Ashpërsohet retorika mes Shkupit dhe Athinës për Marrëveshjen e Prespës
Nuk ka hapësirë për lëshime. Greqia do të monitorojë me vëmendje situatën nga afër në Maqedoninë e Veriut. Kërkojmë nga Qeveria dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut që t’i përmbahen me besnikëri Marrëveshjes së Prespës – kështu thuhet në reagimin më të ri të Athinës, pas deklaratës së kreut të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski se […]
Nuk ka hapësirë për lëshime. Greqia do të monitorojë me vëmendje situatën nga afër në Maqedoninë e Veriut. Kërkojmë nga Qeveria dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut që t’i përmbahen me besnikëri Marrëveshjes së Prespës – kështu thuhet në reagimin më të ri të Athinës, pas deklaratës së kreut të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski se “është e drejtë e imja njerëzore se si do ta quaj shtetin tim”.
Veç kësaj, Mickoski, i cili pritet të caktohet mandatar për formimin e Qeverisë së re maqedonase, doli në mbrojtje edhe të presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, duke e quajtur të “denjë” betimin e saj.
Gjatë procesit të betimit, më 12 maj, Davkova, nuk iu referua shtetit në emrin zyrtar, Maqedoni e Veriut, por vetëm Maqedoni, të përdorur para arritjes së marrëveshjes së vitit 2018 me Greqinë.
Davkova nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës, por në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë së voni, tha se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese – të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase – ajo do t’i respektonte ato.
Në vitin 2018, Shkupi dhe Athina kanë nënshkruar atë që njihet si Marrëveshja e Prespës, për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut.
Kjo marrëveshje i ka dhënë fund kontestit shumëvjeçar duke ua hapur rrugën përpjekjeve të Shkupit për integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“Ne presim të punojmë me fqinjin tonë, por nuk do të tolerojmë asnjë lëshim. E dimë se një nga kushtet për fillimin e procesit të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut është pikërisht Marrëveshja e Prespës, në të cilën përcaktohet emri kushtetues, Maqedonia e Veriut. Ne kemi vullnet për ta zbatuar këtë marrëveshje. Duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk mund të ketë koncesion kur bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat, sipas Kushtetutës, kanë përparësi ndaj ligjeve të zakonshme”, ka deklaruar shefi i diplomacisë greke, Giorgos Gerapetritis.
Duke komentuar reagimet e palës greke, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë se nga Athina ka pritur “një urim për triumfin bindës në zgjedhje”, dhe jo “muskuj politikë”.
Sipas Mickoskit, nëse Greqia beson se vendi ka shkelur Marrëveshjen e Prespës, ekziston Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ku mund të drejtohet për të kërkuar drejtësi.
“Ne e kemi thënë shumë herë në të kaluarën se ky është realiteti. Komunikimi me institucionet e Maqedonisë mbetet në përputhje me emrin kushtetues dhe ligjet [e Maqedonisë së Veriut], por është e drejta ime themelore se si ta quaj vendin tim në të folur”, ka thënë Mickoski.
Ai, gjithashtu, pretendon se Maqedonia e Veriut ka zbatuar plotësisht Marrëveshjen e Prespës, por, Athina, sipas tij, “nuk ka përfunduar as tri gjërat themelore”.
“Nëse dikush pret që VMRO-DPMNE të përsërisë gabimet e së kaluarës, të jeni të sigurt se ne nuk do ta bëjmë këtë. Ne nuk kemi ndërmend t’iu përgjigjemi muskujve të tyre politikë duke riemëruar autostrada dhe aeroporte, apo duke ndërtuar monumente. Nuk pres që marrëdhëniet mes dy vendeve të bazohen në muskuj politikë, pres që të kemi marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore. Vlerësoj se VMRO-DPMNE-ja dhe Qeveria greke e udhëhequr nga Demokracia e Re, kanë qëndrimet e tyre në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, sepse asnjëri prej nesh nuk e pëlqen atë marrëveshje”, ka thënë Mickoski duke aluduar në tri marrëveshjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin me Greqinë, që nuk janë miratuar ende nga Parlamenti në Athinë.
Në anën tjetër, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka thënë se “ne nuk do t’i ratifikojmë memorandumet nga Marrëveshja e Prespës nëse nuk jemi absolutisht të bindur se pala tjetër respekton të gjitha dispozitat e Marrëveshjes së Prespës”.
“E paralajmërova qartë Qeverinë e re në Shkup se çdo devijim nga zbatimi i Marrëveshjes do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut”, ka thënë mes tjerash ai.
Marrëveshja e vitit 2018 me Greqinë është kundërshtuar në vazhdimësi nga VMRO DPMNE-ja, e cila i ka fituar bindshëm zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit të këtij viti.
Pala greke në disa raste ia ka rikujtuar Shkupit se moszbatimi i të gjitha obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, mund të ketë pasoja në procesin e integrimit të saj në BE./REL