Analizë: 82% e shqiptarëve në RMV mbështesin aspiratat e vendit për anëtarësim në BE

62% e popullsisë mbështet aspiratat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. 56% e qytetarëve të anketuar që janë maqedonas etnikë mbështesin aspiratat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. 82% e të anketuarve shqiptarë etnikë mbështesin aspiratat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. Këto janë gjetjet kryesore të Analizës […]

shkurt 17, 2025 - 18:00
 0  4
Analizë: 82% e shqiptarëve në RMV mbështesin aspiratat e vendit për anëtarësim në BE
Marko Troshanovski, Instituti pwr Demokraci, Societas Civilis – Shkup. FOTO: Portalb

62% e popullsisë mbështet aspiratat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. 56% e qytetarëve të anketuar që janë maqedonas etnikë mbështesin aspiratat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. 82% e të anketuarve shqiptarë etnikë mbështesin aspiratat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. Këto janë gjetjet kryesore të Analizës së opinionit publik, lidhur me procesin e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian e kryer në vitin 2024, nga Instituti për Demokraci, Societas Civilis – Shkup, shkruan Portalb.mk.

Analiza zbulon se pothuajse 60% e të anketuarve që janë në favor të anëtarësimit në BE janë të motivuar nga pritshmëritë materiale.

“Pothuajse një e treta e popullsisë beson se zhvillimi ekonomik do të përfitojë më shumë nga anëtarësimi i suksesshëm në BE. Ndërsa, nxitësi kryesor janë shpesh përfitimet ekonomike, përfitimet jomateriale, si: reformat demokratike, stabiliteti dhe integrimi kulturor, gjithashtu njihen gjithnjë e më shumë si rezultate pozitive kryesore të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut. 60% e popullsisë nuk beson se përfitimet e anëtarësimit në BE do të jenë të mjaftueshme për të parandaluar largimin e popullatës së re nga vendi”, thuhet në analizën e Institutit.

Kryetari i Institutit për Demokraci, Societas Civilis – Shkup, Marko Troshanovski, gjatë prezantimit të Analizës, theksoi se rënia e lehtë që ishte shënuar vite me radhë, është stabilizuar.

“Mbështetja mbetet në 62 përqind. Rënia e qëndrueshme ose e lehtë që kemi vërejtur për një dekadë po ndalet disi, gjë që nuk do të thotë se në fotografinë e gjerë nuk do të vazhdojë. Megjithatë, mund të konkludojmë se shumica e qytetarëve e mbështesin BE-në. Në pjesën për mbështetjen ndaj BE-së, të anketuarit më të rinj dhe më të vjetër janë ata që shfaqin pavendosmëri. Shënohet rritje ndaj qëndrimeve pozitive ndaj Kinës – te të rinjtë, dhe Rusisë – në mesin e më të moshuarve. Nuk është ndonjë përqindje e madhe, por vlen të theksohet se ekziston. BE-ja mbetet partneri më i dëshiruar për qytetarët e vendit tonë. Perceptimi i ndikimit të SHBA-së ka shënuar një rënie të ndjeshme, në krahasim me vitin e kaluar, me 20 për qind, që është një rënie e madhe. Dhe, në një farë mënyre, është edhe një ripozicionim i publikut përballë tendencave globale, ku tendenca është që SHBA-ja dalëngadalë të largohet nga rajoni dhe të zhvendosë vëmendjen e saj në fronte të tjera gjeopolitik”, tha Troshanovski.

Ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas në fjalën e tij tha se sondazhi tregon se duhet të shikojmë në detaje gjetjet e analizës dhe të shohim se ku mund të bëhen përmirësime. Ai tha se mesazhi kryesor i ambasadorëve për qytetarët duhet të jetë siguria se zgjerimi do të ndodhë dhe se është me vlerë të prekshme.

“Nga njëra anë duhet të ndihmojmë duke u fokusuar në përshpejtimin dhe zbatimin sa më të shpejtë të reformave të nevojshme, në mënyrë që vetë qytetarët të shohin në kohë reale përfitimet nga vetë reformat dhe nga ana tjetër politikisht duhet të përballemi me sfidat më të mëdha që po ndodhin në Europë”, nënvizoi Rokas.

Të dhënat parësore të përdorura në këtë analizë vijnë nga një sondazh i opinionit publik i kryer në periudhën tetor-dhjetor 2024, ku janë anketuar 1056 persona. Rezultatet paraqiten në përqindje dhe i nënshtrohen një gabimi statistikor prej ±3%. Studimi fokusohet në analizën e tendencave të përgjithshme dhe përcaktuesit kryesorë të mbështetjes për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian në periudhën 2014-2024.

Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.