Gjykatat u shpallën jokompetente për ndotjen nga deponia e egër në Strugë, juristët e rinj drejtësinë do e kërkojnë në Strasburg
Pasi Gjykata Themelore në Strugë e hodhi poshtë padinë, ndërsa Gjykata e Apelit në Manastir e hodhi poshtë ankesën për deponinë e egër në Strugë me arsyetimin se zgjidhja e këtij problemi nuk është në juridiksionin e gjykatës, juristët e rinj drejtësi do të kërkojnë para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. […]


Pasi Gjykata Themelore në Strugë e hodhi poshtë padinë, ndërsa Gjykata e Apelit në Manastir e hodhi poshtë ankesën për deponinë e egër në Strugë me arsyetimin se zgjidhja e këtij problemi nuk është në juridiksionin e gjykatës, juristët e rinj drejtësi do të kërkojnë para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Në Kërkesë kërkohet që të bëhet vërtetimi i shkeljes së të drejtës për qasje në gjykatë, shkeljes së të drejtës për jetë private dhe familjare, si dhe shkeljes të të drejtës për një mjet juridik efektiv, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.
Aplikantët janë persona fizikë që jetojnë në afërsi të deponisë dhe vazhdimisht janë të ekspozuar ndaj ndotjes, si dhe Shoqata e Juristëve të Rinj të Maaedonisë (ShJRM), e cila e përfaqëson interesin publik për një mjedis jetësor të shëndetshëm.
Në vitin 2021 ata ngritën padi përmes avokatit Gligorie Qatoski, me të cilën kërkojnë që gjykata të vërtetojë se me ekzistencën dhe funksionimin e deponisë së egër komunale në Strugë shkelet e drejta për një mjedis jetësor të shëndetshëm dhe ta detyrojë Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Komunën e Strugës dhe Ndërmarrjen Publike “Komunale”-Strugë të marrin masa konkrete në lidhje me asgjësimin e mbeturinave në vendndodhjen aktuale dhe për sanimin e saj. Gjykata nuk e pranoi padinë sepse ajo nuk ishte ngritur me qëllim të vërtetimit të një të drejte adekuate ose një marrëdhënieje juridike midis paditësit ose të paditurve, por përkundrazi ishte ngritur me qëllim të vërtetimit të fakteve mbi të cilat ajo nuk kishte juridiksion.
“E pritshme dhe për të ardhur keq, gjykatat e Maqedonisë nuk treguan kapacitet të mjaftueshëm për të vendosur për çështje kaq të rëndësishme për mbrojtjen e interesit publik të qytetarëve. Të gjitha institucionet kompetente – Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor, Komuna e Strugës, NP “Komunalja” Strugë – dhe madje edhe gjykatat vendase janë shpallur jokompetente. Banorët e Strugës mbetën pa përgjigje dhe pa mbrojtje ligjore. Praktika e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut është se zgjidhja e çështjeve të tilla si kjo me deponinë e Strugës bie në juridiksionin e gjykatave të rregullta. Në rastet kur nuk mund të marrim drejtësi nga gjykatat në Maqedoni ne na mbetet ta kërkojmë atë para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, thotë avokati Gligorie Qatoski.
Nga Gjykata në vendimin e saj theksojnë se çështja konkrete duhet të udhëhiqet sipas Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe Ligjit për Kontestet Administrative, e jo përmes gjykatave të rregullta.
“Nuk pajtohemi me këtë vendim zhgënjyes të gjykatave në Maqedoni, sepse në kuadër të procedurës kemi theksuar akte të shumta ligjore dhe nënligjore që dëshmojnë juridiksion gjyqësor për këtë çështje. Përveç kësaj, ne dorëzuam edhe praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila praktikë gjyqësore tregon për juridiksion gjyqësor”, thotë Qatoski.
Deponia e Strugës është një nga deponitë më të rrezikshme jo standarde dhe të egra në vend, sepse nuk ka një sistem të vendosur për kontrollin e llojit të mbeturinave që hidhen në të. Deponia që gjendet rreth 500 metra larg shtëpive të para të qytetit, si dhe nga shtrati i lumit Drini i Zi dhe më pak se 2.000 metra në vijë ajrore nga Liqeni i Ohrit, digjet vazhdimisht dhe aroma e tymit ndihet në gjithë qytetin.
Në këtë vendndodhje në një sipërfaqe prej më shumë se 28.000 metra katrorë mbeturinat po asgjësohen që nga viti 2006 me vendim të autoritetit të atëhershëm administrativ të kryesuar nga kryetari i atëhershëm dhe aktual i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, dhe nga ajo kohë e deri më sot asnjë organ kompetent lokal ose qeveritar nuk ka ndërmarrë asnjë masë për largimin e tyre. Sot është më shumë se 18 metra e lartë dhe ka një thellësi prej rreth 10 metrash.
