Autoritetet në RMV thonë se sivjet është shënuar numër rekord i të vaksinuarve kundër gripit sezonal

Sivjet është regjistruar numër rekord i personave për vaksinim falas dhe janë vaksinuar kundër gripit sezonal, sipas të dhënave të Drejtorisë për shëndetësi elektronike, njoftoi në konferencën e sotme zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski. Përkatësisht, përmes aplikacionit vakcinacija.mk deri më tani janë regjistruar 75.712 persona dhe janë vaksinuar 66.674 qytetarë, transmeton Portalb.mk. “Ky është një […]

Nëntor 22, 2024 - 19:00
 0  6
Autoritetet në RMV thonë se sivjet është shënuar numër rekord i të vaksinuarve kundër gripit sezonal
Vaksinim në Shkup, foto o arkiv nga Meta.mk

Sivjet është regjistruar numër rekord i personave për vaksinim falas dhe janë vaksinuar kundër gripit sezonal, sipas të dhënave të Drejtorisë për shëndetësi elektronike, njoftoi në konferencën e sotme zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski. Përkatësisht, përmes aplikacionit vakcinacija.mk deri më tani janë regjistruar 75.712 persona dhe janë vaksinuar 66.674 qytetarë, transmeton Portalb.mk.

“Ky është një numër rekord i personave të regjistruar dhe të vaksinuar që duan të mbrohen nga komplikacionet më të rënda se gripi sezonal. Statistikat tregojnë se nga numri i përgjithshëm i të vaksinuarve, gati 42 mijë janë persona mbi 65 vjeç, 21.784 janë me sëmundje kronike, 2.334 punonjës shëndetësorë, si dhe 29 fëmijë nga 6 muaj deri në 5 vjeç dhe 24 gra shtatzëna“, sqaroi Andovski.

Parë sipas qyteteve, rekordmen është Shkupi me 19.722 persona të vaksinuar. Për krahasim, vitin e kaluar në Shkup janë vaksinuar 17.346 persona, që tregon trend në rritje të interesimit për vaksinim.

“Në Manastir deri më tani janë vaksinuar pesë mijë qytetarë kundër gripit sezonal dhe vitin e kaluar ai numër ka qenë 4600 persona. Edhe në Veles ka rritje të numrit të të vaksinuarve dhe nga 2.480 persona në vitin e kaluar sivjet janë vaksinuar 2.749 persona. Edhe në Gostivar ka rritje të numrit të të vaksinuarve. Deri më tani vaksinën e kanë marrë 2.175 persona dhe vitin e kaluar janë vaksinuar 1.849 persona. Po ashtu, interesim të shtuar ka edhe në Kavadar, gjegjësisht këtë vit janë vaksinuar gati dy mijë persona, ndërsa vitin e kaluar kundër gripit sezonal janë regjistruar 1.583”, shtoi zëvendësministri i Shëndetësisë.

Meqenëse sezoni i gripit është në vijim, siç theksoi Andovski, mbrojtja në kohë është thelbësore, veçanërisht te grupet e rrezikuara të popullatës.

“Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në baza javore janë regjistruar 67 shtatë raste të raportimeve në grup për persona me grip dhe sëmundje të ngjashme me gripin. Kjo paraqet 42,6 përqind më shumë në krahasim me javën paraprake, ndërsa në raport me modelin për 14 sezonet e fundit është shënuar rritje prej 4,2 përqind”, tha Andovski.

Sipas tij, në periudhën e dimrit pritet rritje e numrit të të sëmurëve me grip. Andovski përkujtoi se vitin e kaluar 14 persona kanë vdekur nga gripi.

“Fatmirësisht këtë vit ende nuk është regjistruar asnjë person i vdekur në vend. Mbrojtja në kohë kontribuon në masë të madhe për këtë, veçanërisht, siç e përmenda, grupet e rrezikuara të popullatës duhet të marrin vaksinën në kohë, si: të moshuarit mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit e shëndetësisë, gratë shtatzëna, fëmijët e moshës 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat e vendosur në institucionet e mbrojtjes sociale të të moshuarve dhe punonjësit në institucionet për mbrojtjen sociale të të moshuarve”, theksoi ai.

Andovski shpjegoi se qytetarët që janë regjistruar me sukses për vaksinim, por për ndonjë arsye nuk kanë marrë SMS dhe nuk kanë ardhur në terminin e caktuar, duhet menjëherë të kontaktojnë mjekun e tyre amë, ku do të marrin informacion për pikën e vaksinimit dhe orën kur të vaksinohet.

Të interesuarit ende mund të regjistrohen për vaksinim kundër gripit sezonal përmes aplikacionit vakcinacija.mk, në mënyrë që të mbrohen me kohë nga komplikimet e mundshme më të rënda nga kjo sëmundje.

Kujtojmë se Instituti i Shëndetit Publik (ISSHP) në raportin për situatën me gripin sezonal njoftoi se nga gjithsej 72.600 doza të vaksinës kundër gripit sezonal të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë, deri më tani janë përdorur 52.687, pra 72 përqind.