Analizë: Përfaqësimi i shqiptarëve në shumicat parlamentare ndër vite në RMV, a po zvogëlohet ndikimi i shqiptarëve në qeverisje? (Infografik)
Përfaqësimi i shqiptarëve përmes deputetëve në shumicat parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka ndryshuar mandat pas mandati. Ndryshimet e tij gjatë mandateve kanë reflektuar përpjekjet për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, por edhe sfidat që lidhen me mekanizmat juridiko-kushtetues, si dhe baraspeshën e pushtetit në një shtet multietnik, shkruan Portalb.mk. Historiku i […]


Përfaqësimi i shqiptarëve përmes deputetëve në shumicat parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka ndryshuar mandat pas mandati. Ndryshimet e tij gjatë mandateve kanë reflektuar përpjekjet për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, por edhe sfidat që lidhen me mekanizmat juridiko-kushtetues, si dhe baraspeshën e pushtetit në një shtet multietnik, shkruan Portalb.mk.
Historiku i përfaqësimit të shqiptarëve dy dekadat e fundit
Portalb.mk ka analizuar numrat e zgjedhjeve nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2002 e deri te ato të fundit në vitin e kaluar (2024), duke vënë theksin në numrin e deputetëve shqiptarë dhe rolin e tyre në formimin e qeverisë dhe forcimin e legjitimitetit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Përbërja parlamentare 2002 – 2006
Në vitin 2002, shqiptarët në kuvendin e Maqedonisë së Veriut janë përfaqësuar me 26 deputetë, prej të cilëve 16 deputetë nga Bashkimi Demokratik për Integrim. 7 deputetë nga Partia Demokratike Shqiptare, 2 nga Partia për Prosperitet Demokratik dhe 1 nga Partia Demokratike Kombëtare.
Shumica parlamentare, e kryesuar nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, përfshinte LSDM, Partinë Liberal Demokratike dhe BDI-në me 16 deputetë.
Përbërja parlamentare 2006 – 2008
Në vitin 2006, pas zgjedhjeve parlamentare të 5 korrikut, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Pas zgjedhjeve të vitit 2006, VMRO-DPMNE, e udhëhequr nga Nikolla Gruevski, formoi koalicion qeverisës me PDSH-në, PSDR-në, RDM-në dhe PAE-në, duke siguruar shumicë prej 65 vendeve në Kuvend.
Shqiptarët u përfaqësuan në shumicën parlamentare me 11 vende deputetësh nga radhët e PDSH-së.
Koalicioni qeveritar i konfirmuar më 26 gusht 2006 pas një debati dyditor në Kuvend ishte cilësuar si kundërthënës si pasojë e faktit se koalicionin shqiptar BDI dhe PPD kishin 16 deputetë, që nënkuptonte se koalicionte barte mbi supe legjitimitetin e shumicës së shqiptarëve.
Përbërja parlamentare 2008 – 2011
Më 1 qershor 2008 u mbajtën zgjedhje të parakohshme parlamentare pas shpërbërjes së kuvendit më 12 prill 2008. Këto zgjedhje sollën përbërje parlamentare të re. Shumica parlamentare tani kryesohej nga VMRO-DPMNE, me 63 deputetë dhe 18 deputetë nga BDI. Pjesa tjetër: Koalicioni i LSDM numronte 27 deputetë, PDSH 11 deputetët, Partia për të Ardhmen Europiane 1 deputet.
Nga ky momentum u krijua një marrëveshje politike, sipas të cilës fituesi i zgjedhjeve të pala maqedonase e bën qeverinë me të parin në kampusin politik shqiptar.
Përbërja parlamentare 2011 – 2014
Edhe zgjedhjet e 5 qershorit 2011, sollën në qeveri VMRO-DPMNE dhe BDI, kësaj radhe shumicën parlamentare e përbënin VMRO- DPMNE me 56 deputetë dhe BDI me 15 deputetë. Opozita përbëhej nga LSDM me 42 deputetë, PDSH 8 dhe RDK me 2 deputetë.
Përbërja parlamentare 2014 – 2016
VMRO dhe BDI formuan qeverinë edhe pas zgjedhjeve të vitit 2014. BDI në kuvend përfaqësohej me 19 deputetë.
