë ndaj biznesmenëve Pulaj dhe Batatina për faturat fiktive, në vlerë prej 18 milionë eurosh

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj biznesmenit Feim Pulaj dhe pronarit të biznesit “Batatina BB”, Bedri Batatina për veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”. Prokuroria njofton se ka pushuar pjesërisht hetimin ndaj zyrtarëve të Agjencisë Tatimore të Kosovës (ATK): Adil Paçarizi, Agim Rama, Avdi Jakupi, Gazmend Gjocaj, Lisjeta Krasniqi-Fejzullahu, Masar Zejnullahu

tetor 9, 2025 - 18:00
 0
Aktakuzë ndaj biznesmenëve Pulaj dhe Batatina për faturat fiktive, në vlerë prej 18 milionë eurosh
Aktakuzë ndaj biznesmenëve Pulaj dhe Batatina për faturat fiktive, në vlerë prej 18 milionë eurosh

Aktakuzë ndaj biznesmenëve Pulaj dhe Batatina për faturat fiktive, në vlerë prej 18 milionë eurosh

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj biznesmenit Feim Pulaj dhe pronarit të biznesit “Batatina BB”, Bedri Batatina për veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”.

Prokuroria njofton se ka pushuar pjesërisht hetimin ndaj zyrtarëve të Agjencisë Tatimore të Kosovës (ATK): Adil Paçarizi, Agim Rama, Avdi Jakupi, Gazmend Gjocaj, Lisjeta Krasniqi-Fejzullahu, Masar Zejnullahu, Milaim Berisha, Muhamed Rafuna, Murtez Zeqiri, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Vllaznim Krasniqi, Xhemajl Hertica dhe Isen Lipovica. Po ashtu, procedura u pushua ndaj ndërtimtarit Besim Batatina, për veprat penale ‘’Shmangia nga tatimi ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Mashtrimi në detyrë’’ dhe ‘’Shmangia nga tatimi’’.

“Prokurori i shtetit pas zhvillimit të procedurës hetimore, ka marrë aktvendim për pushimin e pjesshëm të hetimeve ndaj të pandehurve: A.P., A.R., A.J., G.GJ., M.Z., M.B., M.R., M.Z., N.B., S.T., V.K., XH.H., I.L., B.B., si dhe F.P. për veprat penale ‘’Shmangia nga tatimi ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ ‘’Mashtrimi në detyrë’’ dhe ‘’Shmangia nga tatimi’’ sipas nenit 419, 414, 284, 307 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas vendimit të 4 shtatorit 2025, ishte pushuar hetimi edhe ndaj Feim Pulajt dhe Bedri Batatinës për “Shmangie nga tatimi” dhe “Keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi”.

Sipas Prokurorisë, Pulaj ka përdorur 23 fatura fiktive të lëshuara nga biznesi “Batatina BB” me personin përgjegjës Batatinën, se kinse ka kryer ndërtimin e hotelit “Lakeside”, me qëllim të shmangies nga tatimi.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri F.P., gjatë muajve Janar- Mars 2020 në Prizren dhe Prishtinë, në cilësi të pronarit të bisnesit ‘’B.K.,’’AG, me dashje ka përdorur ‘’Dokumentet e rrejshme’’, konkretisht njëzetë e tre (23) fatura fiktive në vlerë të përgjithshme prej tetëmbëdhjetë (18) milionë euro të lëshuara nga biznesi ‘B.BB’ sh.p.k., me personin përgjegjës të pandehurin B.B., se kinse ka kryer ndërtimin e hotelit ‘’Lakeside’’ në Vërmicë-Prizren me qëllim të shmangies së pagesës së tatimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), me ç’rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëme matriale në vlerë prej 3,449,016.61 €”, thuhet në njoftim.

Kurse, Bedri Batatina ngarkohet se me qëllim të shmangies nga tatimi, lëshoi 23 fatura fiktive kinse për punët e ndërtimit të hotelit “Lakeside”.

“Poashtu, i pandehuri B.B., gjatë muajve Janar-Mars 2020 në Prishtinë, në cilësi të personit përgjegjës të biznesit ‘’B. BB’’ sh.p.k me dashje dhe me qëllim të mundësimit që biznesi ‘’B.K., AG’’ pronë e të pandehurit F.P., që t’i shmanget pagesës së tatimit në vlerë prej 3, 449,016.61€, i ka lëshuar gjithsej njëzetë e tre (23) fatura fiktive në vlerë të përgjithshme prej tetëmbëdhjetë (18) milionë euro kinse për punët e ndërtimit të hotelit Lakeside në Vërmicë/Prizren edhe pse ndërtimi nuk ishte kryer nga ky biznes, duke i shkaktuar dëm matrial të dëmtuarës Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në vlerë prej 3, 449.016.61€, ndërsa vetë duke i lëshuar këto fatura fiktive i është shmangur pagesës së tatimit në vlerë prej 115,850.31 euro”, njofton Prokuroria.

Me këto veprime, të njëjtit ngarkohen kanë kanë kryer veprën penale ‘’Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin’’ nga neni 308, paragrafi 1,2 dhe 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe te dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.