Ambasadori i Rusisë nuk mori pjesë në darkën e fundvitit, kryeministri Rama: Ishte zgjedhja e rëndë e vendit të tij!
Kryeministri Edi Rama ka pritur mbrëmjen e sotme në një darkë trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri. Të pranishëm në këtë tavolinë ishin të gjithë ambasadorët e huaj me përjashtim të atij rus. Në fjalën e tij para ambasadorëve, Rama u shpreh se do të donte që karrigia e tij të mos ishte bosh, por […]
Kryeministri Edi Rama ka pritur mbrëmjen e sotme në një darkë trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri.
Të pranishëm në këtë tavolinë ishin të gjithë ambasadorët e huaj me përjashtim të atij rus.
Në fjalën e tij para ambasadorëve, Rama u shpreh se do të donte që karrigia e tij të mos ishte bosh, por kjo ishte zgjedhje e rëndë e vendit të tij.
Kreu i qeverisë tha gjithashtu se ambasadori i Rusisë doli nga radhët e paqedashësve, ndërsa uroi për paqe të drejtë për Ukrainën dhe popullin e saj.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh sonte, por mungesa e përfaqësuesit të saj nuk ishte zgjedhja jonë. Ishte zgjedhja e rëndë e vendit të tij, për të dalë nga radhët e paqedashësve me një agresion ushtarak të paprovokuar dhe të padrejtë kundër Ukrainës. Ky akt tragjik në pragun e Europës demokratike ka shkaktuar vuajtje të patregueshme, humbje jetësh të panumërta dhe zgjerim shkatërrimesh. Ukraina dhe populli i saj trim meritojnë admirimin tonë, solidaritetin tonë dhe mbështetjen tonë të patundur. Sjelltë viti i ri paqe, një paqe të drejtë, për Ukrainën dhe popullin e saj!
Shpresoj po ashtu me shpirt që viti i ri të sjellë paqen midis Izraelit dhe Palestinës, që do t’i japë fund vuajtjes se pambarimte të popullit në Gaza e po ashtu kalvarit tronditës të pengjeve që ende mbahen të burgosur në errësirën e bodrumeve mesjetare të Hamasit. Shqipëria beson në mënyrë të palëkundur në zgjidhjen me dy shtete, por më lejoni të jem i qartë, asnjë zgjidhje e qëndrueshme nuk është e mundur sa kohë Hamasi është pjesë e tablosë. Të presësh paqe nën influencën e tyre do të ishte po aq naive sa të përpiqeshe të ndërtoje Europën e pas Luftës së Dytë Botërore përkrah batalioneve të SS-ve.