Për shkak të krizës politike të shkaktuar nga akuzat për përgjime të paligjshme dhe mungesës së besimit në institucionet, kuvendi u shpërbë më 7 prill 2016.
Përbërja parlamentare 2016 – 2020
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor 2016 në Maqedoninë e Veriut, rezultati ishte shumë i ngushtë dhe krijoi situatë politike të tensionuar. VMRO-DPMNE, partia e udhëhequr nga Nikolla Gruevski, fitoi 51 vende në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa opozita, koalicioni i udhëhequr nga LSDM, fitoi 49 vende. Pjesa tjetër e vendeve u ndanë mes partive të ndryshme shqiptare, BDI 10 deputetë, Lëvizja Besa 5 deputetë, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2 deputetë.
Ky rezultat i ngushtë krijoi një situatë të pasigurtë politike, pasi asnjëra nga palët nuk kishte shumicën e nevojshme për të formuar një qeveri të qëndrueshme. Partitë shqiptare, me gjithsej 20 deputetë, u bënë të rëndësishme për formimin e shumicës parlamentare.
Me vendimin e partive shqiptare për të ndryshuar regjimin shumëvjeçar të VMRO-DPMNE-së, dhe dhënien e mandatit qeverisës partisë së dytë te maqedonasit u thye rregulli i mëparshëm i vitit 2008, “fituesi me fituesin”.
Në këtë periudhë, Maqedonia e Veriut kaloi nëpër një krizë politike të thellë, e cila kulmoi më 27 prill 2017, kur një grup i protestuesve me dhunë kishin hyrë në kuvend dhe kishin rrezikuar jetërat e disa deputetëve dhe gazetarëve, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit, një shqiptar, si kryetar i kuvendit. Ky incident solli pasoja të rënda dhe ndikoi në formimin e një qeverie të re më 31 maj 2017, e udhëhequr nga LSDM dhe me mbështetje të partive shqiptare.
Në përgjithësi, periudha 2016–2017 ishte një kohë e pasigurisë politike dhe tensioneve etnike në Maqedoninë e Veriut, me sfida të mëdha për formimin e institucioneve demokratike dhe për avancimin e proceseve integruese në Bashkimin Evropian.
Përbërja parlamentare 2020 – 2024
Pas zgjedhjeve të vitit 2020, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut kishte përbërjen si vijon: Koalicioni “Ne mundemi” i kryesuar nga LSDM 46 deputetë, VMRO-DPMNE 44 deputetë, BDI 15 deputetë, koalicioni shqiptarë ASH- Alternativa 12 deputetë, partia “E Majta” 2 deputetë dhe PDSH 1 deputetë.
Edhe gjatë kësaj periudhe në disa raste pati ndryshime në shumicën parlamentare, por ajo u udhëhoq nga binomi LSDM – BDI, deri në vitin 2024.
Përbërja parlamentare aktuale
Pas zgjedhjeve të vitit 2024, Qeverinë e Maqedonisë së Veriut e formuan VMRO – DPMNE, koalicioni shqiptar VLEN dhe Lëvizja ZNAM. VMRO- DPMNE nuk e konsideroi koalicionin Fronti Europian të kryesuar nga BDI për partneritet eventual, duke ia bërë me dijen BDI-së shkeljen e principit “fituesi me fituesin”.
Pas zgjedhjeve shumica parlamentare përbëhej VMRO DPMNE me 58 deputetë, VLEN me 14 deputetë dhe Lëvizja ZNAM me 6 deputetë. Megjithatë pasi Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit me 5 deputetët e saj më 12 maj 2025 vendosi ta braktisë Qeverinë dhe koalicionin VLEN, shumica parlamentare momentalisht numëron 9 deputetë shqiptar.
Aktualisht, opozita shqiptare numëron gjithsej 21 deputetë, 5 nga Aleanca e Arben Taravarit dhe 16 të Frontit Europian (ku hyjnë deputetët e BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët e Ziadin Selës dhe disa partive të tjera)
Kujtojmë se çështja e rëndësisë së legjitimitetit politik në Maqedoninë e Veriut u riaktualizua pas shfuqizimit mekanizmit të “Balancuesit” dhe kontestimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, me të cilin rregullohet edhe përdorimi i gjuhës shqipe, si dhe zvogëlimin e numrin të deputetëve shqiptarë në shumicën aktuale parlamentare.