RMV, a ka gjasa të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me zgjedhjet lokale?
Partitë politike por edhe njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut janë të ndarë në mendimet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare bashkë me zgjedhjet lokale. Në opinion zërat për zgjedhje të dyfishta në vjeshtë të këtij viti dolën pas vendimit të largimit të ASH-së së Arben Taravarit nga koalicioni VLEN […]


Partitë politike por edhe njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut janë të ndarë në mendimet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare bashkë me zgjedhjet lokale. Në opinion zërat për zgjedhje të dyfishta në vjeshtë të këtij viti dolën pas vendimit të largimit të ASH-së së Arben Taravarit nga koalicioni VLEN gjë që ka krijuar mundësi për rikonstruim të mundshëm të qeverisë, shkruan Portalb.mk.
Për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të dyfishta nga zyra për informim e VMRO – DPMNE-së nuk kanë pranuar të prononcohen. Ndërkaq, partneri i saj VLEN është kategorik se nuk ekziston asnjë arsye objektive për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Kërkesa për zgjedhje të tilla vjen nga BDI-ja, e cila ndodhet në një pozitë të dëshpëruar për shkak të humbjes që e pret në zgjedhjet lokale. Dhe kur e kupton se vota e qytetarëve nuk është më në anën tënde, fillon të kërkosh rrugë anësore – përmes krizave të fabrikuara dhe përpjekjeve për destabilizim politik. Është një skenar i konsumuar: krijohet tension, shpërndahet tymnajë dhe në fund përgatitet terreni për bojkot – ashtu siç vetë e ka paralajmëruar edhe z. Ali Ahmeti. Por shqiptarët sot janë më të vetëdijshëm se kurrë. Ata e dinë se ndryshimi nuk ndalet me manovra politike – ndryshimi vjen përmes vullnetit të lirë, dhe ai vullnet do të flasë qartë, me zë të fuqishëm, në kutinë e votimit”, tha për Portalb.mk, zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani.
Në këtë linjë është edhe Aleanca për Shqiptarët- krahu i Arben Taravarit. Nga aty vlerësojnë se Qeveria është stabile dhe nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Në këtë fazë, fokusi ynë mbetet te përmbushja e angazhimeve ndaj qytetarëve dhe vazhdimi i punës për ndryshime reale në çdo sektor në të cilin menaxhojmë. Çdo vendim politik duhet të jetë i matur dhe në funksion të stabilitetit dhe interesit të përgjithshëm”, tha për Portalb.mk Jeton Xhemaili nga Qendra për informim e ASH.
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë shprehet e gatshme, por sipas tyre, zërat për zgjedhje të dyfishta në vjeshtë të këtij viti nuk janë zyrtare.
“Realisht, vendimi varet nga shumica, por ne jemi gati. LSDM është e gatshme për çdo zgjedhje. Deri më tani, kjo temë ka qarkulluar në media, por nuk ka ende asgjë zyrtare, asnjë nismë zyrtare. Nëse ka, organet e LSDM-së do të mblidhen dhe do të deklarohen”, tha për Portalb.mk Martin Kostovski nga LSDM.
Të gatshëm për zgjedhje parlamentare bashkë me lokalet janë shprehur edhe BDI.
“BDI është parti e konsoliduar në skenën politike dhe për këtë arsye ështe e përgatitur jo vetëm për zgjedhje lokale por edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare, për të cilët insistojmë. Kjo është zgjidhja për të siguruar stabilitet në skenën politike”, deklaroi ditë më parë për emisionin “360 shkallë”.
A do e theksojë nevojën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, dalja e ASH- krahu i Taravarit nga Qeveria?
Njohësi i rrethanave politike, analisti Besim Nebiu nuk mendon se do ketë zgjedhje parlamentare bashkë me lokalet, me shumicën aktuale parlamentare.
“Por, varësisht nga rezultatet e zgjedhjeve lokale, sidomos në kampin shqiptar zgjedhjet e reja janë të mundura, sidomos nëse rezultatet e zgjedhjeve lokale tek shqiptaret janë të tilla që tregojnë fitore të qartë dhe bindshme të njerës anë karshi tjetrës. Një rezultat më i balancuar nuk do te krijonte nevojë të këtillë. Natyrisht, zgjedhjet duhet t’i pranojë VMRO DPMNE, e cila ka 58 deputet, e për zgjedhje të reja nevojiten 61”, tha për Portalb.mk, Nebiu.
Ndërkaq, sipas analistit Faton Aliti, pas daljes nga VLEN të ASH-së krahu i Taravarit, zgjedhjet e dyfishta janë gjithnjë e më të mundshme. Posaçërisht, thekson ai, pas deklaratës së Bilall Kasamit se do të kërkohet rishqyrtim i ndarjes së resoreve qeveritare.
“Duket se Taravari është përgatitur më gjatë se partitë e tjera brenda VLEN-it për këtë skenarë, sepse duket i sigurtë në mbetjen e tyre në qeveri deri në zgjedhjet e rradhës. Për dallim, deklaratat e Kasamit, Mexhitit dhe Ibraimit janë të ngutshme dhe në stilin sikur ata janë bartësit e shumicës parlamentare. Nëse kemi parasyshë kontestimin e legjitimitetit etnik të qeverisë nga ana e Frontit Evropian, deklaratën e Taravarit se sipas më shumë anketave 70% e shqiptarëve nuk janë të kënaqur me performancën e qeverisë, qëndrimit të ftohtë të kryeministrit ndaj përçarjes së VLEN-it, mendoj se qëllimi përfundimtarë i kryeministrit dhe Taravarit është që të kemi zgjedhje të dyfishta pas të cilave do të tentohet koalicion mes VMRO-së dhe ASH-së së bashkuar eventualisht. Nëse nuk ndodh bashkimi i ASH-së, mund mos të kemi zgjedhje të dyfishta por atëherë do të duhet dikush ta zëvendësojë pjesën e mbetur të VLEN në ekzekutiv. Këto mund të jenë ASH e Selës dhe ndonjë subjekt më i vogël brenda Frontit. Ajo që jam i sigurt është se i gjithë ky skenarë nuk bëhet për llogari të BDI-së, por përkundrazi”, tha për Portalb.mk, Aliti.
Kujtojmë se, Taravari në një intervistë për 360 Gradë të transmetuar më 31 mars, kritikoi funksionimin e partive shqiptare në qeveri. Ai tha se, koalicioni ka shumë mangësi dhe mospërputhjet e koalicionit shihen nga 100 kilometra larg, se po punojnë shumë ngadalë.
Koalicionin VLEN e përbëjnë Lidhja Demokratike, Alternativa, Lëvizja BESA, ASH e udhëhequr nga Arben Taravari, dhe Lëvizja Vetëvendosje. VLEN është partner koalicioni i VMRO-DPMNE dhe ZNAM, me të cilët qeverisin me pushtetin aktual. VLEN-i ishte bashkuar për ta rrëzuar qeverisjen mbi dy dekadëshe të BDI-së. Mosmarrëveshjet në VLEN kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale, përkatësisht rreth ndarjes së komunave.
Mbetet pikëpyetje se vallë turbulencat brenda koalicioneve në qeveri do të krijojnë hapësirë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do të mbaheshin bashkë me lokalet në tetor.