Andonovski: Deri në janar 2025 do të kemi projektligj për sigurinë kibernetike

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, mori pjesë në takimin e parë të grupit punues për përgatitjen e ligjit të parë për sigurinë e sistemeve të informacionit dhe komunikimit, ose më mirë i njohur si ligji për sigurinë kibernetike. Ministri sqaroi se ky ligj është duke u punuar dhe duhet të hyjë në procedurë qeveritare […]

Nëntor 25, 2024 - 19:00
 0  6
Andonovski: Deri në janar 2025 do të kemi projektligj për sigurinë kibernetike

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, mori pjesë në takimin e parë të grupit punues për përgatitjen e ligjit të parë për sigurinë e sistemeve të informacionit dhe komunikimit, ose më mirë i njohur si ligji për sigurinë kibernetike. Ministri sqaroi se ky ligj është duke u punuar dhe duhet të hyjë në procedurë qeveritare në fund të janarit 2025, transmeton Portalb.mk.

“Deri në janar të vitit 2025 do të kemi një draft të këtij ligji, të cilin do ta ndajmë me publikun, do ta publikojmë në ENER dhe do të mbledhim opinione, do të bëjmë një debat publik dhe se pritjet janë që në shkurt ta kemi tekstin e përfunduar të ligjit në Kuvend”, tha Andonovski.

Ai shtoi se ky ligj është plotësisht i përgatitur me kërkesat e Bashkimit Evropian, me qëllim modernizimin e tij dhe përcjelljen e trendeve.

“Ky ligj do të na përshtatë plotësisht me kërkesat e direktivës NIS2, që është direktiva e fundit e BE-së. Prandaj drejtimi i ligjit është përafrim me rregullat evropiane”, konstatoi Andonovski.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ishte cak i kërcënimeve të rreme me bomba, por jo vetëm kaq. Nga fundi i vitit 2022 e në vazhdim, sulmet kibernetike kanë ndodhur në faqet e institucioneve shtetërore si: Qeveria e RMV-së, Agjencia për Komunikime Elektronike, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Qeveria, Ministritë e Bujqësisë dhe Arsimit dhe Shkencës, nga ku janë vjedhur të dhënat e qytetarëve dhe në disa raste për ta sulmuesit kërkuan shpërblim në kriptovaluta.

Maqedonia e Veriut pati dhe paralajmërime për sfida, kërcënime dhe rreziqe të mëdha në sektorin e policisë në Maqedoninë e Veriut dhe atë të inteligjencës.

Nga 26 tetori i vitit 2022 në RMV disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në vend është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare.  Numri më i madh i kërcënimeve të rreme ka ndodhur në shkurt – madje 439, gjegjësisht vetëm në pesë ditë të javës së punës nuk ka pasur kërcënim me bombë. Në nëntor ka pasur 30 kërcënime, në dhjetor 272, kurse më 1 mars të këtij viti është arritur rekordi – madje 120 shkolla dhe institucione të tjera kanë marrë kërcënim të rremë brenda një dite se është vendosur bombë.

Ndërkohë, sistemi i FSSh-së ishte i padisponueshëm nga 7 shkurti, për dy javë të plota.

Sistemi shërben për qytetarët që të mund të kontrollojnë sigurimin e tyre shëndetësor, zgjedhjen e mjekut amë, ndërsa vetë të punonjësit shëndetësor mund të kontrollojnë informacionet për pacientët e tyre dhe shërbimet tjera.