“Kjo deponi mbeturinash, në të cilën hidhen rreth 40.000 ton mbeturina, çdo vit rritet për 2,5 metra në lartësi, ose sa një kat objekti”, thotë Qatoski.
Problemi me deponitë në Rajonin e Ohrit përmendet edhe në rekomandimet e UNESCO-s për ruajtjen e statusit të trashëgimisë natyrore dhe kulturore botërore.
Një kërcënim ekologjik në rajonin nën mbrojtjen e UNESCO-s është edhe deponia “Bukovo” në afërsi të Ohrit, e cila lëshon tym si në verë ashtu edhe në dimër dhe e ndot ajrin në Ohër dhe zonën përreth. Banorët e kësaj zone shpesh ankohen për erën e rëndë që e rrezikon shëndetin e tyre.
“Jemi dëshmitarë se avujt toksikë pothuajse çdo ditë arrijnë deri në Ohër dhe Prespë. Menaxhimi joadekuat me deponinë “Bukovo” ndikon negativisht edhe në ndotjen e ujërave nëntokësore, e cila është veçanërisht e theksuar gjatë reshjeve të dendura, të cilat, përveç dekompozimit kimik, fizikisht i transportojnë edhe substancat nga vetë mbeturinat në nëntokë”, thotë Gjoko Zoroski nga iniciativa qytetare “Mirupafshim Bukovë”.
Deponia e Bukovës është një nga 54 deponitë jostandarde në vend që paraqesin një rrezik të lartë për mjedisin jetësor. Gjatë djegies së mbeturinave ndihet një erë e padurueshme, ndërsa tymi që çlirohet përmban substanca të dëmshme që e rrezikojnë shëndetin e njeriut dhe mjedisin jetësor.
Aktivitetet për ndërtimin e deponisë rajonale në Novaci ende nuk kanë filluar edhe pse sipas paralajmërimeve ndërtimi duhej të përfundonte deri në fund të vitit 2024, me ç’rast duhej të mbylleshin të gjitha deponitë në vend që janë jostandarde dhe që nuk janë në përputhje me rekomandimet e UNESCO-s. Sistemi i menaxhimit të mbeturinave të deponisë së re rajonale parashikon edhe stacione transferimi të mbeturinave në Ohër, Dibër, Strugë, Kërçovë, Prilep dhe Manastir, si dhe do të formohet një ndërmarrje publike ndërkomunale për transportin dhe asgjësimin e mbeturinave.
Ndërkohë, numri i deponive të egra të mbeturinave që po krijohen si në qytet ashtu edhe përgjatë bregut të liqenit, përfshirë këtu edhe Galicicën, është në rritje të vazhdueshme.
“Nuk mund të arrijmë t’i pastrojmë mini-deponitë e mbeturinave aq shpejt sa që mund t’i krijojnë qytetarët”, thonë nga NP “Komunalec” në Ohër.
Sipas ekologjistëve investimi në menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave nuk është vetëm një domosdoshmëri ekologjike, por është një hap përpara drejt një shëndeti më të mirë publik, një mjedisi jetësor më të pastër, por edhe drejt një angazhimi më të madh të të gjitha palëve në këtë proces.
“Sistemi rajonal i menaxhimit të mbeturinave është një sistem që do të ofrojë ndryshime të rëndësishme si për qytetarët ashtu edhe për mjedisin. Me zhvillimin e infrastrukturës për selektim dhe riciklim, me mbylljen e deponive të egra, si dhe me ndërtimin e qendrave rajonale të grumbullimit dhe deponive moderne si pjesë e Sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave (SRMM), Maqedonia e Veriut do t’i afrohet standardeve ekologjike të BE-së. Pa reforma urgjente dhe veprime të përkushtuara në të gjitha nivelet vendi përballet me një krizë serioze me mbeturinat, ndërsa rreziqet ndaj mjedisit jetësor dhe ndaj shëndetit publik do të vazhdojnë të rriten, duke i rrezikuar qytetarët, mjedisin jetësor, ekosistemet dhe ekonominë”, thonë ekspertët.
Qendrat e grumbullimit janë pjesë e sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave, i cili është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për vendin, me të cilin do të bëhet mbyllja e deponive ekzistuese komunale dhe deponive të egra jostandarde, si dhe inkurajimin për selektimin dhe ndërtimin e qendrave moderne të grumbullimit të mbeturinave.
Pak kohë më parë në Ohër u finalizua iniciativa për selektimin e mbeturinave si pjesë e aktiviteteve që janë bazë për Sistemit Rajonal të Menaxhimit të Mbeturinave (SRMM), i cili paraqet një hap të rëndësishëm përpara në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm të menaxhimit të mbeturinave.
Aksioni u krye si pjesë e projektit “Menaxhimi i Qëndrueshëm i Mbeturinave në Nivel Lokal”, i mbështetur nga Suedia, i impelmentuar nga SALAR International.