Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së në Maqedoni, Ahmeti: Duhet të përshpejtohet anëtarësimi i Kosovës në Interpol
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka thënë për Ekonomia Online se duhet të përshpejtohet rruga drejt anëtarësimit të Kosovës në organizatën më e madhe të policisë globale, Interpol, pasi arrestimet e ish-ushtarëve të UÇK-së me fletarrest nga Serbia, janë të shpeshta. Duke folur për arrestimin e Blerim Ramadanit […]
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka thënë për Ekonomia Online se duhet të përshpejtohet rruga drejt anëtarësimit të Kosovës në organizatën më e madhe të policisë globale, Interpol, pasi arrestimet e ish-ushtarëve të UÇK-së me fletarrest nga Serbia, janë të shpeshta.
Duke folur për arrestimin e Blerim Ramadanit nga Policia e Maqedonisë së Veriut më 17 korrik në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia, Ahmeti ka thënë se Serbia do të vazhdojë t’i mbajë nën presion ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kjo është një çështje që duhet parë me komunitetin ndërkombëtar që të përshpejtohet rruga drejte anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Përndryshe pa anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe pa një marrëveshje bashkë me komunitetin ndërkombëtar, në këtë rast me BE-në dhe SHBA, Serbia do të vazhdoj që t’i mbaj në presion të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjithë aktivistët. Listat janë plotë e përplot me aktivist të anti-pushtuesit dhe kjo çështje duhet të merret me seriozitetin më të madh”, ka thënë Ahmeti, teksa ka arsyetuar veprimin e policisë maqedonase për arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së.
“Çështja është se vendimet merren, Interpoli ekzekuton vendimet që marrin shtetet anëtare të Interpolit, Maqedonia e Veriut është anëtare e Interpolit, Shqipëria është anëtare e Interpolit dhe kanë obligime që t’i respektojnë vendimet e shteteve pjesëtare të Interpolit”, ka thënë ai.
Blerim Ramadani është ndaluar më 17 korrik 2024 në pikëkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletë arrest të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL Serbia, me pretendimin për krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës.
Ky nuk është rasti i vetëm kur autoritetet e Maqedonisë së Veriut arrestojnë ish-ushtarë të UÇK-së, për shkak të fletarresteve nga Serbia.
Në vitin 2016, pikërisht për shkak të fletarrestit nga Serbia, ishte arrestuar në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Gafurr Elshani.